Milan, bomba RedBird, detajet. Tërmet mbi Allegrin. Dhe Vlahovic…

Nga pasojat e humbjes së Superkupës kundër Napolit te përplasjet në stol, nga skenari i rikthimit të Thiago Silvës te strategjia për Vlahovic, pa harruar “bombën” RedBird dhe mundësinë e një shitjeje të bujshme: te Milani po nxehen të gjitha frontet, brenda dhe jashtë fushës...

Milanistat
4 Min Read

Humbja ndaj Napolit në Superkupën e Italisë nuk ishte thjesht një disfatë sportive. Ishte shkëndija që ndezi një zjarr të madh rreth Milanit.

Pas humbjes që ndezi zjarrin

Një ditë më pas, ambienti kuqezi është përfshirë nga kaosi, polemikat dhe zërat e fortë që vijnë nga çdo drejtim. Nga stoli te zyra e presidentit, nga merkatoja te financat, gjithçka duket se po lëkundet.

Massimiliano Allegri ndodhet në qendër të një stuhie të fortë mediatike dhe institucionale. RedBird përballet me një lëvizje financiare shumë, shumë të rëndësishme. Merkatoja hap skenarë që shkojnë nga rikthimi romantik i Thiago Silvës te një plan afatgjatë që mban emrin Dusan Vlahovic. Dhe në sfond, qëndron edhe rreziku i një shitjeje të bujshme që mund të ndryshojë balancat e skuadrës. Ja lajmet më të rëndësishme të mbrëmjes në Milanistat.com.

Kthesa Thiago Silva: rikthimi që po merr formë

Emri i Thiago Silvës po rikthehet me forcë në orbitën kuqezi. Carlo Pellegatti ka hedhur dritë mbi një prapaskenë që po merr gjithnjë e më shumë peshë. Sipas tij, kontaktet mes Allegrit dhe mbrojtësit brazilian janë të përditshme.

“Allegri dhe Thiago Silva flasin çdo ditë. Edhe pse gjithmonë më kanë thënë ‘jo’ për rikthimin e tij, e vërteta është se Allegri e ka kërkuar. Ai e ka kuptuar se nuk ka para për merkato në janar dhe dëshiron ta bindë klubin ta marrë për gjashtë muaj.”

Një zgjidhje me kosto të ulët, por me impakt të madh. Një lider, një figurë autoritare për një mbrojtje që ka treguar limite të mëdha. Pellegatti nuk kursen as një kritikë të fortë: merkatoja e verës, deri më sot, ka qenë një dështim.

Tërmet mbi Allegrin: rrezik sanksionesh pas përplasjes me Orialin

Napoli–Milan nuk mbaroi me fishkëllimën finale. Përplasjet verbale mes Massimiliano Allegrit dhe Orialit kanë ndezur polemika të forta. Napoli ka publikuar edhe një komunikatë zyrtare, ndërsa trajneri kuqezi rrezikon sanksione disiplinore.

Presidenti i FIGC-së, Gabriele Gravina, ka përdorur fjalë shumë të ashpra:
“Po flasim për një figurë shumë të keqe. Sanksionet aplikohen kur shkelet rregullorja sportive. Këtu besoj se kemi të bëjmë me një problem kulturor. Duhet të rikthejmë ndjenjën e edukatës. Fyerja po bëhet normale, lëvizjet e pankinave janë të shëmtuara dhe mendohet se duke bërtitur mund të ndikosh vendimet e fushës.”

Një deklaratë që rëndon si gur mbi Allegrin dhe mbi imazhin e Milanit.

Kujdes shitjen: Loftus-Cheek në bilanc

Jo vetëm blerje, por edhe dalje të mundshme. Sipas Calciomercato.com, Ruben Loftus-Cheek nuk do ta përjashtonte apriori një largim nga Milani në merkato të janarit. Kontrata e tij skadon në vitin 2027, dhe kjo mund të jetë mundësia e fundit për klubin për të rikuperuar një pjesë të investimit.

Në radhë janë disa klube të Premier League, por edhe Lazio e Maurizio Sarrit po monitoron situatën. Një vendim që mund të ketë ndikim të fortë në mesfushën kuqezi.

Plani Vlahovic: strategjia për blerjen e qendërsulmuesit

Në planin afatshkurtër, Milani është pranë mbylljes së marrëveshjes për Niclas Füllkrug. Por prapa kuintave po përgatitet një strategji shumë më ambicioze.

Sipas Calciomercato.com, drejtori sportiv Tare po punon me agjentin – i njëjti i Dusan Vlahovic – për një plan të dyfishtë: afrimin e të riut Kostic në janar dhe goditjen e madhe në verë, Vlahovic me parametër zero.

Një skenar që, nëse realizohet, do të ndryshonte rrënjësisht fytyrën e sulmit kuqezi.


BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>



Share This Article