Niclas Füllkrug gjithnjë e më pranë Milanit. Madje, praktikisht ai është një lojtar i Rossonerëve. Detajet përfundimtare të akordit ende nuk janë finalizuar, por klubi i rrugës Aldo Rossi, në kontakt me West Ham, ka kuptuar se klubi anglez nuk do të bëjë rezistencë të tepruar ndaj largimit të sulmuesit gjerman, i cili mund të mbërrijë në Milano para 2 janarit, ditës zyrtare të hapjes së merkatos dimërore.
Milani ka shtypur fort pedalin e merkatos dhe është gati të mbyllë një nga operacionet më të rëndësishme të janarit. Niclas Füllkrug është gjithnjë e më pranë veshjes së fanellës kuqezi, në një moment delikat të sezonit, ku mungesa e një sulmuesi të mirëfilltë ka ekspozuar të gjitha kufijtë e repartit ofensiv të skuadrës së Massimiliano Allegrit. Kontakti me West Ham-in është i vazhdueshëm, sinjalet janë pozitive dhe rezistenca angleze është minimale: transferimi është në fazën përfundimtare, detajet e fundit ndajnë vetëm firmat nga fjala “mbyllur”.
Lëvizja strategjike: Füllkrug pritet në Milano para janarit
Ideja e drejtuesve kuqezinj është e qartë dhe inteligjente: të sjellin Füllkrug në Milano që në ditët e ardhshme, menjëherë pas kthimit të skuadrës nga Arabia Saudite dhe ndoshta pas festave të Krishtlindjes. Edhe pse dritarja e merkatos hapet zyrtarisht më 2 janar, sulmuesi gjerman mund të zbarkojë më herët për të kryer vizitat mjekësore dhe për të nisur procesin e ambientimit me qetësi, larg presionit të debutimit të menjëhershëm.
Një manovër që tregon qartazi se sa mirë e kanë lexuar situatën Furlani dhe Tare: dëmtimi i rëndë i Gimenez, që do ta mbajë larg fushës për javë të tëra, rrezikonte të kthente muajin janar në një rrugë me pengesa për Milanin, mes kampionatit dhe objektivave sezonalë. Zgjidhja është gjetur shpejt dhe me kosto të përballueshme.
Formula e marrëveshjes: huazim me të drejtë, jo detyrim
SSSipas milanistat.com, operacioni është ndërtuar mbi një bazë të qartë: Füllkrug do të vijë te Milani me huazim gjashtëmujor dhe të drejtë blerjeje, për një shifër që lëviz mes 13 dhe 15 milionë eurove. Pikërisht këtu qëndron edhe nyja e fundit për t’u zgjidhur. West Ham do të preferonte një detyrim blerjeje ose, të paktën, një klauzolë blerjeje të kushtëzuar nga objektiva ekiporë të arritshëm, ndërsa Milani mbetet i palëkundur në pozicionin e tij: vetëm e drejtë blerjeje, pa detyrime për të ardhmen.
Në këtë betejë të vogël taktike, kuqezinjtë kanë një aleat të rëndësishëm: vetë lojtarin. Füllkrug dëshiron me çdo kusht të largohet nga Londra dhe të provojë një aventurë të re në Serie A. Shifrat flasin qartë: në një sezon e gjysmë me West Ham-in ka luajtur vetëm 29 ndeshje dhe ka shënuar 3 gola, ndërsa këtë sezon ka regjistruar 9 paraqitje pa asnjë gol. Mes dëmtimeve dhe hapësirave të pakta, projekti anglez nuk e ka bindur dhe Milani përfaqëson një shans rilindjeje.
Tesserimi dhe pritja e detyruar: pse nuk debuton në Cagliari
Edhe nëse gjithçka do të shkojë sipas planit dhe testet fizike nuk do të sjellin surpriza, Füllkrug do të mund të konsiderohet zyrtarisht lojtar i Milanit vetëm nga data 2 janar, kur kontratat e reja mund të depozitohen në Legën e Serie A. Megjithatë, rregulloret nuk lënë hapësirë për interpretime: sulmuesi gjerman nuk do të jetë i disponueshëm për transfertën e 2 janarit në Cagliari, për shkak të mungesës së kohës teknike për teserimin.
Allegri do të mund ta ketë në dispozicion nga 8 janari, në ndeshjen kundër Genoa-s. Një datë e shënuar me të kuqe në kalendar, sepse përpara asaj sfide, sulmi kuqezi do të duhet të mbijetojë me burime të kufizuara: Pulisic, Leao, Nkunku dhe, në raste emergjence, Loftus-Cheek.
Füllkrug, profili që i mungonte Allegrit
Në pritje të rikthimit të Gimenez, i cili do t’i nënshtrohet operacionit, Füllkrug përfaqëson pikërisht atë që Allegri ka kërkuar prej muajsh: një qendërsulmues i vërtetë, fizik, i aftë të mbajë topin, të bëjë skuadrën të ngjitet dhe të japë zgjidhje alternative në zonë. Nuk është një blerje për kopertina, por një goditje funksionale, tipike për merkato dimërore, që mund të peshojë shumë në ekuilibrat e sezonit.
Milani është gati. Füllkrug gjithashtu. Për hajër, thuhet në kësi rastesh! Tani mbetet vetëm momenti i fundit: firma që do të ndezë dritën jeshile dhe do t’i japë Djallit sulmuesin që i mungonte.
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
