Milan mes skepticizmit dhe dyshimit të përhershëm: pse një skuadër që fiton bind kaq pak?

Një skuadër që fiton pa bindur, një trajner që siguron ekuilibër por jo entuziazëm dhe një ambient i lodhur nga pritshmëritë e tradhtuara: mes rezultateve, lojës që mungon dhe një merkatoje që nuk ngjall më besim, pse Milani i Allegrit jeton nën hijen e dyshimit të përhershëm

Milanistat
5 Min Read

Një ndjesi e çuditshme po qëndron prej kohësh pezull rreth Milanit të Massimiliano Allegrit. Një ndjenjë që shkon përtej rezultateve të pastra, përtej klasifikimit, përtej pikëve të grumbulluara. Ngjan me një deluzion të përhapur, pothuajse kolektiv, që bashkonanalistë, media, një pjesë të mire të tifozëve dhe – siç duket – edhe vetë… fati. Një Milan që fiton shpesh kundër të mëdhenjve, por që ngec ndaj të vegjëlve; një Milan që lufton, që reziston, por që rrallëherë bind plotësisht. Dhe mbi të gjitha, një Milan që shihet gjithmonë me dyshim, edhe kur faktet do të kërkonin më shumë besim.

Një klimë mosbesimi që ushqehet vetvetiu

Sot mjafton të përmendet një emër merkatoje – qoftë ai i madh apo i panjohur – dhe reagimi i parë i opinionit është refuzimi. “Nuk është ai që na duhet”, “shumë i shtrenjtë”, “shumë i dobët”, “i vjetër”, “pa perspektivë”. Çdo hipotezë bie nën shpatën e skepticizmit. Kjo tregon jo vetëm një pakënaqësi ndaj drejtuesve, por një lodhje emocionale të thellë të ambientit. Një tifozëri që ka parë shumë projekte të shpallen fituese dhe të përfundojnë në zhgënjim, sot nuk beson më apriori askënd.

Fitore “alla Allegri”: pragmatizëm apo kufi strukturor?

Nga ana tjetër, duhet thënë: Milani i Allegrit nuk është një skuadër e bukur për t’u parë. Fitoret kundër rivalëve direktë shpesh vijnë në mënyrë të mundimshme, me një gol diferencë, duke vuajtur deri në sekondën e fundit. Kjo është filozofia e Allegrit: rezultati mbi gjithçka. Dhe në disa raste, kjo qasje ka funksionuar, duke e mbajtur Milanin në garë në momentet kyçe të sezonit.

Por, lind natyrshëm pyetja: a mjafton kjo? Kur kundër skuadrave të vogla, aty ku pritet dominim dhe vazhdimësi, Milani humb pikë rregullisht, atëherë dyshimi bëhet strukturor. Nuk është më vetëm çështje fati apo episodësh, por diçka që nuk funksionon në mekanizmin e përditshëm të skuadrës.

Loja që mungon dhe identiteti që nuk bind

Problemi kryesor i këtij Milani duket të jetë mungesa e një identiteti të qartë loje. Kundër të mëdhenjve, skuadra di të mbrohet, të mbyllë hapësirat dhe të godasë në momentin e duhur. Kundër të vegjëlve, kur duhet të propozojë, të ndërtojë, të marrë iniciativën, dalin në pah limitet teknike dhe mendore. Qarkullimi i topit është i ngadaltë, idetë janë të pakta dhe shpesh gjithçka reduktohet te ndriçimet individuale, të pamjaftueshme për të fituar vazhdimisht.

Kjo krijon frustrim, sepse tifozët shohin një skuadër që “di si të vuajë”, por jo gjithmonë “si të imponojë veten”.

Allegri: garanci apo simbol i mosbesimit?

Massimiliano Allegri është një figurë që ndan opinionin. Për disa është garanci stabiliteti, për të tjerë simbol i një futbolli konservator, i vjetruar, që nuk përfaqëson ambicien historike të Milanit. Edhe kur rezultatet janë aty, perceptimi mbetet negativ. Dhe këtu lind një paradoks: Milani fiton, por nuk entuziazmon; është konkurrues, por nuk emocionon. Dhe pa emocion, në një klub si Milani, besimi zbehet shpejt.

Fati kundër apo pasojë e mungesës së besimit?

Edhe fati duket shpesh kundër: dëmtime, episoda arbitrare, ndeshje që rrëshqasin nga duart në minutat finale. Por sa është vërtet fat i keq dhe sa është pasojë e një skuadre që nuk arrin kurrë ta mbyllë ndeshjen? Kur vazhdimisht jeton në ekuilibër, çdo episod kthehet në rrezik.

Deluzion i padrejtë apo pyetje legjitime?

Deluzioni ndaj Milanit nuk lind nga hiçi. Ai është rezultat i pritshmërive të larta, i historisë së rëndë që klubi mbart dhe i një realiteti që ende nuk jep përgjigje të qarta. Nga njëra anë, ky Milan është konkurrues dhe i gjallë; nga ana tjetër, mbetet i brishtë, i pasigurt dhe shpesh i pashpjegueshëm.

Pyetja e madhe mbetet e hapur: a është ky maksimumi i mundshëm me këtë organikë dhe këtë trajner, apo thjesht një fazë kalimtare përpara një rritjeje të vërtetë? Derisa kjo përgjigje të vijë, skepticizmi do të vazhdojë të jetë shoqëruesi më besnik i Milanit.


BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>



Share This Article