Së fundmi ekipit i është bashkuar edhe Rafael Leao, përgatitja e tij ka nisur me vonesë për shkak të pjesëmarrjes në Evropian. Natyrisht, pas eliminimit të Portugalisë më 5 korrik në gjysmëfinale nga Franca, atij i nevojiteshin disa javë pushime.
Ka pritshmëri të mëdha për sezonin e tij të ri. Edhe pse prej tre vitesh është në rezultate dyshifrore, si për gola ashtu edhe për asiste, ndaj tij nuk kanë munguar kritikat. Ka nga ata që ndonjëherë kontestojnë ashpër qëndrimin e tij tepër të qetë në fushë dhe ndonjë gabim më shumë në fazën sulmuese. Edhe në mesin e vetë tifozëve milanista, ndonjëherë shfaqen komente negative, pavarësisht se e njohin talentin dhe potencialin e jashtëzakonshëm të portugezit. Përshtypja është se i mungon edhe një hap i fundit për t’u konsideruar vërtet një kampion. Do ta bëjë në këtë sezon sportiv 2024/2025?
Edhe pse për të Stefano Pioli ishte një lloj baba futbollistik, duke e pas ndihmuar në nxjerrjen në pah të cilësive të tij gjatë këtyre viteve, Leaos i nevojitej një drejtues i ri. Ndryshimi i trajnerit ishte i nevojshëm (edhe për arsye të tjera) dhe tani ka kuriozitet për të parë nëse Paulo Fonseka do të jetë njeriu i duhur për ta përmirësuar përfundimisht. Fakti që të dy janë portugezë është një pikënisje e mirë për marrëdhënien e tyre, por më pas duhet punë në fushë. Aty lojtarit i kërkohet të punojë fort për t’u përmirësuar, duke ndjekur direktivat e trajnerit të ri.
Rafa ka thënë fjalë shumë pozitive për Fonsekën në intervistën e fundit të tij dhënë për La Gazzetta dello Sport: “Është një person i drejtpërdrejtë dhe e tregon menjëherë atë që dëshiron. Skuadrat e tij kanë luajtur gjithmonë një futboll të bukur dhe për sulmuesit është i shkëlqyer: ndihem mirë me të dhe edhe shokët janë të kënaqur. Stërvitjet janë intensive, gjithmonë me top: për mua, tashmë i kemi kuptuar idetë e tij për futbollin. Identiteti historik i Milanit është me topin dhe këtu të gjithë lojtarët janë të përfshirë në posedim: është trajneri i duhur”.
Për sa i përket kërkesave të trajnerit, këto ishin fjalët e tij: “Më kërkon të qëndroj i hapur, të bëj një-dy për t’iu afruar zonës”. Asgjë që tashmë nuk e di, pra, por Leao duhet edhe të mësojë të ndryshojë më shumë lojën e tij, të japë më pak pika referimi dhe të bëhet më i paparashikueshëm. Në Lille, Fonseka i kërknte anësorëve edhe që të futeshin në brendi të fushë, për të inkurajuar avancimin e mbrojtësve anësorë dhe për të sulmuar në thellësi pas mbrojtësve kundërshtarë. Rafa mund dhe duhet të përmirësohet.
Në miqësoren Barcelona-Milan në Baltimore do ta shohim për herë të parë në fushë këtë parasezon, edhe pse do të duhet ta nisë nga pankina. A do të arrijë të befasojë menjëherë pozitivisht apo do t’i duhet kohë? Ngarkesa e marrë në përgatitje mund të ketë ndikuar tek ai, është absolutisht normale. E rëndësishme është të jetë gati kur të zhvillohen ndeshjet zyrtare.