Një dosje e gjatë episodesh të diskutueshme, mes gabimeve të dukshme dhe vendimeve të interpretuara, ka ndezur zemërimin e botës kuqezi. Me marsin vendimtar përpara dhe vetëm një pikë në dy ndeshjet e fundit, polemikat arbitrare janë kthyer në alibi për disa dhe në akt akuze për të tjerë. Klubi ka kërkuar shpjegime zyrtare, ndërsa tifozët numërojnë pikët “e humbura”, një nga një…
Ka sezone që rrëshqasin për arsye taktike. Të tjera për shkak dëmtimesh. Dhe pastaj ka sezone si ky i Milanit, ku çdo javë duket se shtohet një episod në listën e gjatë të polemikave. Max Allegri e kishte quajtur marsin muaj kyç. Por para se të vijë pranvera, klima është bërë e stuhishme.
Një pikë në dy ndeshjet e fundit ka ngadalësuar vrullin drejt kreut dhe ka ndarë popullin milanist: ka nga ata që kritikojnë zgjedhjet teknike dhe nga ata që mbajnë një regjistër të detajuar të “torteve” arbitrare. Lista është e gjatë. Nëntë ndeshje, nëntë raste që kanë ndezur zemërimin.
Lecce-Milan 0-2: Goli i Gabbia dhe ndërhyrja mbi Ricci
29 gusht 2025, java e dytë. Goli i Gabbia-s anulohet për një shtyrje ndaj Coulibaly pas goditjes nga këndi të Modric. Marinelli shkon te monitori dhe e anulon. Në fund, kontakti i Gabriel ndaj Ricci-t: për Milanin është në zonë, për VAR jo. Dy episode që hapin sezonin me hije.
Milan-Bologna 1-0: Penalltia e mohuar e Nkunku
14 shtator. Marcenaro fillimisht akordon penallti për faull të Freuler ndaj Nkunku. Thirret nga VAR dhe e heq. Por pamjet nuk analizojnë shtyrjen e qartë të Lucumi-t mbi francezin. Një konfuzion procedural që lë dyshime të mëdha.
Milan-Pisa 2-2: Shtyrje e parregullt ndaj Gabbia
24 tetor. Pisa barazon me Nzola pas një shtyrjeje të Moreo-s ndaj Gabbia-s. Asnjë ndërhyrje. Një kontakt që për tifozët ndryshon rrjedhën e ndeshjes.
Atalanta-Milan 1-1: Ndërhyrje brutale e Lookman ndaj Fofana
28 tetor. Me Milanin në avantazh, Lookman shkel me taka të ngritura mbi kyçin dhe tibian e Fofana-s. As karton i verdhë, as ndërhyrje VAR. Pak minuta më vonë, Lookman shënon golin e barazimit. Një episod që simbolizon gjithë pakënaqësinë kuqezi.
Milan-Lazio 1-0: Kaos në shtesë
29 nëntor. Në kohën shtesë, përplasje mes Marusic dhe Pavlovic. Topi prek bërrylin e mbrojtësit kuqezi pas goditjes së Romagnoli-t. VAR ndërhyn, edhe pse mjaftonte një check i thjeshtë. Allegri shpërthen dhe përjashtohet. Zemërimi nuk ka të bëjë vetëm me episodin, por me vetë thirrjen në monitor.
Milan-Sassuolo 2-2: Goli i anuluar i Pulisic
14 dhjetor. Pulisic shënon për 3-1, por goli anulohet për një mbështetje të lehtë të Loftus-Cheek mbi Candé. Nuk duket shtyrje e qartë. Sassuolo më pas barazon. Dy pikë që, sipas tifozëve, “avulluan”.
Milan-Genoa 1-1: Step on foot ndaj Füllkrug
8 janar 2026. Ostigard shkel Füllkrug në zonë. Mariani lë lojën të vazhdojë, VAR hesht. Protestat bien në vesh të shurdhër. Një tjetër “skedë” në dosje.
Milan-Como 1-1: Fundi si në Far West
18 shkurt 2026. Van der Brempt hyn ashpër ndaj Pavlovic, pa sanksion. Në fund, tension maksimal: Saelemaekers rrezikon të kuqen, Fabregas ndalon një kundërsulm duke e mbajtur me dorë. Allegri përjashtohet sërish, trajneri i Como-s jo. Më pas kërkohet përdorimi i provës televizive.
Milan-Parma 0-1: Rasti i Corvi dhe goli i Troilo
22 shkurt 2026. Corvi përplaset fort me Loftus-Cheek, pa penallti. Në fund, goli i Troilo-s fillimisht anulohet, më pas jepet pas rishikimit në monitor. Kontakti i Valenti-t mbi Maignan dhe kërcimi mbi Bartesaghi konsiderohen të rregullta. Milani proteston për meritat dhe për vetë thirrjen në VAR.
Në fund të kësaj liste, pyetja është e pashmangshme: sa pikë mungojnë realisht? Disa episode janë të qarta, të tjerë mbeten subjekt interpretimi. Por një gjë është e sigurt: sezoni i Milanit nuk ka qenë aspak i qetë nga pikëpamja arbitrare.
Mes analizave taktike dhe polemikave, e vërteta qëndron diku në mes. Por në një kampionat ku çdo pikë peshon si ar, nëntë raste të diskutueshme mjaftojnë për të ndezur një zjarr që vështirë shuhet. Dhe marsi, muaji i së vërtetës, është tashmë te dera.
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
