Revanshi kuqezi, Djalli që digjet përbrenda: Maignan, Nkunku, Rabiot e Tomori, është një Milan i uritur dhe krenar në kërkim të rikthimit të madhështisë

Një skuadër e plagosur nga e shkuara, e rindërtuar nga merkatoja dhe e udhëhequr nga një trajner me llogari të hapura: “kemi uri për revansh”, thotë Massimiliano Allegri, dhe fjala tingëllon si betim lufte për një sezon që duhet të fshijë hijet e vitit të tetë dhe rikthimin në Europë...

Milanistat
5 Min Read
milan sei la mia vita

“Ky është një grup që ka uri për revansh”. Fjalët e para peshojnë gjithmonë më shumë. Dhe kur i thotë Massimiliano Allegri, një trajner që ka fituar pothuajse gjithçka në Itali, ato marrin aromën e një manifesti. Në prag të sfidës me Pisan, tekniku livornez nuk zgjodhi të fliste për skema apo përqindje zotërimi topi. Zgjodhi një fjalë: rivalsa. Revansh.

Në fund të fundit, si mund të ishte ndryshe? Milani i sezonit të kaluar u mbyll në vendin e tetë, jashtë çdo gare europiane. Një goditje e rëndë për një klub me histori globale. Por kjo skuadër e re është edhe produkt i një vere centrifugë: nga 23 lojtarë aktualë, vetëm 11 janë “reduktë” të 2024-25. Shumica nuk mbartin plagët e atij sezoni. E megjithatë, etja për hakmarrje sportive ndihet në ajër. Sepse revanshi nuk është vetëm për atë që dështoi, por edhe për ata që duan të rilindin.

Allegri, kthimi në shtëpi dhe hija e një lamtumire të hidhur

Të flasësh për “revansh” në karrierën e Allegrit duket paradoks. Ai ka ngritur tituj, ka dominuar kampionate. Por aventura e fundit la një shije të hidhur: i shkarkuar nga Juventus vetëm pak orë pasi i dhuroi klubit Kupën e Italisë. Një fund absurd, që e la jashtë pistës për muaj të tërë, mes zërave për Premier League, Arabinë apo klube të tjera italiane.

Pastaj erdhi telefonata e Milanit. Klubi ku fitoi titullin e tij të parë si trajner. Një rikthim gjithmonë i rrezikshëm, sepse historia mëson se nostalgjia nuk garanton sukses. Por këtë herë lidhja ishte e dyanshme: Milani kishte nevojë të ringrihej, Allegri të rikthehej në elitë. Revanshi i tij është i heshtur, i brendshëm. Është dëshira për të treguar se kapitulli i fundit nuk e përkufizon karrierën.

Maignan e Tomori, krenaria që kërkon përgjigje

Nëse revanshi ka fytyrë, ai nis nga porta. Mike Maignan sezonin e kaluar nuk u mbyt në kaos, por nuk ishte më “Magic Mike”. Rënia kolektive ndikoi edhe tek ai, aq sa klubi rishikoi ofertën për rinovim. Sot skenari ka ndryshuar: paraqitjet e këtij sezoni e kanë rikthyer në nivelin e dikurshëm, oferta është rikthyer në tavolinë dhe Allegri ka punuar në prapaskenë. Është një përgjigje për ata që dyshuan.

Po aq i fortë është motivi për Fikayo Tomori. Koha e çiftit perfekt me Kalulu në sezonin e titullit duket e largët. Mbrojtja sezonin e kaluar ishte katastrofike, si repart dhe në individë. Tomori alternon paraqitje të mira me ndeshje të zbehta, por me Allegrin mbrojtja ka ndryshuar fytyrë. Anglezit i duhet vazhdimësi për të fshirë kujtimet e hidhura.

Mesfusha mes hijes së infermierisë dhe shpërthimit të papritur

Revanshi kalon edhe nga mesfusha. Ruben Loftus-Cheek kërkon të ndihet sërish protagonist. Sezoni 2024-25 ishte një kalvar: 26 ndeshje të humbura mes problemeve muskulare dhe operacionit për apandesit akut. Me konkurrencë të ashpër në mes, rikthimi i tij në qendër të projektit është sfidë personale.

Ndërkohë, historia e Adrien Rabiot është revansh me R të madhe. I larguar nga Olympique de Marseille pas sherrit famëkeq në dhomat e zhveshjes me Rowe, francezi erdhi në Milanello me etiketën e “problematik”. Sot është kolonë e skuadrës. Një rilindje që flet me gjuhën e fushës.

Sulmi i etur: Gimenez, Füllkrug dhe Nkunku mes pritjes dhe shpërthimit

Në sulm, etja për revansh është pothuajse dramatike. Santiago Gimenez nuk ka arritur të justifikojë famën me të cilën mbërriti. Performancat nuk kanë qenë në përpjesëtim me pritshmëritë dhe dëmtimi i gjatë aktual e ka ngadalësuar më tej. Ai kërkon ndeshjen e kthesës.

Niclas Fullkrug vjen nga një sezon i vështirë te West Ham United, me dy dëmtime serioze dhe vetëm tre gola. Ndërsa rasti më i bujshëm është ai i Christopher Nkunku, i lënë jashtë projektit nga Chelsea menjëherë pas triumfit botëror. I “shkarkuar” në mes të verës, sot kërkon të tregojë se nuk është një kapitull i mbyllur.

Ky është Milani i urisë. Jo thjesht i dëshirës për të fituar, por i nevojës për të provuar diçka – vetes, klubit, botës. Allegri e tha me një fjali të vetme. Fusha do të tregojë nëse revanshi do të kthehet në triumf.


BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>



Share This Article