Te Milani po diskutohet fort një emër që zgjon emocione, kujtime dhe respekt absolut: Thiago Silva. Po, pikërisht ai, ish-kapiteni i mbrojtjes që dikur ishte shtylla e fundit e murit rossoner dhe që sot, në moshën 41-vjeçare, pas një sezoni të plotë dhe bindës me Fluminense, dëshiron të rikthehet në Europë për të luajtur shansin e fundit drejt Botërorit me Brazilin. Për ga pikëpamja fizike askush nuk ka dyshime: Thiago Silva ka luajtur rregullisht, ka udhëhequr, ka treguar se klasi nuk plaket. Por futbolli modern nuk jeton vetëm me romantizëm.
Ideja që lind nga ambicia Scudetto dhe bekimi i çiftit Tare–Allegri
Mendimi për Thiago Silva-n lind nga një nevojë konkrete: Milani kërkon një shtysë të fortë për mbrojtjen, një lider absolut që ta çojë repartin në një nivel “titulli”. Igli Tare, arkitekti i operacioneve të mëdha dhe njeriu që solli Modrić-in, po e vlerëson seriozisht këtë pistë së bashku me klubin. Edhe Massimiliano Allegri, nga ana e tij, do ta pranonte pa hezitim një profil të tillë. Por, përballë entuziazmit teknik, qëndrojnë dy pengesa të mëdha që e bëjnë Milanin të ndalojë e të mendojë dy herë.
Anagrafia, si mur i parë: filozofia e RedBird kundër rikthimit në të kaluarën
Problemi i parë është i dukshëm dhe quhet moshë. Thiago Silva është një vit më i madh se Modrić, e nëse për kroatin u bë një përjashtim i madh, kjo nuk do të thotë se politika e RedBird ka ndryshuar. Gerry Cardinale dhe Giorgio Furlani e kanë të qartë prioritetin: një bilanc i shëndetshëm, investime me potencial rishitjeje, zero lëvizje sentimentale. Shembujt janë të freskët: shitjet e Reijnders, Thiaw e të tjerëve tregojnë se projekti financiar vjen para nostalgjisë. Nuk është çështje rroge – Thiago Silva do të pranonte edhe një kontratë 6-mujore me shifra minimale – por çështje parimi dhe strategjie.
Rreziku i padukshëm: të mos prishen ekuilibrat e mbrojtjes së Allegri-t
Pengesa e dytë është edhe më delikate, por ndoshta edhe më e rëndësishme. Allegri, muajt e fundit, ka ndërtuar një ekuilibër solid me Tomori, Gabbia dhe Pavlovic. Pas tyre qëndron De Winter, një luks i vërtetë nga pankina, një mbrojtës që do të ishte titullar në shumë skuadra të mëdha të Serie A. Më tej është Odogu, ende i papjekur sipas trajnerit, i dërguar me Milan Futuro për të rritur minuta dhe përgjegjësi. Në këtë kontekst, ardhja e Thiago Silva-s me statusin e kampionit që synon Botërorin, rrezikon të trazojë hierarkitë e ndërtuara me kujdes.
Mes ambicies dhe koherencës: zgjedhja që tregon fytyrën e vërtetë të Milanit
Siç nënvizohet edhe kolegët e të përditshmes sportive Corriere dello Sport, frika e Milanit është e qartë: një blerje e madhe në janar mund të prishë më shumë sesa të ndihmojë. Por ky diskutim vlen për çdo përforcim të rëndësishëm. Nëse në fund kjo linjë do të konfirmohet, mesazhi do të jetë i qartë: Milani nuk kërkon një titullar të ri për mbrojtjen, por vetëm një rezervë – dhe kjo, për një skuadër që synon Scudetto-n, nuk do të kishte kuptim.
Thiago Silva është aty, si një tundim i madh, mes nostalgjisë dhe racionalitetit. Një emër që ndez zemrën e tifozëve, por që i vë drejtuesit përballë pyetjes më të vështirë: a fitohet titulli me kujtime, apo me ekuilibra të ruajtur me fanatizëm?
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
