Dikush mund ta quajë ekzagjerim. Në fund të fundit, tabela thotë gjithmonë të njëjtën gjë: tre pikë në lojë, si çdo javë tjetër. Por futbolli nuk është vetëm matematikë, nuk është vetëm renditje. Futbolli është moment, kontekst, tension, psikologji. Dhe Roma–Milan, e të dielës mbrëma në Olimpiko, i ka të gjitha këto – ka edhe më shumë.
E nëse i vendosim në peshore të gjitha rrethanat që po i paraprijnë kësaj përballje, konkluzioni vjen pothuajse natyrshëm: për Milanin, kjo është ndeshja më e vështirë e sezonit. Një ndeshje kurth, e përgatitur me kujdes nga kundërshtari, e ngarkuar emocionalisht, e mbushur me nënkuptime taktike dhe strategjike.
Fjalët që ndezën sfidën: Gasperini e ka zgjedhur betejën e tij
Roma–Milan ka nisur… ditë më parë. Jo në fushë, por në sallën e konferencave.
Deklaratat e Gian Piero Gasperinit, të bëra të mërkurën në vigjilje të Roma–Stuttgart në Europa League, janë më shumë se një sinjal lufte.
“Ndeshja me Milanin të dielën është ajo që na merr të gjitha mendimet, duke parë pozicionin që kemi në kampionat”.
Fjalë të rënda. Fjalë të rralla.
Është pothuajse e pazakontë të dëgjosh një trajner të pranojë hapur se mendja e tij është tashmë te ndeshja e radhës ende pa luajtur dhe duke relativizuar rëndësinë e asaj që ka përpara. Edhe trajnerë që kanë luajtur finale Champions League kanë zgjedhur shpesh rrugën e “bluff-it”, për të ulur tensionin. Gasperini jo. Ai ka qenë kristal i qartë: prioriteti quhet Milan.
Zgjedhjet që flasin: Roma vjen e pushuar
Fjalët u pasuan nga veprat.
Kundër Stuttgartit, Gasperini la jashtë që në fillim pothuajse gjithë shtyllën kurrizore të skuadrës: Mancini, Ndicka, Cristante, Wesley, Dybala, përveç Malen që ishte i papërdorshëm. Një rotacion i thellë, i qëllimshëm, i menduar.
Mesazhi është i qartë: Roma e së dielës do të jetë e karikuar, e përqendruar, e tërbuar vetëm ndaj Milanit. Disavantazhi i kupës europiane është neutralizuar me mjeshtëri. Për kuqezinjtë është një kurth i pastër.
Dhe këtu hyn në skenë Massimiliano Allegri: trajneri që di t’i lexojë këto ndeshje dhe që duhet të mbajë skuadrën me antena maksimalisht të ngritura.
Pse për Romën kjo ndeshje vlen dyfish
Roma ka arsye të forta për ta bërë këtë sfidë një çështje jetike.
Së pari, mungon ende një fitore e madhe në një big match këtë sezon. Së dyti, plagët e ndeshjes së parë kundër Milanit janë ende të hapura. Dhe së treti, Gasperini ka gjithmonë një raport të veçantë, pothuajse të tensionuar, me kuqezinjtë.
Në këtë kontekst hyn edhe Malen, futbollisti që po i jep Romës dimension të ri. Një futbollist që përshtatet në mënyrë perfekte me idetë e Gasperinit dhe që, me lëvizjet e tij, rrit rendimentin e të tjerëve – Dybala i pari.
Kalendari tremb, klasifikimi tundon
Ka edhe një arsye tjetër, më e ftohtë, më cinike: matematika.
Gasperini e di se duke mposhtur Milanin, Roma do ta fuste skuadrën e Allegrit në radar për një parakalim të mundshëm. Kalendari flet qartë: Milani ka përpara tre transferta rradhazi, ndërsa Roma, përjashto Napolin, do të përballet me skuadra të pjesës së poshtme të tabelës.
Një fitore të dielën mund të ndryshojë gjithçka.
Milan, prova e pjekurisë
Për Milanin kjo nuk është vetëm një ndeshje e vështirë. Është një provë karakteri.
Një test që tregon nëse kjo skuadër ka vërtet shpirtin për të luftuar deri në fund, apo nëse lëkundet në momentet kur presioni rritet dhe kundërshtari e pret me thikë në dhëmbë.
Olimpiko do të jetë i nxehtë. Roma do të jetë agresive. Gasperini do ta ketë përgatitur çdo detaj.
Por nëse Milani dëshiron të quhet i madh, duhet të kalojë edhe nga këto netë.
Sepse, kampionatet nuk fitohen me ndeshjet e lehta, por me ato që duken të pamundura. Dhe të dielën në mbrëmje, për Djallin, kjo është pikërisht ajo: sfida më e vështirë e sezonit.
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
