Eliminimi në Superkupë ka lënë shije të hidhur, por ndoshta më shumë se i dhimbshëm ka qenë i drejtë.
Milani i sotëm po jeton një moment delikat, një nga ato faza ku rezultatet, loja dhe zgjedhjet jashtë fushe përplasen duke nxjerrë në pah gjithë ato kontradikta të projektit.
Dy humbje në katër ndeshjet e fundit dhe vetëm një fitore janë një bilanc që flet qartë, por alarmi më i madh vjen nga prapavija: dy gola të pësuar për ndeshje në tri takimet e fundit, një trend negativ që nuk ka asgjë “alla Allegri”.
Trajneri duhet të ndërhyjë, sigurisht, por pyetja e madhe është: me çfarë mjetesh? Sepse një ekip nuk rindërtohet vetëm me ide, sidomos kur merkatoja ka lënë më shumë boshllëqe sesa zgjidhje. Dhe mbi të gjitha, mbi çdo analizë teknike, qëndron një hije e rëndë që po kushtëzon çdo vendim: bilanci.
Një mbrojtje më e dobët dhe alarmi që nuk mund të injorohet
Statistikat janë të pamëshirshme. Milani po pëson shumë, shumë më tepër nga sa lejon ADN-ja e një skuadre të drejtuar nga Allegri. Dy gola të pësuar për ndeshje nuk janë thjesht një rastësi, por simptoma e një problemi strukturor.
De Winter, i blerë për rreth 20 milionë euro, sot është në vështirësi ekstreme. Një çmim i tillë nënkuptonte një rendiment krejt tjetër. Nëse këtij investimi i shtojmë edhe 10 milionët për Odogu, del qartë se një pjesë e madhe e të ardhurave nga shitja e Thiaw është investuar keq. Rezultati? Një repart mbrojtës më i dobët se më parë dhe ndjesia e fortë se nuk do të vijë asnjë përforcim i aftë për ta përmbysur situatën.
Merkatoja verore, një gjyq pa apel
Bilanci i merkatos verore, sot, është i pamëshirshëm. Operacionet vërtet pozitive janë vetëm ato të Modrić dhe Rabiot – ky i fundit pothuajse rastësisht – ndërsa Ricci mund të quhet diskret dhe Jashari mbetet për t’u vlerësuar në javët e ardhshme. Për pjesën tjetër, më mirë të hidhet një perde.
Rasti Nkunku është emblematik dhe njëkohësisht tronditës: krahasimi me Hojlund në ndeshjen e fundit ishte i dhimbshëm, diferenca mes tyre abisale. Një “kartolinë” e qartë për zyrat e larta të Casa Milan, që tregon se sa larg është Milani nga standardet që pretendon të ketë në sulm.
Fullkrug dhe blerjet “pa kuptim”
Edhe Fullkrug rrezikon të përfundojë në sirtarin e “afereve pa sens”. Asterisku mbi kushtet e tij fizike është gjigant dhe nuk mund të injorohet. Por, në fund, ai kushton zero. Dhe kjo mjafton. Sepse, para së gjithash, vjen bilanci.
Një pikë nga kreu, por pa përgjigje nga klubi
Paradoksi është i qartë: Milani është vetëm një pikë larg vendit të parë, pavarësisht vështirësive evidente të skuadrës. Në një situatë të tillë, përgjigjja e klubit nuk mund të jetë kjo. Dhe megjithatë, duket se është pikërisht kjo.
Milan Futuro po, skuadra e parë jo
Ndërsa për ekipin e parë buxheti duket zero, flitet për investime prej rreth dhjetë milionë eurosh për Milan Futuro, për emra si Arizala dhe Kostic. Pse? Sepse ata përfaqësojnë potenciale plusvalenca të së ardhmes. Edhe këtu, logjika është e njëjtë: para së gjithash bilanci.
Perth, simboli i një filozofie të gabuar?
Në këtë kontekst, çështja Perth është bërë edhe më e trishtë dhe e turpshme. Jo vetëm për Federatën, por sidomos për drejtuesit kuqezinj, që për disa milionë euro shkojnë në anën tjetër të botës, duke rrezikuar ekuilibrin psiko-fizik të skuadrës dhe, rrjedhimisht, rezultatet.
Shprehja e Allegri-t para kamerave, i detyruar të komentojë këtë lajm, thotë gjithçka. Mesazhi që klubi i dërgon trajnerit dhe ekipit është i qartë dhe shqetësues: “rrezikojmë në fushë, por e rëndësishme është bilanci”.
Një farsë edhe në arbitrazh
Groteske është edhe pranimi që ndeshja të drejtohet nga një trupë arbitrash aziatikë, të mësuar me interpretime, udhëzime dhe protokolle të ndryshme nga tonat. Një gjë e tillë nuk duhet të lejohet as në nivel rregullor.
Në fund të sezonit, 379 ndeshje do të jenë luajtur në Itali me arbitra italianë dhe vetëm një jashtë, shumë jashtë Italisë, me arbitra aziatikë. Duket si shaka, por është realitet. Dhe edhe këtu, refreni nuk ndryshon: para së gjithash bilanci.
Milani sot është një klub i kapur mes ambicies sportive dhe obsesionit financiar. Një skuadër që mund të jetë konkurruese, por që rrezikon të vetë-sabotohet nga zgjedhje që nuk kanë të bëjnë me fushën. Sepse kur gjithçka, nga merkatoja te udhëtimet absurde, nga arbitrazhi te ndërtimi i skuadrës, filtrohet vetëm përmes një kriteri, rezultati është i pashmangshëm.
Para së gjithash bilanci. Dhe futbolli? Ai vjen gjithmonë pas!!!
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
