Gjatë këtyre ditëve, në një njoftim të FIGC thuhet se “nga 16 qershori 2025, deri më 18 qershor 2025 për të aktivizuar opsionet”, klubet e Serie A kanë afatin maksimal brenda të cilit do të duhet të vendosin nëse do të aktivizojnë apo jo ndonjë opsion blerjeje të parashikuar në kontratat e huazimeve të përcaktuara për sezonin 2024/25.
Juventusi e shfrytëzoi dritaren e parë, nga 1 deri në 4 qershor, për të blerë plotësisht kartonin e Kalulu, me operacionin që u zyrtarizua më 5 qershor, teksa të gjithë lojtarët e tjerë Rossonerë në huazim ka të ngjarë të rikthehen në bazë. Nëse do të qëndrojnë apo jo mbetet për t’u parë, por është pothuajse e sigurt se klubet që kanë përfituar nga huazimi nuk do ta ushtrojnë të drejtën e blerjes brenda kushteve të paracaktuara, por në rastin më të mirë do të përpiqen të zhvillojnë një operacion të ri nga e para. Tani, të shohim më në detaje se kush rikthehet në bazë këtë verë dhe cila mund të jetë e ardhmja e tij.
1) Alexis Saelemaekers: Ndoshta më i miri i Rossonerëve në huazim sezonin e kaluar për sa i përket minutave të akumuluara dhe cilësisë së performancave. Roma u përpoq ta mbante belgun, nuk kishte të drejtë blerjeje, por Milani mbeti i vendosur në pozicionin e tij: për të marrë anësorin do t’u duhen më shumë se 20 milionë euro. Allegri pret ta shohë në Milanello për ta rivlerësuar dhe nuk do të ishte surprizë nëse ai do ta mbante përfundimisht në organikë.
2) Yacine Adli: Pradé ka qenë i qartë, kartoni i tij nuk do të blihet nga Fiorentina. Edhe sepse trajneri i ardhshëm violë do të jetë Stefano Pioli, i cili edhe më parë te Milani e pati përdorur me pikatore. Nuk ka dyshim se do të ishte më shumë se i lumtur të qëndronte te Rossonerët, mbetet për t’u parë nëse do të mundë të përshtatet me planet e Allegrit. Klubi do të shqyrtonte çdo propozim që mund të mbërrijë në Casa Milan.
3) Ismael Bennacer: në Marsejë u rikthye në formë të mirë, por jo me vazhdimësi. Disa probleme fizike e kanë penguar të shprehet në mënyrën më të mirë, por Roberto De Zerbi sidoqoftë është i kënaqur me ish Empolin. Të dy klubet tanimë po flasin për të arritur në një zgjidhje, edhe pse këtu mund të dalë një pengesë e mundshme që përfaqësohet nga paga e Ismës: 4 milionë në sezon që ai fiton janë shumë për Marsejën. Pasi të kapërcehet kjo nyjë, me siguri do të mund të rikthehet në Velodrome.
4) Noah Okafor: në janar shkoi te Napoli për të zëvendësuar Kvaratskhelian, por kontributi i tij ishte minimal, për të mos thënë i parëndësishëm. Natyrisht, De Laurentiis nuk do ta ushtrojë të drejtën e blerjes së paravendosur me 25 milionë euro dhe zvicerani do të rikthehet në Milanello. Me Leao dhe Pulisic ende Rossonerë, vështirë se ai mund të pranojë përsëri një rol mbështetës, veçanërisht pa Champions League. Ditët e fundit ka pasur kërkesa nga klube braziliane, por qëllimi i ish Salzburgut është të qëndrojë në Evropë.
5) Tommaso Pobega: eksperiencë pozitive, edhe pse jo si titullar, në Bolonjën e Italianos. Rossoblutë nuk do ta ushtrojnë klauzolën prej 12 milionë eurosh për kartonin e tij dhe do të përpiqen të negociojnë me Milanin për ta marrë mesfushorin me një çmim më të ulët. Nëse nuk arrihet një marrëveshje, Allegri do ta mbante me kënaqësi në skuadër për rotacione në mesfushë. Mbetet të shihet se cilat janë qëllimet e lojtarit.
6) Lorenzo Colombo: gjashtë golat e tij në Serie A sezonin e kaluar nuk ishin të mjaftueshëm për të shmangur rënien nga kategoria të Empolit. Padyshim do të rikthehet në bazë dhe si gjithmonë gjatë viteve të fundit, do të arsyetohet për një huazim të ri apo në do të ndahen përgjithmonë.
7) Kevin Zeroli: eksperienca te Monza nuk shkoi aq mirë, por absolutisht për shkak të të metave të tija: vetëm 8 paraqitje në kampionat dhe rënie nga kategoria që tanimë ishte e pamundur të shmangej. Edhe ai do të rikthehet në Milanello dhe do të diskutohet një tjetër huazim për t’i dhënë kohë të mjaftueshme loje gjatë sezonit.
8) Devis Vasquez: ulje-ngritje te Empoli, por sezoni ishte pozitiv, veçanërisht duke pasur parasysh pritjet, pavarësisht rënies nga kategoria. Do të rikthehet në bazë, por pa i prekur valixhet (mund të riniset menjëherë).
9) Marko Lazetic: 43 paraqitje, por vetëm 3 gola me FK TSC Bačka Topola. E ardhmja e klasit 2004 me siguri do të jetë larg Milanos.