Na thoni, të dashur tifozë, a është kjo goditja më e rëndë për Milanin e epokës së re? Jo, ndoshta jo për nga forca ekonomike, por padyshim për nga simbolet. Ne kemi humbur një nga të paktët talente që dilnin nga Vismara me vulën e “predestinuarit”, dhe e kemi humbur dy herë: së pari, kur e lejuam të largohej pa marrë asnjë euro (klauzola 50% është një tallje për një investim të humbur), dhe së dyti, kur provuam ta rikthejmë me një video-telefonatë të pronarit, sikur të ishte një korrigjim i thjeshtë i një gabimi administrativ.
Kjo është drama e vërtetë e këtij episodi: Milani i RedBird po vuan nga një krizë identiteti. Ne duam të dukemi si klubi i madh evropian që bën ligjet, por veprojmë si një kompani që kërkon të mbyllë çarjet me shirit ngjitës. Liberali nuk na ka tradhtuar; ai thjesht ka bërë një llogari të ftohtë. Në Como, te Fabregas, ai do të luajë, do të gabojë, do të mësojë dhe do të bëhet i madh. Këtu, në Milano, ai do të ishte akuzuar për “papjekuri” pas dy ndeshjeve të këqija, do të ishte varrosur në stol ose dërguar në një tjetër huazim pa kuptim.
Ky është mëkati ynë i vjetër: mungesa e durimit dhe e vizionit. Ne jemi bërë një klub që flet për “projekte” por nuk i ndjek ato. Trajnerët ndërrohen si këmisha, lojtarët bluhen dhe rishiten, por për një djalë si Liberali, që mban Milanin në gjak, nuk gjejmë dy minuta për ta rritur. Ne preferuam të mbanim lojtarë të mesëm të gatshëm, se sa të besonim tek një adoleshent që në debutimin e tij kishte më shumë karizëm se gjysma e skuadrës.
Dhe tani, ne e shikojmë teksa largohet për në Como, në një lëvizje që nuk është vetëm kalim klauzole, por një verdikt historik. Kur edhe një djalë i rritur në shtëpi preferon të shkojë diku tjetër për t’u zhvilluar, do të thotë se diçka është prishur në themel. Nuk po flasim për Leaon apo Theo Hernandez, por për një djalë që mund të ishte simboli i Milanit të ardhshëm. Tani ai është simboli i një mundësie të humbur, i një menaxhimi që duket se ka humbur kompasin.
“Lamumirë, Mattia”. Në këto rreshtat tonat, nuk ka asnjë fije urrejtjeje për ty! Ka vetëm zhgënjim prej një të vërtetë brutale: ky qenka Milani modern. Një klub që flet me shifra, por që nuk di më të numërojë zemrat. Ndërsa Fabregas ndërton një ushtri të re me të rinj të talentuar, ne mbetemi duke kënduar këngët e vjetra të lavdisë, duke humbur betejat për të ardhmen, sepse nuk kemi guximin t’i japim fund të kaluarës. Zgjedhja e Liberali-t është një dëshmi e gjallë: të rinjtë nuk duan më vetëm emrin, por duan të rriten. Dhe Milani, mesa duket nuk di më t’i rrisë. – milanistat.com 🔴⚫🔥
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
