Seria A ka ndalur për shkak të ndeshjeve të kombëtares dhe për shumë është koha e bilanceve. Në këto tetë ndeshje të para ka pasur surpriza dhe zhgënjime, si çdo vit, dhe ndër zhgënjimet më surprizë mund të quajmë Lazion.
Skuadra e Maurizio Sarrit pati një fillim të ngadaltë, pavarësisht se në ndeshjen e fundit mundi Atalantën. Megjithatë, biankocelestët janë ende në anën e djathtë të tabelës me vetëm 10 pikë të grumbulluara dhe për këtë nisje false arsyet janë më shumë se një. Mes tyre është edhe dështimi i deritanishëm i sulmuesit dhe kapitenit Ciro Immobile, i cili ka shënuar vetëm 2 gola dhe disa paraqitje negative në javët e fundit.
Sulmuesi i Torre Annunziata, i cili mban rekordin e golave në historinë e Lazios, nuk po kalon një moment të lehtë dhe pikërisht për këtë ka folur në një intervistë të gjatë për kolegët e Il Messaggero, në të cilën tregoi edhe për hipotezën arabe: “Është një zgjidhje që e pata menduar këtë verë kur erdhën disa oferta, por më pas vendosa t’i refuzoja për kombëtaren dhe Champions League. Pas një fillimi të tillë të kampionatit, i bëra vetes disa pyetje, sidomos pas kritikave të disave, fatmirësisht jo të gjithëve, që nuk e panë dhe vlerësuan gjestin tim, por menjëherë më treguan faturën”.
Immobile nuk është më i sigurt për të qëndruar te Lazio
Immobile konfirmoi se kritikat e marra nga tifozët e tij, prej tij të konsideruara të padrejta, e kanë vënë në vështirësi të mëdha në këtë periudhë dhe e kanë vënë me dyshime për të ardhmen e tij.
“Kjo më lëndon, madje më bën të lëkundem. – shpjegon më tej numri 17 i Shqiponjave – Dhe tani mendimet e mia nuk janë më si në korrik. Disa ditë, kur isha më shumë i rënë moralisht, mendova ‘Do të ishte më mirë të largohesha’. Ta mbyll karrierën time te Lazio? Po e mendoj prej një farë kohe. Tani do të thoja jo sepse jam në një periudhë negative. Më parë isha shumë i bindur dhe tani jam pak më pak. Nuk e di çfarë do të ndodhë në janar apo qershor”.
Nga deklaratat e tij kuptohet se për momentin qëndrimi i tij te Lacio nuk është më aq i padiskutueshmë sa dikur dhe se nëse gjërat nuk përmirësohen, ka mundësi që qendërsulmuesi të vendosë të largohet nga kryeqyteti. Kështu, mbetet për t’u kuptuar se çfarë do të ndodhë në muajt e ardhshëm, ndërkohë që pas këtyre fjalëve, sigurisht, disa klube që kanë filluar të monitorojnë situatën, me zgjidhjen e Arabisë Saudite që mbetet më e mundshmja për momentin.