Santiago Giménez erdhi në Milano në merkaton e janarit tw shkuar mes entuziazmit të madh të tifozëve kuqezinj. I quajtur “El Bebote” dhe i shoqëruar nga statistika premtuese në kampionatet e mëparshme, ai shihej (dhe shihet akoma) si arma e re e sulmit. Por pjesa e dytë e sezonit nuk solli atë shpërthim që pritej: pak gola, pak ndikim dhe më shumë dilema sesa siguri. Në fund të fundit, ashtu si e gjithë skuadra milaniste, e cila dështoi me plot kuptimin e fjalës. Pikërisht ky vakum në performancë është bërë sot terren pjellor për zëra që, dita ditës, kanë nisur të flasin me një insistim të çuditshëm për një largim të bomberit meksikan.
“Operacioni Giménez”: skema e fshehtë për ta dobësuar Milanin
Por pse kërkohet ta largojnë kaq shpejt një lojtar që sapo ka mbërritur? Përtej justifikimeve të zakonshme – adaptimi i vështirë, skemat e Allegri-t, nevoja për fonde – mendoj se qëndron një prapavijë më e fortë.
Një pjesë e mirë e atyre që ushqejnë narrativën e “shitjes së afërt” nuk veprojnë thjesht për të analizuar situatën sportive. Ato e shohin Giménez-in si një rrezik real për skuadrat që ata preferojnë: një sulmues që, nëse gjen ritmin e duhur, mund të kthehet në makthin e mbrojtjeve rivale. Prandaj krijimi i klimës së pasigurisë është një strategji e heshtur për të goditur Milanin. Në këtë kuptim, “largimi i shpejtë” është më shumë një armë psikologjike sesa një realitet i prekshëm. Lajmet e përsëritura për një largim nuk janë vetëm fake news, por edhe një lloj presioni i orkestruar që synon destabilizimin e Rossonerëve në një moment vendimtar.
Rivalët kundër “El Bebote”-s dhe vetë Milanit
Në këtë betejë të padukshme, çdo ditë shfaqen tituj që parashikojnë një shitje të afërt, shpesh pa burime konkrete. Është një lëvizje tipike e futbollit modern, ku “lufta” nuk zhvillohet vetëm në fushë, por edhe në faqet e gazetave. Për mediat që mbështesin rivalët, një Milan i fortë me një bomber të ri si Giménez nuk është aspak i dëshiruar.
Heshtja e lojtarit, zëri i agjentes
Ndërkohë që spekulimet bëhen përditë e më të zhurmshme, Santiago Giménez zgjedh të heshtë. Asnjë deklaratë publike, asnjë koment mbi të ardhmen. I vetmi zë është ai i agjentes Rafaela Pimenta, e cila i ka mohuar të gjitha zërat, duke i quajtur thjesht “fake news”. Një qëndrim i matur, i cili tregon se lojtari kërkon të flasë me lojë, me gola e jo me fjalë boshe.
Klubi në udhëkryq: ta mbrojë apo ta shesë?
Nga ana tjetër, drejtuesit e Milanit përfliten se mund të pranojnë një ofertë rreth 28 milionë euro, duke pasur ende në radar të përkëdhelurin e Max Allegrit, Dushan Vlahovic si alternativë, apo ardhjen e djaloshit 20 vjeçar danez Conrad Harder.
Por deri tani gjithçka mbetet në nivel spekulimesh. E sigurt është vetëm dilema: të besohet ende tek El Bebote, apo të hapet rrugën për një emër tjetër?
Një luftë jashtë fushe
Çështja Giménez nuk është thjesht një histori transferimesh. Është një betejë e fshehtë, ku mediat rivale dhe interesat e jashtme përpiqen ta paraqesin largimin si të pashmangshëm. Për Milanin, sfida e vërtetë nuk është vetëm të gjejë golat në fushë, por edhe të rezistojë ndaj këtij presioni të jashtëm. Nëse ia del, atëherë El Bebote mund të kthehet në surprizën e madhe të sezonit – dhe në përgjigjen më të mirë ndaj atyre që sot e duan larg.