Gjatë gjithë sezonit të shkuar, Milani i dhuroi vetëm dy momente gëzimi tifozëve të tij. I pari, pothuajse një vit më parë, në Madrid në Champions League me një fitore historike kundër Real Madridit të Carlo Ancelottit.
Në pankinë ishte Paulo Fonseca, që atë mbrëmje preku kulmin e tij si trajner i Milanit, përpara se të shkonte drejt shkarkimit të pashmangshëm në fund të dhjetorit.
Sergio Conceicao, i ardhur në vend të tij, e nisi me një bum për t’u shkrirë më pas si bora në diell: vetëm pas pak ditësh pune, ish Porto fitoi Superkupën e Italisë me dy revanshe të bujshme kundër Juventusit dhe, mbi të gjitha, kundër Interit në finale.
Vërtetë një moment i vogël gëzimi, por që tifozët nuk do ta harrojnë kurrë, duke pasur parasysh se si arriti t’i fitonte Milani ato dy ndeshje. Edhe këtë vit, Rossonerët do të marrin pjesë përsëri në formatin tashmë të zakonshëm të trofeut, pasi janë finalistë të Kupës së Italisë. Tre të tjerët janë: Bologna (fituesja e Kupës), Napoli (kampione) dhe Interi (vendi i dytë në kampionat). Milani do të debutojë në turne kundër Napolit të Antonio Contes.
Milani në Superkupën e Italisë, kundër kujt luan dhe kur: të gjitha detajet
Superkupa italiane 2025-2026 do të luhet edhe këtë vit në Riad dhe përsëri me një format të ri: do të luhen fillimisht dy gjysmëfinalet, të ndjekura nga finalja e madhe. Siç thamë, Milani do të luajë ndeshjen e parë kundër Napolit, kampionëve të Italisë në fuqi: do të sfidohen pra dy ekipe që vitin e kaluar arritën të fitojnë një trofe kombëtar.
Gjysmëfinalja midis Milanit dhe Napolit do të luhet më 18 dhjetor 2025. Gjysmëfinalja tjetër, midis Bolonjës dhe Interit, do të luhet të nesërmen, më 19 dhjetor. Ndryshe nga viti i kaluar, turneu do të zhvillohet brenda fundit të 2025ës. Në fakt finalja është planifikuar për katër ditë më vonë, më 22 dhjetor.
Për momentin nuk janë bërë akoma të ditura oraret zyrtare të ndeshjeve, por ka të ngjarë të jenë të njëjta me ato të vitit të kaluar, pra, rreth orës 20:00. Megjithatë, lajmi zyrtar pritet të jipet nga Lega Serie A.
Të gjitha ndeshjet në këtë kompeticion, si zakonisht, do të transmetohen ekskluzivisht nga Mediaset, falas në TV dhe do të transmetohen edhe në streaming po falas, në Mediaset Infinity.
Gjatë ditëve të ardhshme do të publikohen edhe rregullat zyrtare të kompeticionit. Kështu pra, gjatë kësaj kohe, Milani, ashtu si pretendentët e tjerë për titull, do të humbasë dy ndeshje të kampionatit, për t’i rikuperuar ato për më vonë.