Në Ligë, presidenti Ezio Simonelli i ka shkruar Gianni Infantinos për zyrtarizuar çështjen: luhet apo jo Milan–Como në Perth? Ideja pati lindur nga Milani dhe e pranuar me entuziazëm nga Como, ndërsa Lega Serie A e shtyu me forcë për të shitur më mirë produktin e vet. Dhe megjithatë, në prapaskenë, janë parë lëvizje që tregojnë shqetësime krejt të tjera.
Opsioni i fshehtë dhe refuzimi i çuditshëm
Lega kishte gati planin B: rikuperim i ndeshjes në dritaret e mundshme të play off-eve të Champions League. Ndërsa sugjerimi për të ndërruar fushën – fillimisht i shtyrë nga vetë Milani – u hodh poshtë në mënyrë të beftë. Pse? Asnjë shpjegim zyrtar, por shumë dyshime.
Pa Perth, pa merkato? Një rrezik absurd
Pesë milionë eurot e parashikuara nga udhëtimi në Australi nuk janë një shumë që përcakton fatet sportive të një klubi si Milani. Por për disa kontabilistë të Casa Milan, mungesa e kësaj të ardhure do të thotë: asnjë investim në janar. Asnjë mbrojtës. Asnjë sulmues. Asnjë përforcim për një skuadër që, numerikisht dhe teknikisht, vuan ndaj konkurencës.
Nëse kjo logjikë fiton, Milani jo vetëm do të heqë dorë nga forcimi i domosdoshëm, por do të marrë mbi vete edhe përgjegjësinë morale për çdo rezultat të pamjaftueshëm. Dhe skuadra e di shumë mirë që ka nevojë për oksigjen të ri.
Allegri beson, Scaroni druhet
Këtu qëndron kontrasti i madh.
- Allegri, në publik flet për Champions-in.
- Nën rrogoz, e di që me dy–tre goditje të sakta mund të rrijë në garë me Interin dhe Napolin.
Ndërkohë Scaroni – publikisht dhe privatisht – flet për bilanc, humbje, mungesë të ardhurash nga Champions-i. Dy vizione të ndryshme për të njëjtin klub, në të njëjtin sezon, për të njëjtin objektiv.
Dhe gabimet e së shkuarës? Kush paguan?
Është e vërtetë: janari i vitit 2025 solli blerje të kushtueshme që nuk dhanë fryt. Por fajtori nuk janë as Allegri, as Tare, as lojtarët. Ato vendime, duke përfshirë edhe marrëveshjen e diskutuar për Gimenez, burojnë nga ata që drejtuan operacionet teknike dhe financiare të atij muaji.
Dhe sot, ato gabime po përdoren si arsye për të mos investuar përsëri.
Milani ka nevojë për guxim, jo frikë
Ndërkohë që Italia e futbollit diskuton për Perth-in, Milani rrezikon të mos shohë dramën reale: një skuadër që ka uri, një trajner që ka ambicie dhe një drejtim që ka frikë nga Excel-i.
Në futboll, titujt nuk fitohen duke kursyer 5 milionë.
Fitohen duke ndërtuar skuadra të forta.
Dhe këtë, në Casa Milan, dikush duket se e ka harruar.
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
