Gjë e paparë më parë në historinë e fundit të merkatos. Diçka e paprecedentë sidomos kur përkthehet në kontekstin e një klubi të madh si Milani. Ajo që po ndodh në casa Milan gjatë këtyre ditëve të fundit të furishme negociatash është diçka e pabesueshme. Që nuk ka asnjë precedent. Pas vetëm 6 muajsh nga nisja e sezonit, drejtuesit kuqezinj zhbëjnë thuajse tërësisht fushatën e merkatos së verës së kaluar si edhe vënë në dyshime mjaft prej investimeve të bëra gjatë vitit 2023, kur hyri në lojë grupi i punës që i zuri vendin Paolo Maldinit dhe Frederic Massarës. Por ka edhe më: deri edhe simbolet e fundit të Scudettos 2022, nga Theo Hernandez te Tomori, nga Calabria e deri te vetë Rafa Leao, nuk konsiderohen më të paprekshëm. Nga këtu e deri në qershor, kushdo është në diskutim dhe kushdo, përballë ofertës së duhur, mund të bëjë gati valixhet.
Për një numër lojtarësh që largohen, do të blihen po aq. Kështu pra, më shumë se një revolucion, ajo që po ndodh duket më shumë si një larje hesapesh. Sepse kronikat gjithnjë e më të trazuara nga Milanello dhe rrethinat, kontrastet që deri pak muaj më parë kishin të bënin me Paulo Fonsecën dhe sot janë probleme të Sergio Conceiçaos, nuk mund të mos ngrenë të paktën dyshimin, që përmes merkatos po bëhen përpjekje për t’u zgjidhur edhe disa situata janë bërë të pamenaxhueshme.
Pyetja, po aq legjitime në këtë pikë, është se kush është regjisori i këtyre manovrave: ish- Porto, duke hyrë me këmbëngulës në dhomën e zhveshjes së Milanit dhe protagonist i shpërthimeve dhe gjesteve të bujshme publike, po kryen një fazë përgatitore spastrimi për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet në pjesën e dytë të këtij sezoni – por pashmangshmërisht edhe me shikimin drejt 2026ës – apo edhe pozicioni i tij gjithashtu do t’i nënshtrohet vlerësimit prandaj frymëzuesi është dikush tjetër që në shkallë hierarkike zë një pozicion më të rëndësishëm? I përkushtuar për të korrigjuar atë që ka mbetur nga ky vit fatkeq dhe –falhe për aludimin paksa me tendencë – për të ngjitur më tej pozicionet në sytë e pronarëve amerikanë, sigurisht të pakënaqur me rezultatet dhe turbulencat e shumta që kanë nxitur një klimë kontestimesh të cilat kanë mbërritur edhe në mediat amerikane. Gjithnjë nëse është ende ai që vendos sot edhe për të ardhmen.
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE MILANISTAT.COM, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT TË DITËS, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA MILANISTAT.COM, ME BASHKËPUNËTORË NË ROMË, MILANO, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK, MUND T’JU OFROJË NË ÇDO MOMENT TË DITËS. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>, OSE TË KLIKOSH KËTU>>>>
Po, na falni nëse dyshojmë edhe për këtë. Gabimet në vlerësime të kryera gjatë dy viteve të fundit nga grupi aktual i punës dhe zërat që kanë filluar të qarkullojnë sërish për përfshirjen e mundshme të një drejtori të ri sportiv apo figurave të reja në krye të zonës teknike janë fakte që duhen marrë parasysh. Për çështje principalisht ekonomike, por edhe për arsye prestigji, Milani i kohëve të fundit – që me llogaritë dhe imazhin ka një mantra – nuk mundet t’ia lejojë vetes të qëndrojë jashtë Champions League, sezonin e ardhshëm. Prandaj një përmbysje e përgjithshme dhe një përpjekje e dëshpëruar për të ndryshuar trendin përpara se të jetë tepër vonë, madje duke sfiduar edhe rregullat konvencionale të merkatos e madje edhe të menaxhimit të çdo lloj dhomë zhveshjeje. Që të dielën, meqë ra fjala, do të përballen në një derbi vendimtar, pa ditur se cilët lojtarë do të jenë në dispozicion dhe në çfarë kushtesh do të paraqiten “të shpëtuarit”. Ja se pse, më shumë se një revolucion, ajo që po merr formë tingëllon më shumë si një larje hesapesh.