Scudetto flakë, Capello ndez shpresën e revanshit milanist para derbit që mund të vendosë kampionatin

Fitorja e zikaltërve ndaj Juventusit i jep frymëmarrje Chivu, por hijet e një fitoreje të pandershme dhe luhatjet në “big match” e kanë lënë hapur katërkanatësh derën për kuqezinjtë – me një ndeshje më pak dhe derbin në horizont, gara për Scudeto mbetet e gjallë...

Milanistat
4 Min Read
Capello fabio

Milano jeton me dy zemra dhe një ëndërr të përbashkët: Scudetton. Në njërën anë është Inter e Cristian Chivu, që pas suksesit dramatik 3-2 ndaj Juventusit ka ngjitur kuotën në 61 pikë. Në anën tjetër është AC Milan i Massimiliano Allegri, që ndjek me 53 pikë, por me një ndeshje më pak për të luajtur kundër Comos së Cesc Fàbregas.

Në dukje, +8 është një hendek i sigurt. Por kampionatet nuk fitohen me kalkulator në dorë, sidomos kur në horizont shfaqet derbi i marsit në “San Siro”. Dhe pikërisht këtu ndërhyn zëri i eksperiencës. Fabio Capello, ish-lojtar dhe ish-trajner i Milanit, ka analizuar betejën për titull në faqet e “La Gazzetta dello Sport”, duke lënë një dritare të hapur për rimontën kuqezi.

Fitorja e Interit ndaj Juventusit erdhi me firmën e Piotr Zielińskit në minutën e 90-të, por ndeshja mbeti e mbuluar nga polemikat për episodin e kartonit të dytë të verdhë, kur arbitri Federico La Penna ndëshkoi Pierre Kalulu në vend të Alessandro Bastonit, pavarësisht një simulimi të dukshëm të këtij të fundit. Një episod që ndikoi në ekuilibrat e sfidës dhe ndezi debatet.

Capello: “Avantazh i rëndësishëm, por jo vendimtar”

“Duke dalë nga çështja e arbitrimit, mbetet rezultati që shpërblen Interin kryesues. Tetë pikët e avantazhit ndaj Milanit mund të duken qetësuese, por vështirësitë e shfaqura edhe një herë në një përballje direkte lënë pikëpyetje dhe, mbi të gjitha, shpresë për rimontë te Allegri”, theksoi Capello.

Fjalë që peshojnë. Sepse Interi, sipas tij, vuajti lojën dhe iniciativën e Juventusit në barazi numerike, madje nuk shkëlqeu as me një lojtar më shumë. Pyetja që lind është: a do ta zhbllokojë psikologjikisht kjo fitore skuadrën e Chivu-t në sfidat e mëdha, apo do të vazhdojnë luhatjet që kanë shoqëruar sezonin?

Nga ana tjetër, Milani ka ende për të luajtur ndeshjen e prapambetur. Një fitore do ta afronte diferencën në -5, duke e kthyer derbin e marsit në një kryqëzim titulli. Allegri, mjeshtër i sprintit final, e di mirë se kampionatet fitohen me vazhdimësi dhe presion konstant mbi rivalin.

Derbi që mund të vendosë kampionatin

Kalendari ka ruajtur një finale me tension të lartë: derbi i dytë sezonal në “San Siro” në fundjavën e dytë të marsit. Një ndeshje që mund të shndërrohet në trampolinë ose në goditje fatale.

Interi mban fatin në duart e veta, por duhet të bindë në “big match”. Milani, me një ndeshje më pak dhe me eksperiencën e Allegrit në pankinë, ka ende karta për të luajtur. Capello e ka thënë qartë: gara nuk është mbyllur.

Scudetto është një maratonë nervash, jo vetëm pikësh. Tetë pikë janë shumë, por jo të pakapërcyeshme. Sidomos kur në mes është krenaria e qytetit dhe kur një derbi mund të përmbysë historinë. Milano pret. Dhe ëndrra vazhdon të digjet.


BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>



Share This Article