Në futboll, fjalët peshojnë. “Dështim” është një prej tyre. Sezoni i kaluar i Milanit u mbyll me këtë etiketë, sidomos për daljen nga Champions League kundër Feyenoord, një kundërshtar dukshëm inferior në cilësi. Por sot, pas eliminimit të Interit nga duart e Bodo Glimt, pyetja lind natyrshëm: nëse ajo ishte një rënie, kjo si quhet?
Objektivi i Milanit këtë sezon ka qenë i qartë: rikthimi në Champions League. Massimiliano Allegri nuk ka folur kurrë për Scudetto, por për katërshen e parë. Një qasje realiste, pas një viti katastrofik: finale e humbur në Kupën e Italisë, vend i tetë në kampionat, eliminim nga Champions në playoff dhe vetëm “karamelja” e Superkupës për të ëmbëlsuar një sezon të hidhur.
Eleminimi prej Feyenoord u konsiderua pa alibi si një falimentim. Milani humbi jo vetëm prestigjin, por edhe të ardhurat e UEFA-s për kualifikimin në të tetat. Një goditje sportive dhe ekonomike.
Diferencat që bëjnë zhurmë
Por ajo që ka ndodhur me Interin tejkalon çdo krahasim. Skuadra e drejtuar nga Cristian Chivu u eliminua në playoff nga Bodo Glimt, një klub me vlerë rreth 57 milionë euro sipas Transfermarkt. Vlera e organikës së Interit? 666 milionë euro. Më shumë se dhjetëfishi.
Vetëm ky hendek mjafton për të kuptuar peshën e eliminimit. Në Evropë nuk mjafton historia, por as investimi nuk mund të shpërfillet. Interi vinte nga një sezon ku kishte arritur finalen e Champions League. Pritshmëritë ishin të tjera, standardi ishte ngritur.
Në fazën e kampionatit, zikaltërit paten fituar ndaj Ajax, Slavia Praga, Union Saint-Gilloise, Kairat dhe Borussia Dortmund. Por kundër “big”-ëve evropianë bilanci ishte dramatik: zero pikë ndaj Atletico Madrid, Liverpool dhe Arsenal. Një sinjal alarmi që u konfirmua në momentin vendimtar.
Dy humbje kundër Bodo Glimt. Pa polemika të mëdha, pa episode për t’u kapur. Një dalje e pastër, e qartë, e dhimbshme.
Pa alibi, as Scudetto nuk mjafton
Milani i sezonit të kaluar ndoshta mund të justifikohej me kartonin e kuq të Theo Hernandez në ndeshjen e kthimit apo gabimin e Mike Maignan në ndeshjen e parë. Episode që, të paktën në narrativë, ofrojnë një shpjegim.
Ndërsa Interi nuk e ka këtë luks. Nuk ka asnjë episod për të ndryshuar rrëfimin. Eliminimi është produkt i dy ndeshjeve të humbura, i një inferioriteti të papritur dhe të pajustifikueshëm.
Po, Interi ka 10 pikë avantazh në kampionat ndaj Milanit dhe Scudetto duket pranë. Por suksesi në Serie A nuk mund të fshijë dështimin evropian. Dy dimensione të ndryshme, dy analiza të ndara. Kur investon 666 milionë euro në organikë, kalimi i një playoffi kundër një skuadre me buxhet minimal nuk është opsion: është detyrim.
Askush nuk i kërkonte Chivu të fitonte Championsin. Por të eliminohej në këtë mënyrë, me kampionatin pothuajse të mbyllur dhe fokus të plotë në Evropë, është një goditje e rëndë për imazhin dhe financat e klubit.
Nëse dalja e Milanit u quajt dështim, kjo e Interit është diçka më shumë: një paralajmërim për gjithë sistemin. Sepse në futboll, diferencat ekonomike duhet të peshojnë. Dhe kur nuk peshojnë, fjala “falimentim” bëhet e pashmangshme.
Scudetto mund të vijë. Por nata e Bodos do të mbetet. Dhe hijet evropiane janë gjithmonë më të gjata se çdo festë në maj.
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
