Strategjia e merkatos kuqezi dhe trajneri Ruben Amorim gjatë stërvitjes in Milanello.

Milan, nuk ndalet Cardinale: po ndërton një ushtri prej 18 yjesh për të rrëzuar hegjemorinë e rivalëve

Një holding i ri financiar, 16-18 lojtarë të nivelit të lartë dhe një qendër e re stërvitore miliardëshe — pronari amerikan po përgatit goditjen më të madhe në historinë e fundit të kuqezinjve

Milanistat Organization Logo - Favicon M
5 Min Read

Të gjithë ata që mendonin se Gerry Cardinale do të kënaqej thjesht me një vend në Champions League, gabuan rëndë. Pronari i Milanit nuk e ka blerë Djallin thjesht për të bërë biznes të vogël. Dhe as për të pasur në duar një klub të mesëm me ambicie të kufizuara. Planet e tij për merkaton e Milanit janë një deklaratë lufte ndaj të gjithë atyre që e shohin klubin si një makinë për të bërë para pa investuar. Është bërë e njohur botërisht tashmë se pronari amerikan po ndërton një holding të re financiare të quajtur Milan Sports & Entertainment. E cila do të shërbejë si themeli ekonomik për të financuar blerje të mëdha dhe për të mbyllur hendekun me klubet e Premier League.

Në qendër të projektit qëndron një objektiv i qartë: krijimi i një bërthame prej 16 deri në 18 lojtarësh të cilësisë së lartë. Të cilëve do t’u shtohen talentë të rinj për t’u rritur dhe për t’u rishitur me fitim. Arritur në këtë pike pra, kemi të bëjmë me një ndryshim rrënjësor nga politika e viteve të fundit. Ku shpesh janë blerë lojtarë mesatarë vetëm për të mbushur boshllëqet.

Markus Krösche, njeriu që do të zbatojë vizionin

Për të kuptuar seriozitetin e këtij projekti, mjafton të shohësh se kë ka zgjedhur Cardinale për të drejtuar operacionet sportive. Markus Krösche, do të jetë Head of Football i ri i Milanit duke filluar nga janari, pas një negocimi të gjatë me Eintracht Frankfurt. Krösche nuk është një emër i rastësishëm. Në Gjermani njihet si “magjistari” që zbulon talentet para se ata të bëhen yje. Në mënyrë që të krijohen plusvlera të mëdha në merkato. Ai do të raportojë direkt tek Cardinale. Por do të ketë edhe fjalën e fundit në të gjitha negociatat kryesore.

Ky është një sinjal i qartë se epoka e vendimeve të shpërndara dhe të paqarta ka mbaruar. Struktura e re e Milanit parashikon një hierarki të qartë. Ku pronari amerikan do të jetë gjithmonë i përfshirë në vendimet strategjike. Ndërsa Krösche do të jetë ai që do të ekzekutojë.

Rinovimet, një tjetër front i hapur

Ndërkohë që merkaton e shohin si prioritet absolut, drejtuesit e kuqezinjve nuk kanë harruar të mbrojnë ata që tashmë janë në San Siro. Bisedimet për rinovimin e Adrien Rabiot janë në fazë të avancuar. Objektivi: për të zgjatur kontratën deri në vitin 2031. Si dhe për të përmirësuar pagën e francezit në rreth 5 milionë euro neto në sezon.

Një tjetër përparësi është Alphadjo Cissé. Talenti i ri që ka shpërthyer këtë sezon me gola të rëndësishëm. Tashmë ka tërhequr edhe vëmendjen e klubeve të Premier League. Milani i ka refuzuar të gjitha ofertat. Ai po përgatit një rinovim me rritje të ndjeshme në pagë për të siguruar të ardhmen e tij. Këto lëvizje tregojnë se projekti i Cardinale nuk është vetëm për blerje të reja. Por edhe për të mbajtur dhe vlerësuar asetet ekzistuese.

Një kritikë e ashpër ndaj status quo-së

Ajo që i jep tonin e veçantë këtij projekti është kritika e hapur ndaj mënyrës se si është drejtuar Milani në të shkuarën. Burime brenda klubit pranojnë se klima e mungesës së rezultateve e ka dëmtuar mentalitetin e klubit që historikisht është mësuar të luftojë për trofe. Cardinale duket se e ka kuptuar shumë gjëra. Pa një strukturë vendimmarrëse të qartë, pa lojtarë me personalitet të fortë dhe pa një prani politike në qendrat e pushtetit të futbollit italian, asnjë investim nuk do të japë fryte.

Merkatoja e Milanit, e janarit dhe e verës së ardhshme, do të jetë testi i parë i vërtetë i këtij vizioni. Bashkohu me familjen Milanistat.com  për të marrë lajmet më të fundit nga Casa Milan. Beteja për scudetto është e hapur deri në ditën e fundit. Nëse kuqezinjtë do të arrijnë të sjellin në Milano profilin e lojtarit të nivelit të lartë që i mungon prej vitesh, atëherë fjalët e pronarit do të kenë peshë. Nëse jo, do të mbeten thjesht slogane të bukura.


BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZAVE ROSSONERË MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>


Share This Article