Sacchi: “Hojlund refuzon Milanin? Edhe sikur të ishte van Basten…”

Milanistat
7 Min Read

Ka folur goxha dhe në mënyrë të veçantë mbi mundësinë e ardhjes së danezit Rasmus Hojlund të Milani.

Si zakonisht qartë dhe shumë i pastër, pa dashakeqësira por me dëshirën e madhe për ta parë Milanin sa më lart dhe me milanizmin që i rreh në zemër, Arrigo Sacchi, shtjelloi një sërë temash në një intervistë ekskluzive me ‘La Gazzetta dello Sport’, të publikuar sot.

E plotë, ja çfarë thotë legjenda milaniste.

Për Hojlund, që do të preferonte më mirë të ulej në stol ose në tribunë te Manchester United sesa të luante si titullar për Milanin: “Atëherë ta lenë e të mos merren më me këtë sulmues drejtuesit Rossonerë dhe të përqendrohen te ata që me të vërtetë duan të veshin fanellën e Djallit. Milani duhet të dashurohet; nuk mund të jetë një opsion i dytë”.

Mbi mënyrën e ndërtimit të një skuadre dhe mbi cilët elementë duhet të mbështetemi: “Cilësia e parë e kërkuar: besueshmëria. Çdo gjë tjetër vjen pas. Por nëse nuk je i besueshëm, nëse nuk ke zjarr brenda, nëse nuk je i gatshëm të sakrifikohesh për klubin dhe shokët, më mirë të qëndrosh në shtëpi”.

Çfarë ideje ka krijuar për çështjen Hojlund: “Së pari: nuk po flasim për Marco van Basten, as për ndonjë nga qendërsulmuesit më të fortë të Evropës në këtë moment. Është një lojtar i mirë, asgjë më shumë. Kështu, më duket e ekzagjeruar kjo gjueti për blerjen e tij. Sidoqoftë, meqenëse ka mungesë sulmuesish, e kuptoj dëshirën e drejtuesve Rossonerë për të siguruar një të tillë. Por duhet të dëshirojë të vijë… dhe të mos bëjë kapriço”.

Për preferimin e Manchester United ndaj Milanit pavarësisht se trajneri nuk e vlerëson shumë: “Nuk e kuptoj vendimin e tij. Nëse të thërret Milani, duhet të bësh valixhet dhe të hipësh në aeroplanin e parë për në Malpensa. Milan, në botën e futbollit, është një emër legjendar. Unë, të gjithë lojtarëve që blihen, do t’i bëja një xhiro nëpër sallat e trofeve që ata ta kuptojnë plotësisht se ku ndodhen. Janë ata që duhet të falënderojnë që janë blerë, jo anasjelltas. Jam i qartë? Së pari vjen Klubi, pastaj lojtari. Sigurisht, edhe Manchester United, për hir të Zotit, është një skuadër legjendare, por nga njëra është një klub, Milani, që të ofron një vend të përhershëm titullari, dhe nga ana tjetër është një që bën gjithçka mundet për të të shitur. Cilin do të zgjidhje?”.

Për Hojlund, që me shumë mundësi dëshiron t’i tregojë me krenari Manchester United se është po aq i mirë sa lojtarët e tjerë të sapoblerë: “Mund të jetë një shpjegim, por ndonjëherë të ndjekësh instinktin nuk është një mënyrë e mirë për të shkuar larg. Unë besoj se për Hojlund do të kishte qenë e rëndësishme që të rrokte mundësinë e ofruar nga Milani. Hezitues? Jo i bindur? Asnjë problem. Le të qëndrojë aty ku është dhe Milani të shikojë për një lojtar tjetër që, ndoshta, ka dëshirën për të veshur fanellën Rossonere”.

Modric dhe Jashari: Shembuj të lojtarëve të nevojshëm për skuadrën

Për Luka Modric dhe Ardon Jashari, të cilët e deshën me forcë Milanin: “Modric, në 40 vjeç, pas gjithë atyre që ka fituar me Real Madridin, ka vendosur të përjetojë një eksperiencë prej protagonisti tek Milan, sepse për të, është një klub historik, i famshëm në të gjithë botën. Dhe ai dëshiron të jetë pjesë e kësaj historie. Dhe i njejti diskutim vlen edhe për Jasharin, i cili bëri gjithçka mundi për të bindur menaxhmentin e Club Brugge për ta shitut. Këta janë shembuj të lojtarëve që, edhe përmes sjelljes së tyre, janë të dobishëm për grupin. Dhe u pa edhe në paraqitjet e tyre të para në fushë: mund të mos jenë ende në formën më të mirë, por kanë treguar dëshirë dhe vendosmëri, i kanë përqafuar plotësisht rolet e tyre. Ndërsa Hojlund, rrudh buzët kur dëgjon emrin e Milanit… Eh, jo! Një i tillë nuk është mirë”.

Mbi teoremën e tij që, kur bëhet fjalë për blerje, duhet së pari t’i shikosh mendjen, pastaj këmbët: “Këmbët, në një mënyrë a në një tjetër, me orë e orë stërvitjeje specifike, i rregullon. Mendjen, jo. Një ditë, në vitin tim të parë te Milani, flisja me Silvio Berlusconin dhe i kërkova shitjen e një djali që nuk kishte sjellje korrekte. Presidenti m’u përgjigj: ‘Por është edhe në kombëtare’. Dhe unë: ‘Nuk më intereson. Nuk është i besueshëm. Ju, në kompanitë tuaja, do të dëshironit një bashkëpunëtor të pabesueshëm? Nuk besoj, dhe as unë…”… Në fund, ai lojtar u shit dhe e zëvendësuam me rezervën e tij, pa shpenzuar asnjë lek”.

Për atë që çfarë duhet bërë nëse Milani nuk e merr dot Hojlund: “E përsëris: nuk po flasim për van Basten. Ka të tjerë qendërsulmues që mund të blihen. E rëndësishme është që të jenë funksionale me lojën që trajneri ka në mendje. blerjet i bën Klubi, por gjithmonë në sintoni me idetë e trajnerit, sepse pastaj i takon atij të merret me lojtarët”.

Mbi qendërsulmuesin që ai do të merrte për Milanin: “Nuk ia lejoj vetes të jap këshilla, por i ftoj të gjithë të reflektojnë: një qendërsulmues është një element themelor në një skuadër sepse me lëvizjet e tij determinon lojën e të gjithë grupit. Prandaj, zgjedhja duhet vërë me shumë kujdes. Shikoni Kylian Mbappé: i konsideruar si qendërsulmuesi më i mirë në botë, shkoi te Real Madrid ku nuk fitoi asgjë, ndërsa PSG, që e shiti, fitoi Champions League. E rëndësishme është që qendërsulmuesi të jetë funksional me projektin”.


BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>


Share This Article
Pa Komente