Derbi i Milanos do ende edhe pak më shumë se 24 orë, por ngado ka shpërthyer një propagandë me fuqinë e një sirene emergjence. Nuk bëhet fjalë për parashikime. Është një tentativë masive për të krijuar psikologjinë e një humbjeje të pashmangshme. Një ndeshje që, sipas atyre që janë mësuar t’I fryjnë balonave zikaltër, është vendosur para se të luhet.
Një farsë e përgatitur, një rit i vjetër milanez: ngrije Interin në qiell, poshtëroje Milanin dhe shpreso që presioni të bëjë pjesën tjetër.
Shtypi i nënshtrohet Interit – propaganda në formën e gazetarisë
Gazzetta dello Sport ka hequr dorë prej neutralitetit. Nuk ngjan më me një gazetë, por një fletushkë të Suning Grup (edhe pse kinezët e shkretë janë bërë pluhur tashmë). Roza sheh prapa në vitet ’60, rikrijon mitologji zikaltër dhe e risjell sot si të ishte realitet i pashmangshëm. Një nostalgji që stërmadhon Interin dhe tenton të varrosë Milanin, ndërkohë që topi s’ka prekur ende qendrën.
Sportmediaset, nga ana tjetër, ka hedhur turinjtë jashtë me tituj të nivelit periferik:
“Italia-Norvegjia është tashmë derbi: Inter-Milan 5-0.”
Një tallje. Një provokim i hapur. Një përpjekje për të ulur kokën e Milanit përpara kohe.
Pastaj del edhe Bergomi, me “zërat nga brenda dhomave të zhveshjes së Interit”, që flasin për dëshirë “për t’i shkatërruar kuqezinjtë me çdo mënyrë”.
Me çdo mënyrë.
Një mentalitet tipik i Interit të komplekseve: flet shumë para, dridhet kur vjen momenti.
Opinionistët që lëpijnë zikaltër
Bonolis, Sabatini dhe gjithë skuadra e zakonshme e mikrofonistëve të Interit, tashmë e dinë rezultatin: fiton Interi, Milani “e sheh nga televizioni”.
Nuk është analizë.
Nuk është parashikim.
Është dëshirë e veshur si fakt.
Sabatini thotë:
“Interi është shumë më i fortë se Milani, pa diskutim”.
Sigurisht që s’ka diskutim, kur diskutimin e mbyllin vetë të njëjtët njerëz që e kanë frikë çdo derbi ku Milani paraqitet me trup, jo me tituj të gazetave.
Milan – heshtje, por jo dorëzim
Ndërsa kuqezinjtë po mbajnë një profil të ulët. Nuk shesin premtime. Nuk luajnë teatrin e Interit. Por përgatiten në heshtje, me logjikë, me disiplinë.
Heshtja nuk është dobësi.
Heshtja është shenjë e një ekipi që përgatitet për të goditur.
Për më tepër, shumë gjëra mund të ndryshojnë:
- Një Rabiot i rikthyer në formë të plotë është mur për çdo mesfushë zikaltër.
- Një Pulisic i karikuar është thikë në brinjë të mbrojtjes së Interit, sidomos për një skuadër që lë vrima pas çdo daljeje agresive.
Këto s’i përmend askush, sepse nuk i përputhen skenarit të “humbjes së shkruar”.
E vërteta e pistë: dëshirojnë ta thyejnë Milanin psikologjikisht
Kjo është strategjia: dëmto Milanin në mendje para se ta dëmtosh në fushë.
Ndaj artikujt nuk janë thjesht analiza – janë sulm preventiv.
Presioni publik, talljet, parashikimet e rreme… të gjitha të destinuara për të thënë një mesazh të vetëm:
“Dorëzohuni.”
Po Milani nuk dorëzohet. Kurrë.
Forca Milan, gjithmonë e përgjithmonë!
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
