Ne që kemi lindur me ngjyrat kuqezi të qepura në lëkurë, ne që kemi parë Barezin të ngrejë trofe me autoritetin e një mbreti dhe Maldinin të mbrojë nderin tonë në çdo fushë të botës, nuk mund të qëndrojmë më në heshtje duke parë se si po na shkatërrohet shtëpia nga ata që nuk e dinë as ku bie San Siro pa ndihmën e një navigatori. Milani nuk është një “brand” që mund të shitet nëpër markete e as një logo që mund të përdoret për të mbushur portofolet e ftohta të RedBird dhe Gerry Cardinale-s; Milani është një fe, është një ndjenjë e pastër që transmetohet nga babai te djali, është një histori e shkruar med gjak, djersë dhe shtatë Kupa Kampionësh që nuk mund të fshihen nga arroganca e një menaxheri që erdhi këtu pa e ditur as se çfarë përfaqëson ky klub për miliona njerëz në mbarë globin.
Kjo periudhë e fundit ka qenë një agoni e vërtetë, një fyerje e vazhdueshme ndaj inteligjencës dhe pasionit tonë, ku skuadra është zhveshur nga çdo ambicie e vërtetë fitoreje për t’u kënaqur me një vend të katërt që mbush arkat e tyre, por që zbraz zemrat tona të mësuara me lavdi të vërtetë. Na hoqën legjendat, na dëbuan ata që njihnin erën e barit dhe peshën e asaj fanelle, për t’i zëvendësuar me algoritme të ftohta dhe me deklarata qesharake ku na tregojnë se si duhet të sillemi dhe si duhet të gëzohemi sipas standardeve të biznesit amerikan. Kemi dy vite që jemi ktherrë në sy të të gjithëve, dy vite që tifozeria jonë e mrekullueshme është në protestë legjitime kundër një pronësie që na sheh si klientë e jo si shpirtin e këtij klubi, dhe e gjitha kjo ndodh ndërsa rivalët tanë qeshin dhe fitojnë tituj mbi gërmadhat e asaj që dikur ishte skuadra më e frikshme në planet.
Mungesa e identitetit dhe lufta e parave kundër pasionit
Ku mbeti ADN-ja jonë fituese? Si mund të pranojmë që suksesi i një sezoni të matet vetëm me fitimet kapitale dhe me vlerën e kartonit të lojtarëve në treg? Milanizmi nuk është një ushtrim matematikor. Kur shkojmë në stadium apo kur mblidhemi para ekranit, ne nuk numërojmë klikimet në rrjetet sociale apo shitjet e fanellave në Amerikë apo Azi. Ne kërkojmë të shohim dymbëdhjetë luanë në fushë që luftojnë për çdo metër katror, që nderojnë djersën e atyre që ndërtuan mitin tonë. Sot, në vend të kësaj, na servohet një projekt pa kokë dhe pa bisht, ku trajnerët dhe lojtarët zgjidhen përmes statistikave të ngurta të kompjuterave, duke injoruar tërësisht karakterin, udhëheqjen dhe peshën psikologjike që kërkon kjo fanellë.
Është një dhimbje e thellë të shohësh se si po na zbehet shkëlqimi në skenën ndërkombëtare. Ata që sot drejtojnë zyrën e Milanit duket se harrojnë që ky klub ka bërë epokë duke dominuar botën, jo duke bërë kalkulime të thjeshta mbijetese financiare. Po na kthejnë në një klub tranzit, në një trampolinë për talente të rinj që sapo shpërthejnë, shiten tek ofertuesi më i lartë për të gjeneruar fitime të pastra për pronarët. Ky nuk është Milani ynë; ky është thjesht një fond investimesh i maskuar me ngjyra kuqezi.
Koha për të reaguar
Nuk mund të pranojmë më premtime boshe nëpër konferenca shtypi të mbytura me zhargon korporatash. Tifozët e Milanit kanë treguar një durim të jashtëzakonshëm, duke mbushur San Siron javë pas jave, edhe atëherë kur skuadra lëngonte në fushë. Por besnikëria jonë nuk mund të keqpërdoret për të legjitimuar këtë dështim sportiv dhe kulturor. Ne nuk jemi konsumatorë të thjeshtë që blejnë një biletë apo një produkt; ne jemi pronarët legjitimë të historisë dhe të vlerave të këtij institucioni. Kur preket dinjiteti i Milanit, preket vetë identiteti ynë.
Zëri i Curva Sud dhe i çdo milanisti në mbarë botën duhet të jetë një uragan që shemb muret e kësaj arrogance menaxhiale. Duhet t’u kujtojmë këtyre zotërinjve të Wall Street se në Milano nuk jemi në një teatër ku thjesht duartrokitet; këtu jemi në tempullin e futbollit, ku kërkohet respekt, investim i vërtetë dhe, mbi të gjitha, kompetencë sportive.
Ne nuk duam një Milan që thjesht mbijeton nëpër bilance kontabël, ne duam Milanin tonë, atë që sulmon, atë që fiton, atë që bën Evropën të dridhet kur dëgjon himnin tonë të bukur. Është koha që ky komunitet i madh kuqezi të ngrejë zërin më fort se kurrë: ky klub duhet t’u kthehet njerëzve të tij, duhet t’u kthehet milanistëve të vërtetë që jetojnë dhe marrin frymë vetëm për këto ngjyra. Cardinale dhe shokët e tij duhet ta kuptojnë se pasioni ynë nuk është në shitje dhe se historia 126-vjeçare e Milanit nuk mund të menaxhohet si një kompani e thjeshtë marketingu. Kthejeni Milanin te milanistët, përpara se të jetë shumë vonë për të shpëtuar atë që ka mbetur nga shpirti ynë kuqezi! – milanistat.com 🔴⚫🔥
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
