Milani e nisi vitin e ri ashtu siç e kishte mbyllur të vjetrin: duke fituar. Në Cagliari mjaftoi një goditje e Rafael Leaos për të marrë tre pikë të arta (0-1), një fitore “alla Allegri”, e thjeshtë, cinike dhe e pjekur.
Starti perfekt dhe një seri që flet kuqezi: 16 rezultate radhazi
Sipas kolegëve të të përditshmes së madhe sportive Corriere della Sera, ky ishte rezultati i 16-të radhazi pozitiv në Serie A për kuqezinjtë, një seri që e pati çuar Milanin përkohësisht në krye të renditjes, përpara se Interi të rimerrte fronin pas fitores ndaj Bolognës.
Por në Milanello kjo ka pak rëndësi: rëndësi ka vazhdimësia, identiteti dhe fakti që kjo skuadër nuk pengohet.
Objektivi zyrtar mbetet rikthimi në Champions League, por askush nuk është naiv: në mendjen e Allegrit ekziston fort ideja për ta luajtur Scudetton deri në fund, krah Interit dhe Napolit.
E nëse marsi do të jetë muaji i gjykimit final, atëherë janari është provimi vendimtar.
Pesë ndeshje në 18 ditë: momenti i sprintit të madh
Janari i Milanit nuk fal. Pesë ndeshje në vetëm 18 ditë do të vendosin peshë të madhe mbi këmbët dhe mendjen e skuadrës së Allegrit: Genoa në “San Siro”, Fiorentina dhe Como në transfertë, Lecce në shtëpi dhe Roma jashtë. Një mini-maratonë që kërkon menaxhim perfekt.
Në këtë fazë, sipas analizës së mediave italiane, Milani duhet të përfitojë maksimalisht nga kalendari.
Interi dhe Napoli do të kenë dy ndeshje shtesë për shkak të Champions League, ndërsa përballja direkte mes tyre më 11 janar do t’i heqë pikë dikujt.
Është ky momenti për të shtypur gazin, për të vendosur presion dhe për të qëndruar ngjitur në krye.
Allegri e përsërit si një mantra: “Duhet të arrijmë në mars në kushtet më të mira”. Por pa një janar të fortë, marsi rrezikon të mbetet vetëm një datë në kalendar.
Mbrojtje prej Scudetto dhe merkato që mund të bëjë diferencën
Janari nuk do të jetë vendimtar vetëm në fushë, por edhe jashtë saj. Pas ardhjes së Niclas Füllkrug në sulm, Allegri pret të paktën një përforcim në mbrojtje.
Dhe nuk është rastësi: Milani është sërish “blind”, me 9 ndeshje pa pësuar gol në 17 takime të kampionatit.
Statistika që në Itali kanë një kuptim të qartë dhe historik: Scudettot fitohen mbi të gjitha me mbrojtjen.
Ky Milan di të vuajë, di të mbyllet dhe di të mbrojë rezultatin. Një shtesë e synuar në repartin difensiv do ta ngrinte nivelin edhe më lart, duke i dhënë Allegrit armën e fundit për betejën finale.
Janari, pra, do të flasë. Do të tregojë nëse ky Milan është thjesht një skuadër e organizuar dhe e fortë mendërisht, apo një pretendente e vërtetë për trikolorin.
Në stilin më të pastër të futbollit, verdikti do të vijë nga fusha, po, por… edhe nga merkato.
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
