Ekziston një vijë e hollë midis dashurisë për fanellën dhe tundimit për ta kthyer çdo paraqitje publike në gjyq të përhershëm. Zvonimir Boban, ish-mesfushori i Milanit, e kaloi këtë vijë në Festival dello Sport. Ai foli ashpër kundër ish klubit. Sipas tij, kuqezinjtë janë mësuar të jetojnë pa ambicie. Gjithashtu, ai tha se kënaqësia me kualifikimin në Champions League tregon se krerët aktualë të klubit nuk e kanë kuptuar akoma historinë që bartin. Fjalët bënë zhurmë të madhe mes tifozëve. Por, kritika e tij nuk është e vetmja e llojit të saj. Janë shumë ato legjenda rossonere që duket se e kanë zgjedhur klubin si shënjestër të lehtë. Arritur në këtë pike lind një pyetje e drejtë: a ndihmon kjo klubin, apo vetëm ushqen nostalgjinë? Përgjigjja kërkon pak qetësi dhe shumë kontekst.
Boban, rreziku i nostalgjisë si gjykim absolut
Kritika është e ligjshme, sidomos kur vjen nga dikush që e ka veshur këtë fanellë dhe me të është bërë i madh. Boban e nderoi atë fanellë dhe ndihmoi të ndërtohej madhështia e saj. Megjithatë, tek ish-kampionët po bëhet pothuajse automatike një skemë e njohur. Kur diçka nuk funksionon, fajësohet menjëherë drejtimi. Çdo dështim për të fituar në mënyrë të rrufeishme shihet si humbje e identitetit, ndërsa mosndjekja e modeleve të së kaluarës nga ana e pronarëve interpretohet si mungesë ambicie.
Ky lexim është tepër i thjeshtë. Milani i sotëm mund të kritikohet për shumë zgjedhje: për merkaton, për menaxhimin, për komunikimin dhe ndërtimin teknik. Gjithçka është e pranueshme. Por të thuash se klubi ka humbur plotësisht ambicien do të thotë të injorosh faktin se sa ka ndryshuar futbolli evropian që nga vitet nëntëdhjetë.
Milani i Bobanit jetonte në një epokë tjetër. Atëherë strukturat ekonomike dhe pronarët ishin ndryshe. Veç kësaj, marrëdhëniet e forcës favorizonin shumë më tepër klubet e mëdha. Sot garimi i qëndrueshëm për Champions League është një betejë shumë e vështirë. Kjo nuk do të thotë të kënaqesh me pak. Do të thotë të njohësh kontekstin.
Pikërisht këtu disa deklarata humbasin vlerën. Fjalia “Milani është Milani” tingëllon bukur dhe ndez menjëherë nostalgjinë. Megjithatë, pas saj duhet shpjeguar se si mund të kthehet klubi në ato nivele. Cilat burime do të përdoren, përmes çfarë strukture dhe me çfarë strategjie konkrete? Pa këtë shpjegim, ajo mbetet thjesht slogan.
Gjuetia e ishëve që po kthehet në zakon
Por kjo shkon përtej Bobanit. Prej kohësh, shumë ish-rossonerë të famshëm flasin për Milanin pothuajse vetëm për të theksuar të metat. Kjo është e kuptueshme. Kush ka jetuar sezone të papërsëritshme, i krahason natyrshëm të gjitha med atë nivel.
Megjithatë, krahasimi rrezikon të bëhet i padrejtë. Të ruash historinë është një gjë. Ta përdorësh vazhdimisht si armë kundër së tashmes është një tjetër. Milani nuk duhet të heqë dorë nga synimi për të fituar. Për këtë nuk ka diskutim. Por jo çdo sezon pa trofe përbën dështim identitar. Po ashtu, jo çdo zgjedhje ndryshe nga e kaluara tregon tradhti ndaj ADN-së së klubit.
Kur kritika bëhet sistematike, ajo humbet fuqinë. Pastaj, kur çdo intervistë e një ish-kampioni mban një gjuajtje ndaj klubit, lind përshtypja se gjuetia është kthyer në disiplinë zyrtare.
Kritika e Bobanit dhe nevoja për ekuilibër
Boban ka çdo të drejtë të jetë kërkues ndaj Milanit. Ndoshta e bën pikërisht sepse e ndjen ende klubin si pjesë të historisë së vet. Për këtë arsye, fjalët e tij do të kishin edhe më shumë peshë me pak ekuilibër.
Milani i sotëm nuk është i përsosur. Pronësia ka mangësi, drejtimi ka mangësi dhe projekti teknik ka mangësi. Megjithatë, ta ngushtosh gjithçka te mungesa e ambicies është tepër e komode.
LEXO EDHE:
Historia rossonera meriton respekt. E tashmja, nga ana tjetër, meriton të gjykohet për atë që është, jo vetëm për atë që ende nuk arrin të bëhet. Ndoshta ish-kampionëve u bën mirë ta kujtojnë herë pas here një të vërtetë: të duash një skuadër do të thotë edhe ta kritikosh, pa e kthyer çdo herë në shënjestrën më të lehtë.
Tifozët rossonerë mund t’i ndjekin të gjitha lajmet më të fundit nga Casa Milan vetëm në Milanistat.com. Debati mbetet i hapur, por klubi kuqezi vazhdon rrugën e vet.


