Rrëfimi i jashtëzakonshëm i Koni De Winter, ëndrra e djaloshit që u rrit me Milanin në zemër dhe që sot beson në Champions dhe yllin Scudetto

Nga dashuria që fëmijë me Milanin dhe lojërat fëminore me ngjyrat kuqezi, te firma që i ndryshoi jetën përgjithmonë: si po rilind në “San Siro” talenti belg klas 2002, i frymëzuar nga Kompany e Thiago Silva, i formuar mes Bonuccit e Chiellinit dhe i udhëhequr nga besimi i palëkundur i Massimiliano Allegrit, në rrëfimet për mediat kryesore sportive dhe për kanalet zyrtare të Milanit...

Milanistat
7 Min Read
nkunku de vinter

Ishte 10 gusht. Dielli përkëdhelte bregun e Camoglit dhe Koni De Winter po shëtiste i qetë me gjyshin dhe kushëririn e tij. Një ditë vere si shumë të tjera, larg zhurmës së merkatos. Papritur, telefoni bie. Në anën tjetër, agjenti: “A do të shkosh te Milani?”. Përgjigjja ishte e menjëhershme: “Po”.

Një telefonatë në breg të detit dhe një ëndërr që shpërtheu në realitet

Këtë moment vendimtar, mbrojtësi belg e ka rrëfyer në një intervistë për të përditshmen sportive italiane “Tuttosport”, duke përshkruar emocionin e një dite që i ndryshoi jetën. Tridhjetë minuta më vonë, lajmi kishte shpërthyer në rrjetet sociale. Nga Genoa te Milani për 20 milionë euro (bonus përfshirë), nga një talent premtues në një projekt serioz për të tashmen dhe të ardhmen e klubit.

Fëmija që zgjidhte Milanin në playStation dhe babai që e donte “Seedorf”

Në intervistën për “Tuttosport”, De Winter zbulon se lidhja e tij me Milanin është shumë më e hershme se firma në kontratë. “Kur isha i vogël ndiqja ndeshjet e Milanit në Champions League dhe në PlayStation zgjidhja gjithmonë skuadrën kuqezi”, tregon ai.

Pasioni ishte trashëguar nga babai, i cili e kishte ndjekur Milanin edhe përpara se Koni të lindte. Aq e madhe ishte dashuria e tij për Clarence Seedorf, sa kishte menduar ta quante djalin me emrin e legjendës holandeze. Emri ndryshoi, por jo ADN-ja kuqezi që sot e lidh mbrojtësin 2002-sh me historinë e klubit.

Allegri, mentori dhe pika e referimit

Roli i Massimiliano Allegrit në karrierën e De Winter del qartë si në intervistën për “Tuttosport”, ashtu edhe në deklaratat për “SportMediaset”. “Me misterin kam një raport shumë të mirë. Është i ekuilibruar dhe e di qartë objektivin që duhet arritur”, ka thënë ai për “Tuttosport”.

Ndërsa për “SportMediaset” shkon edhe më thellë: “Allegri është një figurë e rëndësishme në karrierën dhe jetën time. Më ka bërë të debutoj te Juventusi dhe tani është trajneri im te Milani”. Ai kujton se kur mbërriti 16-vjeçar nga Belgjika, ishte i çorientuar, por Allegri kishte gjithmonë vëmendje për të.

Besimi i trajnerit, sipas tij, është thelbësor: “Në futboll bën diferencën. Ta dëgjosh me fjalë dhe ta ndjesh në fakte, të ndihmon shumë”, deklaron ai për “Tuttosport”.

Shkolla Juventus, Serie C dhe idhujt

Në rrëfimin për “Tuttosport”, De Winter ndalet te periudha me Juventus Next Gen në Serie C, që e cilëson si themelore për rritjen e tij. “Aty kuptova futbollin e vërtetë. Kundërshtarët luajnë fort, je Juventusi dhe të gjithë duan të tregohen kundër teje”.

Ai përmend me respekt Leonardo Bonuccin, Giorgio Chiellinin dhe Matthijs De Ligt, nga të cilët mësoi vetëm duke i parë në stërvitje.

Ndërsa për “SportMediaset”, flet për frymëzimet e tij: “Jam rritur duke parë Vincent Kompanyn, bashkëkombësin tim. Më pëlqen shumë edhe Thiago Silva”. Dy figura që mishërojnë lidershipin dhe stabilitetin në prapavijë – cilësi që ai synon t’i bëjë të vetat.

Goli në “Olimpico”, objektivat dhe besimi në Scudetto

Për golin e parë me fanellën kuqezi kundër Romës, De Winter ka folur si për “SportMediaset”, ashtu edhe për kanalet zyrtare të AC Milanit. “Një moment shumë i bukur, familja ime ishte në stadium”, shprehet ai.

Megjithatë, në intervistën për “Tuttosport” thekson se momenti më i rëndësishëm mbetet firma e kontratës: “Aty ndryshoi karriera ime”.

Sa i përket objektivave, për “SportMediaset” ai është i qartë: “Objektivi është vendi i katërt dhe rikthimi në Champions. Por kur luan me këtë fanellë, mendon gjithmonë për të fituar. Sigurisht që besoj te Scudetto”. Një deklaratë e fortë që konfirmon ambicien e tij.

Në kanalet zyrtare të klubit, ai shton: “Çdo ndeshje është e rëndësishme. Përgatitemi gjithmonë në maksimum”, duke iu referuar edhe sfidës ndaj Pisas.

Nga Ronaldo te Modrić, nga Rabiot te Saelemaekers

Në intervistën për “Tuttosport”, De Winter ndan edhe detaje për përvojën me kampionë si Cristiano Ronaldo dhe Luka Modrić. “Janë dy legjenda. Ronaldo nuk e bënte kurrë të ndjeje statusin e tij. Edhe Luka është shumë i përulur”.

Për Adrien Rabiot, po për “Tuttosport”, kujton një episod kur luante me Empolin dhe paralajmëroi për rrezikun që paraqiste francezi – i cili më pas shënoi dy gola në fitoren 4-0 të Juventusit.

Ndërsa në intervistën për kanalet zyrtare të Milanit, ai flet për ambientin në skuadër dhe raportin special me Alexis Saelemaekers: “Flasim të njëjtën gjuhë, jemi rritur në të njëjtin ambient. E njohim njëri-tjetrin prej kohësh”.

Po aty, tregon edhe për jetën jashtë fushe: PlayStation, shah, libra, biçikletë – dhe emocionin që i japin koret e Curva Sud. “Të karikojnë shumë para ndeshjes, ndjen që sfida po vjen”.

Një rrëfim i shpërndarë, një ambicie e vetme – të fitojë me Milanin

Nga faqet e “Tuttosport”, te ekranet e “SportMediaset” e deri te kanalet zyrtare të Milanit, del portreti i një lojtari të pjekur përtej moshës së tij. I vetëdijshëm për gabimet, por i bindur në potencialin e vet dhe të skuadrës.

“Nuk ka ndryshuar asgjë nga fillimi i sezonit. Ndonjëherë gjërat shkojnë siç do, ndonjëherë jo”, thotë ai për “SportMediaset”.

Nga fëmija që luante me Milanin në PlayStation te mbrojtësi që sot mbron ngjyrat kuqezi në “San Siro”, Koni De Winter po shkruan kapitullin e tij në historinë e klubit. Dhe nëse besimi i tij te Scudetto do të kthehet në realitet, atëherë telefonata e 10 gushtit në Camogli do të mbetet jo vetëm një kujtim i bukur, por fillimi i një epoke të re.


BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>



Share This Article