Sot është dita kur Alvaro Morata do të bëhet zyrtarisht një lojtar i ri i Milanit: pas vizitave rituale mjekësore, sulmuesi spanjoll do të firtmosë një kontratë katërvjeçare plus një opsionale me 5.5 milionë euro në sezon. Paulo Fonseca do të ketë kështu sulmuesin e ri, por portugezi nuk është i kënaqur dhe po pret edhe ardhjen e një tjetër sulmuesi.
KONTAKTE POZITIVE – E shkruajnë kolegët e të përditshmes Tuttosport, duke shpjeguar se pasi mbyllën blerjen e Moratës nga Atletico Madrid, drejtuesit e Milanit po vazhdojnë diskutimet për Niclas Füllkrug të Borussia Dortmundit dhe Tammy Abraham të Romës. Gjermani mund të shtynte për t’u larguar pas ardhjes së Guirassy, zbarkimi i të cilit ishte bllokuar për shkak të një problemi gjatë vizitave mjekësore, por orët e fundit ai mori dritën jeshile pas kontrolleve të reja të specialistëve në gju që kanë përjashtuar operacionin dhe kështu marrëveshja u zhbllokua sërish. Me ardhjen e tij në Dortmund, Füllkrug rrezikon të humbasë vendin e titullarit dhe për këtë arsye mund të vlerësojë mundësinë e ndryshimit të ekipit. Kontaktet mes Milanit dhe agjentëve të gjermanit deri më tani kanë qenë më se pozitive ndaj për këtë arsye është një pistë për t’u pasur parasysh me shumë kujdes.
VARET NGA ROMA – Përveç tij, klubi i rrugës Aldo Rossi po çon përpara kontaktet edhe për Abrahamin, qendërsulmuesin anglez në largim nga Roma. Lojtari pëlqehet shumë nga Fonseca dhe në Milanello ai do të gjente mikun e tij të madh Tomorin, por shumë do të varet nga kërkesat e Romës që tani për tani kërkon 25 milionë euro për kartonin e tij. Milani nuk e ka ndërmend ta shpenzojë këtë shumë, por gjithsesi e mban gjallë këtë pistë dhe atë që të çon në Füllkrug.