Mercato nuk fle kurrë në Casa Milan. Në korridoret e klubit të rrugës Aldo Rossi po punohet me laps e kalkulator, me telefonata strategjike dhe me skenarë të shumtë. Administratori i deleguar Giorgio Furlani, drejtori teknik Geoffrey Moncada dhe drejtori sportiv Igli Tare kanë një plan të qartë: të mos kapen në befasi kur sezoni të mbyllet dhe negociatat të hyjnë në fazën e nxehtë.
Milan po përgatit një verë të madhe. Jo thjesht për të përforcuar skuadrën, por për t’i dhënë identitetin e ri projektit të Massimiliano Allegrit. Dhe shifrat janë aty për ta mbështetur.
150 milionë arsye për të ëndërruar
Si çdo vit, baza financiare do të vijë nga kualifikimi në kupat evropiane – me shpresën e madhe që të jetë Champions League – që garanton rreth 50 milionë euro. Por kjo është vetëm pika e nisjes.
Ideja e klubit është të shtojë rreth 60 milionë euro të tjera nga shitjet e Youssouf Fofana dhe Santiago Gimenez. Nuk pritet një “sakrificë e shkëlqyer” si largimet e Theo Hernandez dhe Tijjani Reijnders në 2025, por dy dalje të rëndësishme janë në axhendë.
Këtyre u shtohen të ardhurat nga lojtarët në huazim që janë shitur ose pritet të shiten përfundimisht, si Alex Jimenez, Tommaso Pobega, Lorenzo Colombo dhe Samuel Chukwueze. Totali? Një buxhet rreth 150 milionë euro për merkato hyrëse.
Një shumë që lejon ndërhyrje në të gjitha repartet: dy mbrojtës qendrorë, dy anësorë, një ose dy mesfushorë – në varësi të vendimit të Luka Modric për të ardhmen – dhe të paktën një sulmues i madh.
Firma e Tares: nga Gila te Goretzka
Igli Tare dëshiron të lërë gjurmën e tij. Ashtu siç bëri në vitin 2015 te Lazio, kur zbuloi Sergej Milinkovic-Savic nga Genk dhe e ktheu në një nga mesfushorët më të fortë të Serie A.
Në mbrojtje, objektivi kryesor është Mario Gila, spanjolli që vetë Tare e solli në Itali në vitin 2022 nga akademia e Real Madrid te Lazio. Një profil i ri, por me përvojë dhe personalitet.
Në mesfushë, tundimi quhet Leon Goretzka. Gjermani pritet të lirohet nga Bayern Munich dhe përfaqëson një mundësi të artë për një transferim me parametra zero. Forcë, përvojë ndërkombëtare dhe lidership – elementë që Allegri i vlerëson.
Por qendra e vëmendjes mbetet sulmi. Tare ka kontakte me menaxherët e Dusan Vlahovic dhe Robert Lewandowski. Dy emra që flasin vetë. Serbi është në fund kontrate me Juventusin, polaku një simbol i golit evropian. Operacione të komplikuara, por jo të pamundura nëse kushtet ekonomike dhe sportive përputhen.
Goditjet “low cost” që mund të shpërthejnë
Tare, megjithatë, nuk mendon vetëm për emra të mëdhenj. Strategjia e tij përfshin edhe investime inteligjente, me kosto të ulët, por potencial të lartë.
Sipas zërave të merkatos, në tryezën e tij janë dy talente të lindur në 2004: Ilya Krupskyi dhe Ermir Rashica. Të dy aktualisht te Metalist Kharkiv në Ukrainë.
Krupskyi është një anësor modern, i aftë të luajë në të djathtë – roli natyral – por edhe në të majtë. Dinamik, teknik dhe me hap të gjatë. Rashica, sulmues kosovar me origjinë shqiptare, lëviz në të gjithë frontin ofensiv: nga krahët deri në qendër, kur kërkohet si pikë referimi.
Çmimi i të dyve? Nën 5 milionë euro secili. Investime “low cost” që mund të japin dividendë sportivë dhe ekonomikë në të ardhmen. Pikërisht filozofia që solli Milinkovic-Savic në radar dhe e shndërroi në një histori suksesi.
Revolucioni i Allegrit nis nga merkato
Massimiliano Allegri pret një Milan më të plotë, më të balancuar dhe me alternativa të vërteta në çdo repart. Sezoni aktual ka treguar potencial, por edhe boshllëqe. Mbrojtja ka nevojë për lider, mesfusha për energji dhe kreativitet, sulmi për një “9” që garanton gola.
Me 150 milionë euro në dispozicion, klubi mund të ndërtojë një skuadër me dy fytyra: eksperiencë dhe rini, siguri dhe investim.
Vera do të jetë momenti i së vërtetës. Mes telefonatave, klauzolave dhe negociatave të fshehta, Casa Milan po përgatit një fushatë që mund të ndryshojë ekuilibrat e Serie A.
Në fund, merkato është arti i vizionit. Dhe këtë herë, Milani nuk dëshiron thjesht të përforcohet. Dëshiron të dërgojë një mesazh: projekti është gati për hapin e madh.
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
