“WANTED LEAO”: në qendër të stuhisë! Milani pret shpërthimin, kundërshtarët dështimin!

Gjatë këtyre ditëve të pauzës së detyrueshme për shkak të ndeshjeve të kombëtareve kudo nëpër botë, siç pritej ka ardhur momenti i Rafa Leaos! Po, sepse si gjithmonë ndodh në kësi raste, mediat dhe analistët duan shkak dhe “punë”. Dhe po, sepse portugezi gjendet në një nga momentet më delikate të karrierës së tij te Milani: i kritikuar nga ish‑kampionë, i mbrojtur nga klubi, i vëzhguar nga tifozët dhe i detyruar të rikthehet në formë për një kalendar që nuk fal. Ndërkohë, polemikat për penalltitë, analizat taktike dhe frika e humbjes së vendit të dytë shtojnë tensionin në një ambient ku çdo detaj peshon si një cope shkëmbi

Milanistat
5 Min Read

Riflettorët janë kthyer sërish mbi Rafa Leaon, një talent i jashtëzakonshëm, por me një shpirt të brishtë që në këtë periudhë po përballet me një stuhi kritike nga të gjitha anët. Në një Milan që kërkon stabilitet, shpërthim dhe personalitet, portugezi duket sikur ka humbur shkëlqimin që e bëri një nga lojtarët më vendimtarë të Serie A. Pauza e kombëtareve vjen si oksigjen për të, një mundësi për të rikarikuar bateritë e një motori që prej kohësh po punon nën ritëm.

Nuk është hera e parë që Leao përfshihet në qendër të debatit. Pas Cassanos, tani edhe Di Canio ka hedhur benzinë në zjarr, duke e vendosur sulmuesin në një pozitë ku çdo lëvizje analizohet me lupë. Por historia e futbollit është e mbushur me raste të ngjashme: Brera kundër Riverës është shembulli klasik i kritikës së ashpër ndaj kampionëve. Megjithatë, përtej fjalëve, problemi i vërtetë lidhet me gjendjen fizike dhe mendore të Leao-s.

Ai u ndal edhe në shkurt, gjatë pauzës së shkaktuar nga Milano‑Cortina, por ajo periudhë nuk e dha efektin e pritur. Tani, me bashkëpunimin e kombëtares portugeze, Milani ka vendosur ta mbajë sërish jashtë sfidave për ta rikthyer në maksimum kundër Napolit. Dhe pikërisht këtu qëndron edhe sfida e vërtetë: Leao duhet të paraqitet në formën më të mirë për të rikuperuar kredibilitetin që i takon, për veten dhe për të ardhmen e tij. Postimi i tij i fundit – “Koha është përgjigjja” – tingëllon bukur, por koha po i mbaron.

Polemikat e penalltive – një debat absurd që nuk shuhet

Në rrjetet sociale prej ditësh qarkullon një teori e çuditshme: nëse Juventusi nuk do të kishte humbur dy penallti vendimtare kundër Lecce dhe Sassuolo dhe nëse Milani do të kishte gabuar dy të tjera, sot të dy skuadrat do të ishin me pikë të barabarta. Një llogari e thjeshtë, por e mangët. Sepse edhe Milani ka humbur një penallti – pikërisht kundër Juves – me Pulisic, në një ndeshje që përfundoi në barazim.

Pra, kalkulimi duhet rishikuar. Por kjo nuk është hera e parë që lind një narrativë e tillë. Pas derbit të kthimit u tha: “Me portierë të ndërruar, ndeshja do të kishte përfunduar ndryshe”. Pas Torino‑Milan 2‑3, me Pulisic të rikthyer nga gripi, u dëgjua: “Falë aspirinës!”. Tani, me penalltitë, duket se disa tifozë kanë nevojë për specialistë të sëmundjeve nervore. Sepse futbolli nuk është matematikë e thatë, dhe këto teori nuk i shërbejnë askujt.

Analiza e Costacurtës dhe frika e kalendarit – Milani në provën e së vërtetës

Shumë më interesante është analiza e Costacurtës, e cila mbështetet nga të dhëna: Milani ka një ritëm të lartë fizik në çerekun e fundit të ndeshjeve. Allegri e ka thënë shpesh – edhe pse vetë nuk shkëlqen me zëvendësimet – se kuqezinjtë janë të freskët në minutat e fundit, gjë që shpesh u jep avantazh.

Kjo freski, megjithatë, ka sjellë edhe gabime. Kundër Lazios, Milani u hodh përpara në pjesën e parë, duke shkelur planin e trajnerit, dhe u ndëshkua në kundërsulm nga Estupiñan. Në pjesën e dytë nuk arriti të rikuperonte. Pyetja që lind është: a do të vlejë kjo energji edhe pas ndeshjes me Napolin? Sepse me Conten përballë, nëse e lë të ikë, nuk e kap më.

Dhe këtu hyn në lojë kalendari. Pas Napolit, Milani përballet me Sassuolon, Juventusin dhe Atalantën – një seri pengesash të larta që mund të rrezikojnë vendin e dytë. Allegri e di këtë, prandaj shikon pas shpine dhe jo drejt ëndrrave të titullit. Sepse vetëm Conte mund të trazojë qetësinë e kampit zikaltër.

Në këtë panoramë të tensionuar, Leao mbetet figura kyçe. Milani ka nevojë për versionin më të mirë të tij, jo vetëm për ndeshjen e radhës, por për të gjithë sprintin final. Koha është përgjigjja, thotë ai. Por në futboll, koha nuk pret askënd.


BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>



Share This Article