Duhej të ishte dita e Davide Bartesaghit. Duhej të ishte mbrëmja e një talenti që shpërthen, e një mbrojtësi të ri që firmos dy gola kundër Sassuolos dhe i jep Milanit energji, shpresë, perspektivë.
- Dy gola, një mbrëmje që duhej të ishte festë… por u shndërrua në aktakuzë
- Allegri pa zgjedhje: kur një mesfushor bëhet sulmues, atëherë ka probleme
- Skuadra e shkurtër nuk është virtyt: është një bumerang që kthehet gjithmonë
- Një “nëntë” e vërtetë ose asgjë: Scudetto nuk fitohet me improvizime
- Mbrojtja në alarm: De Winter nuk bind, Gabbia tremb, emergjenca është konstante
- Maignan, muri i fundit… dhe ora po numëron mbrapsht
- Saelemaekers, rinovimi tjetër që po piqet në heshtje
- Verdikti është i qartë: janari nuk është opsion, është domosdoshmëri
Dy gola, një mbrëmje që duhej të ishte festë… por u shndërrua në aktakuzë
Por futbolli, sidomos ai i niveleve të larta, nuk njeh romantizëm kur realiteti është më i fortë se emocionet. Barazimi 2-2 i radhës e gëlltiti gjithçka. Sepse mbi “San Siro” (ose mbi çdo stadium ku luan ky Milan) ra sërish hija e madhe: një skuadër e shkurtër, e cunguar, e pambrojtur nga emergjencat.
Bartesaghi shkëlqeu, por Milani jo. Dhe kjo është fotografia më e qartë e momentit ku ndodhet Djalli.
Allegri pa zgjedhje: kur një mesfushor bëhet sulmues, atëherë ka probleme
Ka një moment në çdo sezon ku edhe justifikimet mbarojnë. Ai moment ka ardhur. Kur një trajner si Allegri, jo një novator i çmendur por një pragmatist i thekur, detyrohet të rreshtojë Loftus-Cheek si sulmues i parë, jo për surprizë taktike por për mungesë absolute alternativash, atëherë problemi nuk është më forma, por ndërtimi i skuadrës.
Stoli bosh. Zero zgjidhje. Zero impakt nga pankina.
Ky Milan paguan çdo ndeshje çmimin e një organike të ndërtuar “me bilanc”, jo me ambicie. Dhe ambicia, nëse flasim për Scudetto, nuk mund të jetë teorike.
Skuadra e shkurtër nuk është virtyt: është një bumerang që kthehet gjithmonë
Ideja e “organikës së shkurtër, kompakte, e të bashkuar” ka qenë për muaj me radhë një narrativë e mbrojtur. Por faktet e kanë rrëzuar.
Pesë sulmues për dy vende janë luks? Jo. Janë nevojë moderne. Janë konkurrencë në stërvitje, janë alternativa taktike, janë municion për finalet e ndeshjeve në epokën e pesë zëvendësimeve.
Sassuolo hodhi në fushë gjashtë sulmues. Milani uli kokën dhe mbrojti veten me frikë. Dhe aty lindi zilia sportive.
Sepse kur Leao rrezikon, Pulisic është në 50%, rrjedhimisht edhe zgjidhja është të ulësh ekipin duke futur Ricci për të mbrojtur një 2-1sh për 25 minuta… atëherë je duke luajtur me zjarrin. Dhe shpesh digjesh.
Një “nëntë” e vërtetë ose asgjë: Scudetto nuk fitohet me improvizime
Pavarësisht së ardhmes së Santiago Gimenez, duhet patjetër një tjetër sulmues fizik. Pa “nëse” dhe pa “por”. Fullkrug mbetet një emër konkret, i arritshëm, funksional.
Pa një referencë të vërtetë në zonë, ky Milan actual është shumë i parashikueshëm, i lehtë për t’u neutralizuar dhe i varur nga shpërthimet individuale.
Scudetto nuk fitohet me bilanc, por me thellësi. Dhe kjo skuadër, sot, vetëm thellësi nuk ka.
Mbrojtja në alarm: De Winter nuk bind, Gabbia tremb, emergjenca është konstante
Problemi nuk ndalet te sulmi. Edhe prapa ka çarje.
Shpresat janë që Gabbia të mos ketë pësuar diçka serioze, sepse alternativat janë të pakta dhe jo bindëse. De Winter, edhe ndaj Sassuolos nuk dha siguri dhe në golin e 2-2 përgjegjësitë janë të qarta.
Historia e këtij sezoni deri më tani ka një vijë të kuqe: dëmtimet që e ndjekin këmba – këmbës Milanin. Dhe Allegri nuk mund të bëjë gjithmonë “dasma me fiq të thatë”.
Nga Milan Futuro nuk vjen ndihmë reale. Thirrjet janë simbolike, për të mbushur listën, jo për të ndryshuar fatin e ndeshjeve.
Maignan, muri i fundit… dhe ora po numëron mbrapsht
Edhe dje Mike Maignan ishte aty. Vendimtar. I vendosur. Lider!
Por çështja nuk është vetëm fusha. Është kontrata.
Milani ka bërë lëvizjen e tij: i ka hapur derën rinovimit, gati ta bëjë lojtarin më të paguar të skuadrës, në të njëjtin nivel me Rafa Leao. Një sinjal i fortë, i qartë, i drejtpërdrejtë.
Tani topi është te Maignan. Ka 30-40 ditë për të vendosur. Por edhe 8 milionët e kërkuar janë shumë, shumë!
Në prapaskenë qëndron hija e agjentit Jonathan Kebe, dhe historia na ka mësuar – rasti Donnarumma mbi të gjithë – se interesat mund të ndryshojnë rrjedhën.
Mesazhi i klubit është i prerë: deri në fund të janarit duhet përgjigje. Ndryshe, Milani do të nisë konkretisht kërkimin për zëvendësuesin.
Saelemaekers, rinovimi tjetër që po piqet në heshtje
Mes shumë zjarreve, është edhe një dosje më e qetë. Ajo e Alexis Saelemaekers.
Me kontratën në skadencë më 2027, dialogët janë në rrugë të mbarë dhe fillimi i 2026 pritet të sjellë akordin përfundimtar. Një rinovim strategjik, pa drama, as ultimatume.
Verdikti është i qartë: janari nuk është opsion, është domosdoshmëri
Ky Milan nuk është i dobët. Por i paplotë.
Talente ka. Trajnerin e ka. Ambicien e shpallur e ka.
Ajo që mungon është guximi për ta ndihmuar realisht skuadrën.
Skuadra e shkurtër nuk mban më. Teza ka rënë nga ajo që tregon fusha.
Tani fjala i kalon merkatos. Dhe janari do të tregojë nëse Milani dëshiron vërtet të luftojë për majën… apo të kënaqet duke numëruar rastet e humbura.
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
