Sentenca e Arrigo Sacchi-t: “Ky Milan është për scudetto”! Por me një paralajmërim: “Një sulmues nevojitet si buka”

Ish-trajneri legjendar analizon përmbysjen e çmendur në Torino dhe lëshon paralajmërimin për rivalët: "Allegri ka avantazhin e madh të kalendarit, por në janar duhet ndërhyrje urgjente. Pa një sulmues të ri, nuk shkohet askund. Nëse vjen 'bomberi', në pranverë i shohim të gjithë nga pas"...

Milanistat
4 Min Read

Arrigo Sacchi nuk fshihet pas gishtit. “Profeti i Fusignanos”, njeriu që revolucionarizoi futbollin, ka folur hapur nëpërmjet kolonave të të përditshmes së madhe sportive ‘La Gazzetta dello Sport’. Pas fitores së madhe me përmbysje 2-3 në shtëpinë e Torinos, në javën e 14-të të Serie A, 2025-2026, ish-timonieri i kuqezinjve ka dhënë verdiktin e tij: Milani është zyrtarisht në garë për titull.

Për Sacchin, dueli me Napolin dhe Interin nuk është më një mirazh, por një realitet i prekshëm. “Duhet ta marrim seriozisht Djallin kur bëjmë parashikime për Skudeton,” shkruan ai, duke analizuar fitoren e djemve të Massimiliano Allegrit ndaj skuadrës së Marco Baronit.

FAKTORI “X”: AVANTAZHI I FRESKISË FIZIKE

Sipas Sacchit, arma sekrete e Milanit nuk është vetëm taktika, por kalendari. Fakti që kuqezinjtë janë jashtë kompeticioneve ndërkombëtare dhe tashmë nuk duhet të mendojnë as për Kupën e Italisë, duke u fokusuar 100% te kampionati, është asi nën mëngë.

“Nuk është thjesht një detaj, por një pikë kyçe në favor të kuqezinjve”, thekson Sacchi. “Krahasuar me rivalët, ata mund të mbërrijnë shumë më të freskët në pranverë, pikërisht në periudhën kur vendoset gjithçka”. Lojtarët tani e dinë misionin: të lëvizin si një bllok unik dhe të dinë të vuajnë.

NGA MAKTHI NË KRYEVEPËR: DORË E FORTË E ALLEGRIT

Analiza e ndeshjes në Torino është e pamëshirshme por e drejtë. 20 minutat e para? “Një lloj makthi,” i quan Sacchi. Por pikërisht aty u pa dora e Allegrit, të cilit i duhet dhënë merita që në pak muaj ka ndërtuar një projekt dhe ka motivuar ambientin.

Kthesa erdhi nga një episod, por edhe nga karakteri. “Goli i Adrien Rabiot i mbajti kuqezinjtë brenda lojës, ndezi shpresën dhe në pushim të ndeshjes, pasi u riorganizuan idetë (që ishin goxha konfuze), u ndërtua një kryevepër e vogël,” analizon ish-trajneri.

PULISIC HERO, NKUNKU “FANTAZMË”

Sacchi nuk i kursen kritikat për individët. Me Rafael Leaon jashtë për dëmtim dhe me një Christopher Nkunku të cilësuar si “krejtësisht i padobishëm për kauzën”, skena u rrëmbye nga Christian Pulisic.

Sipas Sacchit, amerikani i dha skuadrës “energji, fantazi dhe konkretizim para portës”. Me dy golat e tij, por mbi të gjitha me forcën e karakterit, vendosmërinë dhe inatin sportiv, Djalli rrëmbeu fitoren dhe kreun e klasifikimit.

ULTIMATUMI I MERKATOS: “NJË SULMUES DUHET SI BUKA”

Por kujdes, jo gjithçka është fushë me lule. Sacchi e mbyll analizën e tij “day after” me një kusht të panegociueshëm për drejtuesit. Milani ka ende shumë punë për të bërë dhe Allegri, si “dhelpër e vjetër” që është, do dijë t’i korrigjojë gabimet rrugës, por i duhen mjetet.

“Është logjike të pyesim se ku mund të arrijë ky Milan,” reflekton Sacchi. “Siç e thashë, kuqezinjtë mund ta luajnë titullin deri në fund. Por, nëse në merkaton e janarit blihet një sulmues, i cili kësaj skuadre i duhet si buka, atëherë horizontet hapen plotësisht”.

Dhe në fund, profecia që drithëron rivalët: “Napoli dhe Interi, që i konsideroj më të kompletuarat, bëjnë mirë të mos e nënvlerësojnë rritjen e këtij Milani. Nuk do të çuditesha aspak nëse, në pranverë, do ta gjenim Milanin para të gjithëve dhe të tjerët duke lënë shpirtin për ta ndjekur pas”.


BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>


Share This Article
Pa Komente