Rafael Leão vazhdon të jetë pasqyra më e ndershme e hipokrizisë që rrethon disa ambjente të caktuara rreth Milanit. I ndarë, i gjykuar, i kontestuar edhe kur vendos ndeshje, edhe kur prodhon pikë, edhe kur statistikat flasin më qartë se çdo opinionist i zhurmshëm.
Në një sezon ku fjala “Scudetto” po rikthehet të shqiptohet me zë të lartë në Milanello, një gjë është e sigurt: nëse Milani do ta qepë stemën trengjyrëshe në gjoks, rruga do të kalojë domosdoshmërisht nga shpërthimet e numrit 10.
Enigma Leão nuk është zhdukur. Por kush kërkon përgjigje absolute, nuk e kupton futbollin. Sepse Leão nuk është ekuacion linear: është shpërthim. Dhe Allegri këtë e ka kuptuar më mirë se kushdo tjetër.
Shifrat që nuk pyesin për ideologji
Në një kampionat ku opinioni ka zë më shumë se faktet, Leão vazhdon të gjykohet “me sy”. Gabim fatal. Sepse databaza nuk ka preferenca estetike. Dhe ajo thotë këtë: 7 gola dhe 2 asist në 16 paraqitje në Serie A. Dhe kjo është vetëm gjysma e historisë.
Pas një vjeshte të ndërlikuar, të shoqëruar nga një problem i bezdisshëm në aduktorë që e mbajti jashtë për gati tre javë në nëntor, Leão e ka nisur vitin 2026 me një marsh krejt tjetër. Brutal. Vendimtar. Vendosës.
Në tre ndeshjet e fundit, nota mesatare është 7.6. Dy gola, të dy në momente kyçe: goli i fitores në transfertën e vështirë të Cagliarit dhe barazimi i rrëmbyer me inat kundër Genoas më 8 janar në San Siro. Gola që peshojnë. Gola që ndryshojnë klasifikimin, jo vetëm statistikat.
Dhe pastaj vjen e vërteta që djeg puristët: xG prej 5.23, por gola realë më shumë se parashikimi matematik. Overperformance.
E përkthyer: Leão po shënon sepse beson. Sepse godet më mirë. Sepse është më i ftohtë. Me një konvertim gjuajtje/gol rreth 22%, shumë mbi mesataren e rolit të tij në kampionat.
Allegri i ka “edukuar” zjarrin: më pak show, më shumë gjak
Këtu hyn dora e Allegrit. Dhe këtu bie narrativa e atyre që flasin për “kaos taktik”. Heatmap-i sezonal është një aktakuzë për ata që nuk shohin.
Leão është më i centralizuar. Më pak i humbur në vijë anësore. Më pranë zonës, më pranë dënimit të kundërshtarit.
Po, driblimet kanë rënë: 1.64 të suksesshme për ndeshje. Dhe? Kjo nuk është rënie, është evolucion. Leão nuk shpërdoron më energji në duele sterile. Vazhdon të jetë elitë europiane në progresionet me topin (3.91 për 90 minuta), por tani i përdor për të vrarë, jo për të argëtuar.
56 prekje në zonën kundërshtare. Rekord sezonal mes sulmuesve të kampionatit. Ky nuk është më një anësor romantik. Ky është një armë e vërtetë. Dhe Allegri e ka shndërruar flakën në strukturë.
Por, problemi nuk është Leão, problemi është kush nuk e kupton
Rafael Leão do të vazhdojë të ndajë. Është në ADN-në e tij. Por ndërsa të tjerët debatojnë për vazhdimësi, Milani mbledh pikë.
Ndërsa të tjerët flasin për estetikë, Leão prodhon gola. Dhe ndërsa kampionati hyn në sprintin final, një e vërtetë del mbi gjithçka tjetër.
Ky Milan nuk kërkon perfeksion çdo të diel. Kërkon shpërthime kur duhet. Dhe Leão, sot më shumë se kurrë, është njeriu i momenteve që vendosin tituj.
Scudetto nuk fitohet me konsensus. Fitohet me gola. Dhe zgjidhja e enigmës Leão ka gjithnjë e më shumë formën e topit që përfundon në rrjetë.
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
