Gabimet e Milanit. Zemërimi ndaj Furlanit, kaosi mes tifozëve dhe shpresa e fundit për të shpëtuar sezonin

Nga protestat virtuale kundër drejtuesve te tensioni mes tifozëve, nga dyshimet për të ardhmen e Allegrit te kërkesa për rikthimin e shpirtit të vërtetë kuqezi, Milani po jeton ditët më delikate të viteve të fundit, në një kohë që vetëm Curva, grupet e tifozëve, por edhe grupet gazetarësh, po përpiqen të mbajnë gjallë milanizmin puro, unitetin e kuqezinjve në një ambient që ngjan i copëzuar nga zhgënjimi

Milanistat
9 Min Read
Vini re: Kjo faqe interneti mund të përmbajë lidhje partnere, që do të thotë se mund të përfitojmë një komision nëse klikoni në lidhjet që ne ju shfaqim. Ju kërkojmë të klikoni disa herë në ditë dhe besojmë se çdo klik do t'u shtojnë vlerat. Mbështetja juaj vlerësohet!

Ka momente në historinë e një klubi kur humbjet në fushë nuk janë problemi më i madh. Ka periudha kur disfata më e rëndë ndodh larg barit të stadiumit. Milani po kalon pikërisht një nga ato periudha. Një periudhë ku nervozizmi ka pushtuar çdo cep të ambientit kuqezi.

Në rrjetet sociale shpërthejnë akuza çdo ditë. Në tribunat e “San Siro” ndihet një tension i pazakontë. Në emisionet sportive debati është kthyer në luftë të hapur. Askush nuk kursen askënd. Drejtuesit sulmohen nga tifozët. Lojtarët kritikohen pa mëshirë. Trajneri vendoset çdo javë në diskutim. Madje edhe tifozët janë kthyer kundër njëri-tjetrit.

Një klimë e rëndë që po e largon Milanin nga identiteti i tij historik. Klubi që dikur frymëzonte unitet dhe krenari, sot duket i copëtuar nga tensioni.

Në qendër të stuhisë është Giorgio Furlani. Administratori i klubit është bërë objektivi kryesor i zemërimit kuqezi. Pakënaqësia ndaj tij nuk lidhet vetëm me rezultatet sportive. Tifozët flasin për një shkëputje emocionale mes klubit dhe njerëzve të tij.

Për shumë milanistë, problemi nuk është vetëm renditja në tabelë. Problemi është humbja e shpirtit të Milanit.

Zemërimi ndaj Furlanit dhe ndjesia se Milani po humbet identitetin

Pak vite më parë Milani dukej se kishte gjetur stabilitet. Titulli kampion kishte rikthyer entuziazmin. Tifozët besonin se klubi po ndërtonte një cikël të ri fitues. Por gradualisht optimizmi nisi të zbehej.

Por gabimet e mëpasme në merkato, komunikimi i ftohtë dhe distanca që pronësia e re vunë me tifozët krijuan mjaft pakënaqësi. Shumë tifozë të Milanit ndihen të përjashtuar nga klubi i tyre. Ata flasin për një futboll gjithnjë e më pak njerëzor. Një futboll ku llogaritë financiare po fitojnë ndaj emocioneve.

Kjo është arsyeja pse kritikat ndaj Furlanit janë bërë kaq të forta. Shumë tifozë e shohin atë si simbolin e një filozofie të gabuar. Një filozofi që, sipas tyre, ka zbehur traditën kuqezi.

Pakënaqësia është rritur edhe për shkak të menaxhimit të tifozërisë së organizuar. Curva Sud prej kohësh ndien tension me drejtuesit. Edhe grupet e tifozëve kanë shfaqur pakënaqësi të hapur. Çështja e biletave është kthyer në një problem serioz. Shumë tifozë ankohen për procedura të lodhshme dhe çmime të larta. Ata ndihen sikur klubi po mendon më shumë për turistët sesa për mbështetësit historikë. Kjo ka krijuar një hendek emocional shumë të rrezikshëm. E kemi evidentuar këtu në milanistat.com prej shumë kohësh këtë gjë.

Sepse Milani nuk ka qenë kurrë vetëm një skuadër futbolli. Milani ka qenë (dhe është) ndjenjë, identitet dhe përkatësi. Dhe kur kjo lidhje dobësohet, kriza bëhet më e thellë se çdo humbje në fushë. Dhe pikërisht këtë po përjetojmë sot ne kuqezinjtë. Një revoltë që nuk lidhet vetëm me një sezon të dobët. Por me frikën se klubi po humbet fytyrën e tij historike.

Allegri, merkato dhe e ardhmja që nuk mund të presë më

Në këtë atmosferë të tensionuar, edhe e ardhmja sportive mbetet e paqartë. Massimiliano Allegri është ende në qendër të diskutimeve. Çdo rezultat sjell pyetje sa të reja aq edhe të rëndomta mbi projektin teknik. Trajneri italian vazhdon të mbrohet nga disa figura brenda klubit. Por durimi i tifozëve është drejt fundit.

