Pas pesë sezonesh te Juventusi, Adrien Rabiot ka zgjedhur një aventurë të re në Serie A, duke nënshkruar me Milanin në orët e fundit të merkatos verore. Një transferim aspak i garantuar për mesfushorin francez, i cili e komenton kështu ndryshimin:
“Pas pesë vitesh te Juventusi, nuk është gjë e vogël të luash për Milanin. Në Torino ishin vite të rëndësishme për karrierën time, vite që i mbaj në zemër. Por jam i lumtur që jam rikthyer në Itali dhe te Milani, një tjetër klub mitik. Edhe këtu ka shumë pasion. Dhe kemi shumë ambicie”.
Një nga elementët që e bëri më të natyrshëm kalimin është prania e Massimiliano Allegrit, tani në stolin Rossoner. Midis të dyve ka pasur gjithmonë një respekt të ndërsjellë të madh:
“Me Allegrin kam pasur gjitmonë një marrëdhënie të mirë. Jemi të ngjashëm dhe e çmoj shumë njerëzisht. Kemi folur dhe shkruar shpesh, madje edhe sezonin e kaluar. Pastaj me Milanin kishte kontakte që vjet, por asgjë nuk ndodhi.
Këtë verë, bënë përpara në fillim të verës dhe u rikthyen sërish pas problemit në Marsejë. Ishte momenti i duhur për të gjithë.
A është Allegri më i vendosur sesa ishte në vitin tuaj të fundit te Juventusi? Ka qenë gjithmonë shumë i vendosur. Është një fitues. Ka gjithmonë uri për fitore dhe shumë pasion.
Kjo më pëlqen, sepse edhe unë i tillë jam. Nuk besoj që kërkon hakmarrje, sepse është një trajner që ka fituar shumë dhe është i respektuar në botën e futbollit.
Mendoj se ka dëshirë të tregojë se ka aftësinë të udhëheqë një skuadër drejt fitores. E nëse Milani e mori, është sepse e dinë se mund të bëjë gjëra të mëdha”.
Determinant, në ardhjen e tij te Milani ishte Mike Maignan, mik i ngushtë i Rabiot:
“Më pati folur shumë mirë. Kishte të drejtë”.
Një tjetër figurë që e ka impresionuar thellë mesfushorin francez është Luka Modric, i cili vazhdon të çudisë me përkushtimin dhe me gjendjen e tij fizike:
“Nuk jam i befasuar nga angazhimi dhe profesionalizmi i tij, përndryshe nuk do të ishte në këto nivele në moshën e tij.
I befasuar jam sepse në dyzet vjeç, është e pabesueshme ajo që bën. Është një që vazhdon të japë gjithçka në ndeshje dhe në stërvitje. Një shembull i vërtetë për të gjithë. Të luash deri në 40 vjeç si ai? Është një frymëzim, por pastaj varet nga faktorë të ndryshëm: fiziku, dëmtimet.
Me siguri Modric ka një pasion të madh. Dhe është pasioni forca motori për gjithçka. Pastaj, ai është i lumtur të vazhdojë të stërvitet fort dhe të luajë”.
Nuk mungon një mendim për Rafael Leaon, ndër talentet më të përfolur në skuadër:
“E di që flitet shumë për të. Është një lojtar me potencial, por 26 vjeç, nuk je më i ri. Në moshën e tij, nuk ke kohë për të humbur. Koha fluturon.
Do të ishte mëkat po të mbetej vetëm një lojtar potencialisht i madh. Shpresoj ta kuptojë se ka mjetet për të konkurruar me më të fortët. Por ndoshta nuk e ka vullnetin apo pasionin e një Modric.
Leao duhet ta pyesë veten se ku dëshiron të shkojë, nëse është i kënaqur kështu, apo objektivi i tij është të bëhet ai që mund të jetë.
Për ne do të ishte një mëkat, sepse do të ishte humbje e madhe nëse nuk do të arrinte potencialin e plotë dhe nuk do të përqendrohej 100% në punën e tij.
Allegri di si të nxjerrë më të mirën nga lojtarët. Shpresoj të ketë një ndikim pozitiv edhe tek ai. Ndoshta për Leaon është mundësia e duhur”.
Lidhur me luftën për Scudetton, Rabiot nuk ka dyshime: Milani mund të luftojë deri në fund, pavarësisht konkurrencës së ashpër:
“Kush po lufton për Scudetton? Si zakonisht, shumë ekipe. Të shohësh Romën kaq lart është paksa surprizë. Napoli mbetet më i forti. Interi është italiania që ka bërë më mirë në Evropë deri më tani, dhe ndryshe nga ne, kanë avantazhin e të luajturit së bashku prej kohësh. Nuk është e pamundur krijimi i dinamikës së duhur.
Te Juve ka cilësi, por më pak se Napoli apo Interi; u mungon ende alkimia për Scudetton. Do të luftojnë për zonën Champions.
E sigurt që ne do të luftojmë deri në fund, dhe shpresoj ta fitojmë përsëri Scudetton, sepse atë Juventusit nuk e celebruam denjësisht për shkak të Covid. Këtë herë, do të doja të festoja me të gjithë tifozët në shesh”.
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
