Milani mes pikëve dhe identitetit: fitore që bindin tabelën, por jo syrin e tifozit. Por, ndoshta ka ardhur dita që…

Nga 47 pikë që peshojnë si ar, te një lojë që mungon: rossonerët vërtetë po fitojnë, por nuk po mundin të bindin, në rradhë të parë tifozët. E ndërsa fusha kërkon identitet, prapaskena financiare lëkund themelet e klubit pas nëntë vitesh mozaiku të copëzuar

Milanistat
6 Min Read

Milani i sezonit 2025-2026 është një paradoks i gjallë. Një skuadër që mbledh pikë, që di të mos humbasë, që ka mposhtur të mëdhatë dhe ka dominuar Juventusin në Torino edhe pa shënuar, por që njëkohësisht prodhon pjesë të tëra ndeshjesh të dhimbshme për syrin dhe për shpirtin e tifozit.

Në fund të janarit, të dytë në renditje me 47 pikë, rossonerët e Massimiliano Allegrit janë aty ku shumë do të kishin firmosur me të dyja duart. Por janë edhe aty ku shumë të tjerë ndihen të zhgënjyer.

Sepse fitimi, në Milano, nuk ka qenë kurrë i mjaftueshëm nëse nuk shoqërohet me autoritet, lojë dhe ndjesinë e epërsisë. Dhe pikërisht këtu lind përplasja mes filozofisë së trajnerit dhe pritshmërive të ambientit.

Allegrizmi: efikas, i ftohtë, pa zbukurime

Askush nuk zbuloi sot se futbolli i Massimiliano Allegrit bazohet mbi kompaktësinë dhe soliditetin mbrojtës.

Është një filozofi e njohur, e provuar, shpeshherë e urryer, por po aq shpesh fituese. Edhe këtë sezon, strategjia po shpërblehet në tabelë, në bilancin e pikëve dhe në renditje.

Njollat, megjithatë, janë aty: eliminimi i parakohshëm në Kupën e Italisë, Superkupa e humbur keq ndaj Napolit dhe mbi të gjitha një mori rastesh të shpërdoruara kundër skuadrave të nivelit mesatar ose të ulët në klasifikim. Jo për mungesë cilësie absolute, por për mungesë guximi, intensiteti dhe ideje në fazën ofensive.

Dy Milanë në një: rezultatet kundër lojës

Nga njëra anë janë ata që shohin renditjen dhe buzëqeshin: 47 pikë, vendi i dytë, fitore kundër rivalëve direktë. Nga ana tjetër janë ata që shohin fushën dhe rrudhin ballin, sepse pjesët e para të Milanit janë gjithnjë e më të pakuptueshme.

Ndeshjet ndaj Como-s, Fiorentinës dhe Romës – pa harruar më herët Torinon – kanë ofruar 45 minuta të parë të denjë për harresë. Presion njëkahësh, dominim i kundërshtarit dhe vetëm Mike Maignan që mban në këmbë një skuadër të mpirë, sidomos në Olimpico, ku spektakli ishte afër makthit.

Të mbrohesh apo të shërbesh? Ky është problemi

Ka një ndryshim i madh midis pritjes së kundërshtarit për të shfrytëzuar hapësirat dhe mbrojtjes pasive pa asnjë reagim. Milani shpesh bie në variantin e dytë. Skuadra është e ngjeshur mbrapa, e shkurtër, por sapo një lojtar merr topin, shokët e ekipit “zhduken”.

Distancat janë absurde: më i afërti ndodhet 30 metra larg. Ndërtimi nga poshtë shndërrohet në një ritual të lodhshëm mes Maignan, Tomori, Gabbia dhe De Winter, derisa topi të dërgohet gjatë, zakonisht nga Gabbia.

Dhe aty historia përsëritet: topi kthehet mbrapsht me dyfishin e shpejtësisë, sepse askush përpara nuk e mbron, nuk e mban, nuk i jep frymë skuadrës.

Mesfusha që mbron, por nuk krijon

Në pjesët e para, mesfusha është thuajse e sakrifikuar për të forcuar linjën mbrojtëse. Ndërtimi është minimal, fantazia e cunguar. Vetëm kur kundërshtari bie fizikisht – “sipas ungjillit të Max-it” – fillon një tjetër ndeshje. Jo gjithmonë e bukur, por shpesh produktive.

Situata ndërlikohet nga gjendja jo optimale e Leao-s dhe Pulisic-it, lodhja e Saelemaekers, enigma Nkunku dhe një mesfushë që duket në provë të përhershme: Rabiot, Modric, Fofana jashtë forme, Ricci në rritje të ngadaltë. Një mozaik që ende nuk ka gjetur figurën finale.

Në këtë kontekst, një emër del si mundësi konkrete për ndryshim: Fullkrug. Një sulmues që di të mbajë topin, të mbrojë aksionin dhe të lejojë skuadrën të ngjitet. Mund të ndihmojë? Po, shumë. Ndoshta edhe duke nisur një ndeshje si titullar, më herët apo më vonë. Që Milani të mos asistojë vetëm, por të mbrohet dhe të rifillojë me kuptim.

Praskena financiare: një klub në tranzicion të përhershëm

Jashtë fushës, panorama është po aq e trazuar. Që nga ndarja nga jeta e Silvio Berlusconit, Milani është kthyer rregullisht në faqet e financës: aksione, stadium, bilance, tani edhe një tjetër fragmentim pronësie.

Nga Yonghong Li te Elliott, më pas RedBird dhe Cardinale, tani Manulife/Comvest. Termat e private equity, hedge fund, vendor loan janë bërë pjesë e përditshmërisë së tifozit, edhe pse pak kush i kupton vërtet. Megjithatë, sipas analizave të fundit, ekziston edhe një fije shprese për një Milan më ambicioz në merkato, me ëndrra si Goretzka, Vlahovic apo emra të tjerë të mëdhenj.

Fundi i mozaikut? Ndoshta po

Ndjesia është se këtë herë mund të jetë vërtet fundi i një epoke të gjatë fragmentimi. Pas nëntë vitesh mozaik, ndoshta një tablo me ngjyra të plota do të varet më në fund në mur.

Në botën e financës së lartë nuk flitet para se marrëveshjet të mbyllen. Heshtja, ndonjëherë, është shenjë e ndryshimit.

Kur të vijë zyrtarizimi, do të jetë koha për gjykime të qarta. Deri atëherë, tifozët mbahen fort pas 47 pikëve dhe shpresës se, brenda dhe jashtë fushës, Milani të gjejë më në fund identitetin që i takon. Me kusht që në krye të interesave të jenë vërtet… ngjyrat kuqezi. 🔴⚫


BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>



Share This Article