Mirë, pra. Glasner. Le ta themi pa hezitim: Është zgjedhje e mirë. Është zgjedhje e dinjitetshme, e menduar, e bazuar në meritë reale. Një trajner që ka demonstruar se di të punojë, se di të ndërtojë, se di të nxjerrë më të mirën nga lojtarët, edhe atëherë kur rrethanat nuk janë ideale. Nuk është Mourinho, nuk është as Ancelotti, nuk është emri që do të bënte të mbaje frymën kur ta dëgjoje dhe që do t’i bënte gazetarët të vrapojnë drejt tastaturave me gishtat që t’ju dridhen — por është njeri serioz, metodike, me karakter të provuar. Dhe pas tri vitesh të kthyera me turp, pas tri viteve ku fjala “projekt” u bë sinonim i zhgënjimit, serioziteti ka vlerë diamanti…
Por ne, si milanistë, nuk mund dhe nuk duhet të kënaqemi vetëm me emrin e trajnerit. Sepse e kemi parë shumë herë këtë film, dhe e dimë si mbaron. Vjen trajneri i ri me entuziazëm, me ide, me fjalimet e para plot besim dhe ambicie — dhe pastaj, brenda pak muajsh, bie në të njëjtën grackë strukturore që ka tretur çdo projekt të fundit. Ndarjet e brendshme. Interferencat e atyre që nuk kanë titull formal por kanë influencë reale. Vendimet e merkatos të bëra jo me logjikë sportive, por me kompromise politike midis zyrave. Lojtarë të sjellë pa asnjë lidhje me stilin e lojës që trajneri ka në mendje. Deklarata publike që kontradiktojnë njëra-tjetrën, si thumba të hedhura me dashje për të destabilizuar.
Glasner ka nevojë — dhe ka të drejtë absolute — për një drejtor sportiv të fortë pranë tij. Jo si dekor, jo si emër në organigramë për t’i treguar shtypit se “struktura ekziston”, por si partner i vërtetë operativ, dikush që e kupton vizionin e tij dhe punon çdo ditë për ta realizuar. Nëse Freund vjen nga Bayern, ose Schäfer nga Leipzig, duhet të vijë me mandat të qartë dhe me autonomi reale — jo të zbulojë pas dy javësh se disa vendime janë marrë tashmë pa të, në korridore të errëta dhe takime pa procesverbal.
Ka nevojë që Rangnick, nëse do të marrë rolin e të plotfuqishmit të projektit, të ketë autoritetin real për të vendosur — jo vetëm titullin e bujshëm në kartëvizitë. Rangnick ka metodë, ka vizion sistemik, ka aftësinë e rrallë për të ndërtuar klube nga themelet. Por metoda e tij funksionon vetëm kur nuk has pengesë institucionale çdo herë që do të marrë një vendim të rëndësishëm. Nëse do të jetë “plenipotenciar” vetëm me fjalë, atëherë edhe ky projekt do të shuhet si kandili në erë.
Ka nevojë — dhe ky është ndoshta pika më delikate — që Ibrahimović të vendosë njëherë e mirë kush është dhe çfarë dëshiron të jetë brenda këtij klubi. Zlatan është legjendë. Është ikonë. Është një nga futbollistët më të mëdhenj që ka veshur ndonjëherë fanellën kuqezi. Asnjëri prej nesh nuk e harron atë dhe asnjëri nuk dëshiron ta harrojë. Por legjenda dhe drejtimi operativ i një klubi janë dy gjëra krejt të ndryshme, dhe shpesh herë të papajtueshme. Nëse Zlatan dëshiron të jetë pjesë e strukturës vendimmarrëse, le të jetë — me rol të qartë, me kompetenca të qarta e me përgjegjësi të matshme. Por nëse roli i tij do të mbetet ai i “zërit informal që influencon por nuk nënshkruan”, atëherë është problem i madh. Sepse klube të mëdha nuk drejtohen me influencë të papërcaktuar — drejtohen me struktura transparente dhe me hierarki funksionale.
Ne, milanistët e vërtetë — ata që kemi mbushur San Siro edhe kur reshte shi, edhe kur rezultati ishte 0–3 kundër një ekipi mediokër, edhe kur ndjehesha sikur zemra po rëndohej çdo herë që shihnim fanellën kuqezi të tundej pa shpirt — kemi duruar shumë. Shumë më tepër nga sa duhet duruar nga tifozët e një klubi me historinë dhe titujt e Milanit. Kemi duruar filozofitë pa substancë, ato fjalime të bukura mbi “futbollin e së ardhmes” dhe “projektin afatgjatë” që kanë mbetur thjesht retorikë e zbrazët. Kemi duruar trajnerë të larguar para kohe, para se të kishin mundësi të impononin stilin e tyre. Kemi duruar merkato të bëra me vonesë, me panik të fundit minutave, me lojtarë të gabuar në pozicione të gabuara dhe me kontrata skandaloze. Kemi duruar sezonin e kaluar — dhe shprehja “kemi duruar” është eufemizëm, sepse e vërteta është se kemi vuajtur.
Tani nuk duam vetëm një emër të ri. Duam sistem. Duam hierarki të qartë, me linja kompetencash të përkufizuara dhe me përgjegjësi dhe përgjegjshmëri të vërtetë — jo të llojit që sapo gjërat shkojnë keq të transferohet tek tjetri . Duam që nëse Glasner thotë “kam nevojë për një mesfushor me këto karakteristika”, ai mesfushor të vijë — jo dikush tjetër i blerë me zbritje sepse ishte “available” dhe “nuk dëmton buxhetin”. Duam merkato të bëra me kriter, jo me urgjencë. Duam që San Siro të kthehet vendi ku kundërshtarët tremben kur hyjnë, jo vendi ku tifozët tanë ulen me frikë se çfarë do t’i dhurojë spektakli i së dielës.
Dhe mbi të gjitha, duam të shohim një gjë të vetme, të thjeshtë, të papagueshme: unitet. Unitet institucional. Zëri i vetëm. Drejtim i qartë. Jo fragmente deklaratash të shpërndarë nëpër gazeta të ndryshme, ku secili drejtor thotë të tijën dhe secili ka agjendën e vet të fshehtë.
Glasner, mirë se erdhe në familjen kuqezi. Shpresojmë të jesh ai njeriu që ka nevojë ky klub. Por dije një gjë: ne nuk falim më herën e tretë. Durim ka fund, dhe yni ka arritur shumë pranë atij fundi. Kjo stinë duhet të jetë fillimi i diçkaje të vërtetë, të ndërtuar me kujdes dhe me kurajë — ose do të jetë edhe fundi i një epoke, e fillimi i një rebelimi tifozësh që askush nuk do ta dëshirojë.Forza Milan. Gjithmonë dhe pavarësisht gjithçkaje. Por tani — me kërkesa konkrete, jo vetëm me zemër.– milanistat.com 🔴⚫🔥
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
