Ndër synimet e mira për vitin e ri, është njëri që i tejkalon gjithë të tjerët. Që është: duhen dëgjuar thirrjet që vijnë nga tifozët. Jo të gjitha, të kuptohemi. Sepse tanimë, falë rrjeteve sociale, ka nga ata që për të rrëmbyer klikime dhe për të rritur klientët e llogarive të tyre, vetëm vjellin fyerje dhe shpikin gjithçka. Milani, i dalë i goditur prej 2024-ës, ka detyrimin t’i dëgjojë thirrjet e dhimbjes së sinqertë që vijnë nga populli i tij i sinqertë i tifozëve, të cilët janë burimi më i madh, por aq shpesh i nënvlerësuar këto vitet e fundit. Çfarë kërkojnë? Është shumë e thjeshtë. Kërkesa e parë që s’mund të shtyhet më: fuqizimi i menaxhimit sportiv që nënkupton një drejtor të ri sportiv, ekspert dhe kompetent, një club manager që do të jetë në Milanello gjithnjë vigjilent dhe me një vizionin e përgjithshëm më pak të improvizuar. Sepse vështirësitë që përjeton Ekipi i Parë i shohim përpikmërisht edhe te Milan Futuro, ku kampionati duket se ka qenë i improvizuar dhe jo i planifikuar, si edhe në sektorin e femrave. Pjesërisht vetëm sektori i të rinjve që e mbyll zinxhirin me skuadrën e Primaverës po jep disa fryte falë drejtimit të Vergine dhe Guidit, drejtor sportiv dhe trajner.
Kërkesa e dytë: një merkato e mençur dhe e madhe. Me ardhjen e Conceição-s, u hodh në kosh ideja e çmendur për të konsideruar shitjen e Tomorit, më shumë e shtyrë nga Torino sesa e konsideruar realisht në casa Milan. Pastaj i duhet hedhur një sy organikës dhe të nxirren mësime: edhe pse me Bennacer në shëndet të plotë, marrja e Bondo nga Monza nuk do të ishte një sakrificë e madhe. Shtimi edhe i Kolo Muanit në sulm mund të jetë një zgjidhje e dobishme për të gjithë. Por pasuria më e çmuar është një tjetër: rikthimi në kauzë i të gjithë të lënëve pas dore nga Fonseca, duke filluar nga Calabria e duke mbaruar me Tomorin dhe Pavloviç. Kemi nevojë për unitetin e grupit, arësye madhore kjo që shtyn fort çdo ditë.
Së fundi është edhe një aspekt politik që, në mënyrë absurde, shpesh anashkalohet. Në nivel federativ, në Lega Serie A dhe sektorin e arbitrave, Milani ka praktikisht zero peshë. Kjo u pa edhe me rastin e shtyrjes së ndeshjes Bologna-Milan që ndoshta mund t’i kishte dhënë një kthesë krejt tjetër sezonit, ndoshta edhe vetëm për faktin se dy lojtarët e pezulluar Theo dhe Reijnders mund të përdoren kundër Napolit të Antonio Contes. Këtu Milani duhet të gjejë një figurë që të merret me çështjet e arbitrimit dhe rregullatore. Sepse Scaroni ka edhe shumë angazhime të tjera profesionale dhe e ka të vështirë të ndjekë dosjen e stadiumit, e aq më të mund të kujdeset për këtë çështje. Sepse një tjetër deficit është edhe llogaritja e gabimeve arbitrale të pësuar e që po bëhet shumë e rëndë. I referohemi penalltisë së munguar ndaj Reijnders në ndeshjen Milan-Roma (kur rezultati ishte ende 1-0), që është vetëm i fundmi i rasteve në rend kronologjik.
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE MILANISTAT.COM, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT TË DITËS, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA MILANISTAT.COM, ME BASHKËPUNËTORË NË ROMË, MILANO, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK, MUND T’JU OFROJË NË ÇDO MOMENT TË DITËS. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>, OSE TË KLIKOSH KËTU>>>>
Conceição u soll si një rreshter i hekurt. I dha menjëherë një dorë ndryshe zakoneve të shtëpisë, pa ditë pushimi, zgjim herët në mëngjes, seanca stërvitore që zgjasin dy orë a më shumë. A ishte kjo ajo që duhej? Ndoshta po. Ndoshta nevojitej edhe kjo. Por ajo që nevojitet me patjetër do të jetë rikuperimi i burimeve më të mira, krijimi i një strukture më solide në fazën mbrojtëse dhe arritja menjëherë e rezultateve, që në muajin vendimtar të janarit. Në fillim të shkurtit, kur edhe është derbi, Milani mund të jetë jashtë gjithçkaje.