Ishte mbrëmja e 24 majit dhe San Siro, ai tempull i kuqezinjve që i ka parë të gjitha — nga triumfet europiane te dramat e papritura — i thau lotët e milanistëve në heshtje. Milani humbi ndaj një ekipi që luftonte për mbijetesë dhe me atë humbje u shua edhe ëndrra e kualifikimit për në Champions League 2026-2027. Nuk ishte thjesht një humbje sportive: ishte shembja e një sezoni të tërë, provë e dështimit institucional dhe tekniko-taktik të një klubi të madh që s’di të jetë më i madh.
Ditën pas kësaj tragjedie futbollistike, Gerry Cardinale, pronari amerikan i Red Bird Capital, burri që bleu Milanin me premtimin e rilindjes , u shfaq i vendosur dhe i zemëruar, i bindur se ishte mbushur kupa. Në një lëvizje të vetme, si dikush që i ka humbur plotësisht durimi, ai shpalli fundin e të gjithë drejtuesve: AD Giorgio Furlani, drejtori teknik Geoffrey Moncada dhe drejtori sportiv Igli Tare u dërguan menjëherë në shtëpi. Bashkë me ta, edhe trajnerit Massimiliano Allegri iu dha udhë e mbarë — pa shumë fjalë, pa ceremoni, pa asnjë mirënjohje publike.
Cardinale ngjante si një lider i ri, i gatshëm të rindërtojë çdo gur nga e para. Milani dukej gati për revolucion të vërtetë.
⏳ Casting një mujor: Emra të mëdhenj, rezultate zero
Dhe pastaj nisi ajo çka tifozët do ta kujtojnë si “muaji i humbur” i Djallit. Cardinale, i shoqëruar nga Massimo Calvelli dhe — çuditërisht, por jo rastësisht — Zlatan Ibrahimovic, nisi një proces të gjatë, të mundimshëm dhe në fund jo aq të frutshëm rekrutimi. Emrat që qarkulluan korridoreve të klubit të rrugës Aldo Rossi dhe nëpër mediat italiane e europiane ishin emra të rëndë, emra që sillnin entruziazëm dhe shpresë: Andoni Iraola, trajneri bask me idetë moderne; Ralf Rangnick, arkitekti gjerman i strukturave sportive bashkëkohore; Marco Krosche, njeri me reputacion solid në menaxhimin e klubeve gjermane.
Por secili prej tyre tha “jo”. Dhe kur dikush i kaq i dëshpëruar si Cardinale merr “jo” nga emra të tillë, pyetja e natyrshme që lind është: çfarë u ofroi? Çfarë projekti prezantoi? A ishte ky Milan tërheqës si destinacion? Apo diçka në vizionin e tij — apo në mungesën e tij — i bën njerëzit e talentuar të tërhiqen?
Pas pothuajse katër javësh kontaktesh, takimesh dhe udhëtimesh, Cardinale arriti të një vendimi: asnjë të ri nga jashtë. Organigrama e ri e Milanit do të ndërtohet mbi figura tashmë të pranishme brenda klubit. E madhe! E befasueshme! E pakuptimtë.
📊 Revolucion apo riorganizim? Pyetja që djeg tifozët
Këtu është edhe paradoksi i gjithë kësaj historie. Nëse vendimi final ishte të mbaheshin njerëzit e brendshëm, atëherë pse u desh një muaj i tërë? Pse u ngritën shpresat e tifozëve me premtime ndryshimi rrënjësor? Pse u krijua ky vakum institucional që bllokoi jo vetëm vendimet e personelit, por edhe merkaton — ajo makineri e mirë e çrregullt që kërkon shpejtësi, njohuri dhe vendosmëri taktike?
Dhe ndërkohë që Milani priste, klube të tjera lëviznin. Konkurrentët italianë dhe europianë po firmosnin lojtarë, po vendosnin trajnerë, po ndërtonin skuadra. Milani rrotullohej në vend, si dikush që s’di ku të shkojë — jo nga mençuria, por nga hutimi.
Muaji i Botërorit ka ngadalësuar gjithçka, kjo është e vërtetë. Por nuk mund të shërbejë si justifikim i mjaftueshëm për klube me resurset e Milanit. Vonesë mbart gjithnjë çmim — dhe çmimi këtu mund të jetë sezoni i ardhshëm.
❓ Mungon njeriu i futbollit: Rreziku i një structure të pashpirt
Por çështja edhe më e thellë, ajo që shkakton shqetësimin më serioz të ekspertëve dhe tifozëve të mirëinformuar, ka të bëjë me natyrën e re të drejtuesve që mbeti. Cardinale ka ndërtuar një strukturë ku dominojnë njerëzit e shifrave — analistë, matematikanë të lojës, specialistë të modeleve financiare. Kjo nuk është gjë e keqe në vetvete: futbolli modern ka nevojë për shifra dhe shkencë.
Por, njeriu i futbollit ku është? Ku është ai menaxher me instinktin e vjetër, me lidhjet e forta me akademitë europiane, me aftësinë për të njohur lojtarin e duhur jo nga tabela e statistikave, por nga syri dhe zemra? Ky profil duket se mungon në strukturën e re. Cardinale po vepron si inxhinier, por futbolli nuk është gjithmonë inxhinieri — është edhe art, edhe intuitë, edhe pasion i drejtpërdrejtë.
Ky Milan ka shumë pak siguri në skuadër, shumë pak siguri edhe si projekt. Dhe çdo ditë që kalon pa vendim të qartë, pa transferta dhe pa identitet taktik, është një ditë që largon Milanin nga aty ku duhet të jetë.
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
