U rikthye Gerry Cardinale! Jo vetëm fizikisht në Milano, por edhe simbolikisht në përditshmërinë e Milanit.
Rikthimi i pronarit që mungonte prej “një jete”
Erdhi aty ku mungesa e tij ishte ndjerë gjatë një sezoni të tërë, të dhimbshëm, të shënjuar prej protestave, gabimeve fatale dhe një finaleje totalisht larg pritshmërive: vendi i tetë dhe humbja e thatë e parave të Champions League. Një plagë sportive dhe financiare që ka lënë gjurmë.
Cardinale është shfaqur me një axhendë të qartë dhe me një lajm të freskët në xhep: negociata e avancuar me fondin e ri Manulife Comvest, që pritet të zëvendësojë Elliott si kreditor. Vizitoi Milanellon, takoi për herë të parë Massimiliano Allegrin dhe skuadrën, si dhe drejtuesit kryesorë të klubit në Casa Milan, i shoqëruar nga Giorgio Furlani. Një rikthim i menduar mirë, më shumë institucional sesa emocional.
Mesazhi i Cardinales: stabilitet mbi gjithçka
Komunikimi zyrtar i klubit është i qartë: prania e Cardinale është sinonim stabiliteti në një moment kyç për rezultatet e ekipit. Mes rreshtave lexohen dy mesazhe të forta. I pari është financiar: kalimi nga Elliott te Manulife Comvest mund të nënkuptojë zgjatjen e afatit të shlyerjes së vendor loan prej rreth 600 milionë eurosh, i planifikuar aktualisht për vitin 2028. Një frymëmarrje më e gjatë për klubin.
I dyti është vizionar: përpara se të ndalej në Milano, Cardinale ishte në Londër për prezantimin e një projekti ambicioz që synon krijimin e një dege të NBA-së amerikane në Itali. Ide globale, horizonte përtej futbollit. Por tifozët e Milanit, si gjithmonë, kanë një pyetje të vetme.
Merkato? Përgjigjja e Gerrit
A do të ndryshojë diçka në merkato në ditët e ardhshme? Përgjigjja që qarkullon në ambientet kuqezi është një “jo” e prerë. Arsyeja është dyfishe: nga njëra anë, respektimi strikt i parametrave të brendshëm financiarë të vendosur nga Furlani; nga ana tjetër, filozofia e Allegrit, e sintetizuar në një fjali lapidare: “Nëse duhet të marrim dikë vetëm për të marrë, më mirë të mbetemi kështu siç jemi.”
Nevojat dihen prej kohësh. Me ardhjen e Füllkrug është mbuluar boshllëku i parë, ai i qendërsulmuesit, me një shpenzim modest. Por mbetet ende e hapur një plagë: mbrojtja. Milani ka nevojë për një difensiv të besueshëm, të aftë të luajë si “braccetto” ashtu edhe si qendër e repartit – një alternativë reale ndaj Gabbia-s. Lënia bosh e kësaj pozite do të thotë ta ekspozosh sezonin, pikërisht në fazën vendimtare, ndaj një rreziku të madh.
Sezoni në kthesën vendimtare
Kampionati ka hyrë në territorin e së vërtetës. Milani përballet me tre transferta radhazi – Roma, Bologna dhe Pisa – për shkak të mbylljes së San Siros, dhe më pas duhet të rikuperojë ndeshjen në shtëpi kundër Comos në një nga dritaret e Champions League të shkurtit. Një kalendar që nuk fal.
Përveç përforcimeve, Allegrit i duhet edhe një tjetër “transferim”: rikthimi në formën më të mirë i Leao-s dhe Pulisic-it, të dy të kushtëzuar deri tani nga shqetësime fizike që kanë ulur ndjeshëm rendimentin e tyre. Pa shkëlqimin e tyre, Milani humbet shpirtin ofensiv.
Lufta për Champions dhe përçarja në Lega
Mjafton një vështrim i shpejtë te deklaratat e Gasperinit para Europa League – “ne jemi të shpërqendruar nga sfida me Milanin” – për të kuptuar presionin që ushtron ky moment i sezonit. Roma dhe Bologna janë aty, duke shtyrë fort. Lufta për katër vendet e para është shndërruar në një betejë pa mëshirë.
Këtë e dëshmon edhe përçarja e hapur në Lega Serie A, e shpërthyer pas kërkesës së De Laurentiis për të ndryshuar rregullat e merkatos “në mes të lojës”. Interi, Juventusi, Milani dhe Roma nuk e mbështetën kërkesën napolitane. Një çarje politike që pasqyron tensionin ekstrem të garës sportive.
Datat flasin vetë: më 12 dhjetor Lega diskuton çështjen; më 15-16 përgatiten vërejtjet; më 18 dokumenti dërgohet në Këshillin Federal, ndërsa klubet nisen për Superkupën në Arabinë Saudite; më 19 dhjetor, presidenti Gravina kërkon shtyrjen e diskutimit. Rezultati? Një votim me Milanin kundër, Interin, Juventusin dhe Romën abstenues, dhe kërkesa për një letër manleve nga katër klubet në rast ankesash të ardhshme.
Si përfundim…
Cardinale erdhi, por Milani nuk ndryshon. As në merkato, as në filozofi. Stabiliteti është fjala kyçe, por fusha kërkon përgjigje të menjëhershme. Mes financave globale, betejave politike dhe një kalendari të pamëshirshëm, sezoni kuqezi ecën mbi tehun e thikës. Champions League është më shumë se një objektiv: është një nevojë jetike. Dhe lufta sapo ka filluar.
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
