Milani i sheh si çelësin e rilindjes ofensive. Niclas Füllkrug dhe Christopher Nkunku kanë mbërritur në Milanello me etiketa të rëndësishme, por edhe me barrën e pritshmërive të mëdha.
Pritjshmëri të mëdha, përgjigje ende të pakta
Në pjesën e dytë të sezonit, kuqezinjtë presin që të dy të japin një kontribut real përpara portës, sepse statistikat aktuale nuk pasqyrojnë aspak atë që këta lojtarë kanë qenë vetëm tre vite më parë.
Në sezonin 2022–2023, të dy ishin mbretërit e golit në Bundesligë, duke fituar titullin e kapocannonierit me nga 16 gola, përkatësisht me Werder Bremen dhe RB Leipzig. Sot, realiteti është shumë më i ashpër.
Dy histori, një domosdoshmëri: të gjejnë sërish veten
Füllkrug dhe Nkunku janë të bashkuar nga një nevojë urgjente: të gjejnë rolin dhe besimin në skenën kuqezi.
Sulmuesi gjerman ka ardhur nga West Ham në formë huazimi me të drejtë blerjeje. Fati i tij është tërësisht në këmbët e veta dhe ai vetë do të dëshironte shumë të qëndronte në Milano edhe pas semestrit të parë të vitit 2026.
Ndryshe është situata e Nkunkut. Francezi u ble në verë përfundimisht dhe ishte investimi më i shtrenjtë i Milanit në merkaton e vitit 2025. Edhe ai nuk dëshiron ndarje nga Milani, por – ndonëse ka nisur të “ndezë motorët” – ende nuk e ka bindur plotësisht drejtuesit.
Shifrat që shqetësojnë Milanin
Ka edhe një tjetër element që i bashkon të dy: mungesa e golave. Në katër muaj e gjysmë sezoni, Füllkrug dhe Nkunku kanë shënuar vetëm tre gola gjithsej. Madje, më saktë, ka shënuar vetëm njëri: Nkunku.
Füllkrug ka lënë Londrën pa asnjë gol, një bilanc i varfër për një qendërsulmues tipik. Nkunku, i cili nuk ka lindur si “numër 9” por është shndërruar në të tillë, ka treguar sinjale pozitive, por ende larg standardeve të tij më të mira.
Duke parë të kaluarën e afërt, ky bilanc bën edhe më shumë zhurmë.
Rikthimi në Gjermani: sezoni i artë 2022–2023
Për të kuptuar pse Milani investoi tek ai, mjafton të kthehemi tre vite pas. Sezoni 2022–2023 në Bundesligë ishte kulmi për të dy.
Füllkrug, me Werder Bremen (që e mbylli kampionatin në vendin e 13-të), u shpall kryegolashënues duke u bërë lojtari i parë i Werderit që fitonte këtë titull pas Miroslav Kloses në sezonin 2005–2006 – një detaj simbolik, duke qenë se edhe Klose ishte një blerje e dikurshme e Igli Tares te Lazio.
Ai shpërthim i hapi Füllkrugut dyert e kombëtares gjermane dhe e çoi deri në Kupën e Botës, të zhvilluar atë vit në dimër. Ironikisht, pak javë para nisjes së atij sezoni, ai kishte pranuar edhe një ulje page për të rinovuar kontratën.
Rruga e vështirë drejt titullit të golashënuesit
Edhe ai sezon i artë kishte hije. Füllkrug e mbylli kampionatin pa shënuar në shtatë javët e fundit, pesë prej të cilave i humbi për shkak të një problemi në pulpë. Titulli i kapocannonierit mbeti, por mbeti edhe ndjesia se mund të kishte qenë diçka edhe më e madhe.
Nga ana tjetër, Nkunku e arriti Füllkrugun pikërisht në javën e fundit, duke shënuar një dopietë ndaj Schalke 04. Goli i dytë? Në sekondën e fundit të kohës shtesë. Një moment dramatik, tipik për një lojtar vendimtar.
Problemet fizike, armiku i përbashkët
As Nkunku nuk pati një sezon pa pengesa. Pas një nisjeje shpërthyese me 12 gola në 14 ndeshjet e para, ai u ndal nga dëmtimet: fillimisht një lezion në ligamentin kolateral, më pas një tërheqje muskulore që e mbajti gjatë jashtë fushës.
Pavarësisht kësaj, francezi hyri në histori si lojtari i parë dhe deri tani i vetmi i Leipzigut që ka fituar titullin e kryegolashënuesit në Bundesligë.
Milani si shans i fundit për rilindje?
Sot, tre vite më vonë, Füllkrug dhe Nkunku janë larg atij niveli, por jo nga ambicia për t’u rikthyer aty. Milani përfaqëson për të dy një rrugë rilindjeje, një skenë prestigjioze ku mund të rishkruajnë historinë e tyre.
Pjesa e dytë e sezonit do të jetë vendimtare: ose do të rikthehen “mbretër të golit”, ose do të mbeten kujtime të bukura të Bundesligës. Për Milanin, shpresa është që San Siro të bëhet vendi ku të dy e gjejnë sërish veten.
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
