Në orët e fundit të merkatos dimërore, Milani është kthyer në një enigmë për t’u zgjidhur. Një rebus i vërtetë me emrin Jean-Philippe Mateta. Ajo që deri dje dukej si goditja e madhe për t’i dhënë Massimiliano Allegrit sulmuesin e shumëpritur, sot është shndërruar në një garë me kohën, nervat dhe… një gju të dyshimtë. Në Casa Milan mbretëron tensioni: vendimi final është pranë, por rreziku i kolapsit të operacionit është real.
Gjithçka dukej e mbyllur: 30 milionë dhe drita jeshile nga Londra
Sipas asaj që raportohet gjerësisht kudo nëpër mediat sportive, marrëveshja mes Milanit dhe Crystal Palace ishte arritur mbi bazën e rreth 30 milionë eurove. Një investim i rëndësishëm, i menduar për të ngritur nivelin e repartit ofensiv dhe për t’i dhënë Allegrit një pikë referimi fizike dhe konkrete në sulm. Mateta pati dhënë miratimin e tij total, klubi anglez po ashtu. Madje, sulmuesi francez kishte kryer edhe vizitat mjekësore në Londër për llogari të kuqezinjve.
Por pikërisht aty, gjatë kontrolleve, diçka nuk ka bindur plotësisht. Për t’u kuptuar gjithçka duhet të kthehemi pas rreth gjashtë vitesh, te koha e Mainz, kur Mateta pësoi një dëmtim serioz në gju që e mbajti jashtë fushave për afro pesë muaj. Një histori e vjetër, por që sot rikthehet si fantazmë, duke ndezur alarmin në zyrat e Milanit.
Sot verdikti final: gjithçka varet nga ai gju
Sot është dita e së vërtetës. Do të kryhet një kontroll i detajuar pikërisht në atë gju problematik, edhe nën mbikëqyrjen e mjekëve të Milanit, të cilët kërkojnë garanci maksimale përpara se të japin “ok”-in për një operacion kaq të rëndësishëm ekonomikisht. Nëse tabloja klinike do të jetë bindëse, Mateta do të fluturojë menjëherë drejt Milanos për të veshur fanellën kuqezi. Në të kundërt, marrëveshja do të hidhet poshtë pa mëshirë.
Nga ana tjetër, Crystal Palace ishte organizuar për çdo skenar. Klubi londinez ka gjetur tashmë zëvendësuesin e Matetas: norvegjezin Jørgen Strand Larsen, sulmues i Wolverhampton, për të cilin është gati të investojë një shifër të lartë, pranë 50 milionë eurove. Drita jeshile për largimin e francezit ishte dhënë. Por Milani, me maturinë tipike italiane dhe kujtimet e hidhura të së kaluarës, ka vendosur të shohë deri në fund brenda çështjes fizike të lojtarit.
Ëndrra e Mateta dhe frika e Milanit
Mateta shpreson. Ai e di se kjo është mundësia e madhe për kërcimin cilësor në karrierë, për të hyrë në një klub historik si Milani dhe për të qenë protagonist në Serie A. Milani, nga ana tjetër, dridhet: një po ose një jo që vlen miliona, por mbi të gjitha vlen një sezon të tërë.
Orë vendimtare, fryma e mbajtur, San Siro në pritje. Merkatoja nuk fal dhe Milani është përballë një zgjedhjeje që mund të peshojë rëndë në të ardhmen e afërt. Rebus Mateta është gati të zgjidhet. Në një drejtim ose në tjetrin.
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