Milani ka vuajtur shumë nga mungesa e vazhdimësisë. Skuadra shpesh është dukur pa identitet në fushë. Lojtarët kanë alternuar paraqitje të mira me rënie të pashpjegueshme. Kjo ka rritur presionin mbi trajnerin dhe drejtuesit.

Edhe merkatoja është kthyer në temë polemikash. Tifozët kërkojnë investime të mëdha dhe lojtarë me personalitet. Emra si Luka Modric ndezin imagjinatën e ambientit kuqezi. Por shumë mbështetës kanë frikë se klubi nuk ka një plan të qartë. Pasiguria po ushqen edhe më shumë tensionin.

Sepse te Milani nuk mjafton vetëm të flasësh për projekt. Duhet të fitosh. Duhet të bindësh. Duhet të tregosh ambicie reale. Kjo është pesha e fanellës kuqezi. Një fanellë që nuk e fal mediokritetin.

Megjithatë, mes gjithë kaosit, sezoni ende nuk ka përfunduar. Milani ka ende një objektiv të madh përpara. Kualifikimi në Champions League mbetet jetik. Jo vetëm për financat, por edhe për krenarinë sportive të klubit. Tri ndeshjet e fundit konsiderohen si shansi i fundit për shpëtim. Kalendari duket i favorshëm. Por aktualisht askush nuk ndihet i sigurt. Sepse po shihet që kjo skuadër e ka humbur besimin edhe te vetja.

Maignan, Curva Sud dhe nevoja për pajtim në një ambient të përçarë

Në mes të gjithë kësaj stuhie ndodhi edhe episodi me Mike Maignan. Pas humbjes së rëndë ndaj Sassuolos, portieri francez reagoi me nervozizëm. Ai u drejtua menjëherë drejt dhomave të zhveshjes. Pa përshëndetur Curva Sud që kishte mbështetur skuadrën për 90 minuta. Një gjest që krijoi polemika të shumta. Megjithatë shumë tifozë vendosën ta kuptojnë kapitenin. Sepse edhe lojtarët po përjetojnë presion të jashtëzakonshëm.

Maignan është një nga figurat më të rëndësishme të skuadrës. Ai gjithmonë ka treguar lidhje të fortë me tifozët. Për këtë arsye shumë besojnë se do të ketë një sqarim. Curva Sud ka treguar shpesh se di të falë kur ndien sinqeritet. Dhe pikërisht Curva mbetet sot pika më e fortë e rezistencës emocionale.

Në një ambient ku të gjithë sulmojnë njëri-tjetrin, ultrasit vazhdojnë të kërkojnë unitet. Edhe klubet e tifozëve po japin sinjale mbështetjeje për skuadrën. Ata kërkojnë që proceset dhe gjykimet të shtyhen deri në fund të sezonit. Sepse në këtë moment Milani ka nevojë për qetësi. Ka nevojë për mbështetje dhe jo për luftë civile. Por realiteti mbetet i vështirë.

Rrjetet sociale janë kthyer në arenë përplasjesh të pafundme. Influencues, opinionistë dhe profile anonime ushqejnë tensionin çdo ditë. Çdo humbje sjell shpërthime të reja. Çdo lajm kthehet në dramë. Dhe në këtë kaos shpesh humbet ajo që ka më shumë rëndësi. Dashuria për Milanin.

Milani ka nevojë ta gjejë përsëri shpirtin e tij

Historia e Milanit është ndërtuar mbi fitore, por edhe mbi karakter. Ky klub ka kaluar kriza shumë më të mëdha në të kaluarën. Ka rënë dhe është ngritur sërish. Ka njohur momente lavdie dhe periudha errësire. Por gjithmonë ka mbijetuar falë lidhjes mes skuadrës dhe tifozëve. Sot kjo lidhje po testohet si rrallëherë më parë.

Zemërimi ndaj drejtuesve është real. Zhgenjimi për rezultatet është i kuptueshëm. Pakënaqësia për mënyrën si po menaxhohet klubi është e fortë.

Por në fund Milani mbetet më i madh se çdo figurë individuale. Më i madh se çdo president, trajner apo administrator. Kjo është arsyeja pse shumë tifozë kërkojnë reflektim dhe jo shkatërrim. Sepse revoltat mund të ndezin zemërimin, por jo gjithmonë ndërtojnë të ardhmen.

Milani ka nevojë për ndryshime, por edhe për ekuilibër. Ka nevojë për ambicie, por edhe për identitet. Ka nevojë të rikthejë ndjenjën e përkatësisë që e bëri unik në botë. Nëse arrin ta bëjë këtë, atëherë edhe kjo periudhë do të mbetet vetëm një kujtim i hidhur.

Sepse klubet e mëdha nuk maten vetëm nga trofetë. Por nga mënyra si reagojnë kur gjithçka duket se po shembet.


BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>




Share This Article