Milan-Barcelona 4-0 (’94), kronika e një ndeshje perfekte

Është praktikisht e pamundur ta rrëfesh ndeshjen Milan-Barcelona pa u ndalur te përgatitja e gjatë që e paraprin, gati njëzet ditë paranoje në lidhje me formacionin dhe provokimet që vijnë nga Katalonja. Ndërsa gazetat përpiqen të hyjnë në kokën e Capellos, duke spekuluar për Desailly, Massaro, Simone, Boban, apo Eranio, por shigjetat e para vijnë...

Milanistat
45 Min Read

Ne, për t’u përforcuar blemë Romarion, Milan bleu Desailly. E kuptoni diferencën?”

Johan Cruyff, 17 maj 1994

“Është njësoj si Rijkaard, ma ka garantuar i gjithë stafi teknik” murmurit një Silvio Berlusconi i jo shumë i keq, teksa në San Siro, po niste gjysma e dytë e një ndeshje për t’u harruar, Milan-Piacenza, në Coppa Italia: do të përfundojë 1-1, me Alessandro Orlandon që shënon për skuadrën Rossonere, plot me zëvendësues dhe lojtarë të rinj, dhe Stefano Maccoppi që shënon për miqtë. Është 10 nëntori 1993 dhe Berlusconi është skeptik, jo aq për blerjen që Milani i tij sapo ka mbyllur, por për mënyrën: ndihet i mënjanuar nga Adriano Galliani, që nuk e ka informuar për blerjen e re dhe atë nuk e bezdis asgjë më shumë sesa të ndihet i pafuqishëm.

E teksa Cavalieri ndodhet lart, në tribunë, faktikisht, drejtuesi i tij i besuar mungonte. Legjenda thotë se në atë moment ai ndodhej në një restorant, bashkë me Ariedo Braidën, pikërisht në zemër të Milanos, me qëllim që të bënte Marcel Desailly të firmoste kontratën që do ta lidhte me Milanin. Sigurisht, gazetave të ditës së nesërme, ishte Berlusconi ai që do t’u jipte titujt kryesorë gazetarëve, duke konfirmuar një farë ngurrimi për të shpenzuar miliarda në atë fazë përmbyllëse të merkatos, pjesërisht kjo edhe për shkak të vështirësive të Fininvest: “Po të mos ishte dëmtuar Boban, do të kisha kundërshtuar me shumë vendosmëri. Shpresoj që ky lojtar të mund të sjellë forcën fizike dhe personalitetin që zotëronte në mesfushë, Frank”. Përpara kamerave të Tele+, përpiqet të fshihet, duke treguar buzëqeshjen magjike që i pati hapur të gjitha dyert e botës. Por ka gjëra të tjera për të menduar ato ditë.

Dy javë më vonë, në një intervistë për të përditshmen gjeneraliste La Stampa, do të njoftojë zbritjen e tij në fushën e politikës, duke ia arritur të përziejë me sukses të vërtetën dhe gënjeshtrat, me një zgjuarsi djallëzore: “Është një mazhorancë zgjedhësish që besojnë në një sërë vlerash – tregu, sipërmarrja e lirë, toleranca, korrektesa, drejtësia, arsyeja e shëndoshë – që te partitë aktuale nuk gjejnë asnjë formë përfaqësimi”. Dhe pyetjes “po thoni se në qendër ka një boshllëk politik që duhet mbushur?” përgjigjja është lapidare: “Po. […] Si botues, nuk mund të bëhem një subjekt politik. Nuk mundem. Por duhet të them edhe se shumë më kërkojnë të përfshihem”.

Më 27 prill 1994, Silvio Berlusconi është padyshim më pak skeptik. Një muaj më parë, ka parë koalicionin e drejtuar nga partia e tij, Forza Italia, të shkatërronte Aleancën e Progresistëve të majtë; nuk e ka formuar ende qeverinë e tij të parë, domethënë, por në fund të fundit, askush nuk duket i aftë ta ndalonte formimin e saj. Dhe askush, nga lojtarët e Monakos, nuk është në gjëndje ta ndalonte kërcimin monstruoz të Desailly, i cili nga një goditje këndi e Bobanit e lançuar nga e majta, të hidhet përtej duarve të shtrira të Jean-Luc Ettori dhe të shënojë me kokë, golin e parë, të avantazhit, duke e lënë Arsene Wenger të shtangur në pankinën monegaske. Gazetat dhe revistat përpiqen të llogarisnin lartësinë e goditjes, duke e fiksuar diku midis 2.90 dhe 2.95 metrave. Është preludi i një prej ndeshjeve që kanë hyrë në historinë e futbollit botëror. Dhe pa Marcel Desailly, pa atë blerje të kripur nga Galliani, ndoshta sezoni i Milanit do të kishte marrë një kthesë tjetër.

Sezoni

Milani i sezonit 1993-94 prezanton fillimin e një epoke të re. Është mbyllur përfundimisht, në fakt, epoka e holandezëve: Ruud Gullit, në konflikt me Fabio Capellon, u dërgua te Sampdoria; Frank Rijkaard u rikthye në Holandë, te Ajax. Pati njoftuar lamtumirën e tij nga Rossonerët në ditën më të keqe, asaj të Mynihut: goditja me kokë e Basile Boli, Olympique Marseille që fiton edicionin e parë të Champions League të rinovuar nën vështrimin e Berlusconit. Dalja nga skena e lojtarit holandez e njoftuar vetëm disa orë para finales, i kishte zemëruar shumë drejtuesit Rossonerë.

Vera e vitit 1993 shënjohet nga shpresa për të rigjetur Van Bastenin më të mirë, që vinte nga një sezon që ta quanim të mjerë, sa për të përdorur një eufemizëm: vetëm 15 paraqitje në kampionat dhe 13 gola, i fundit prej të cilëve, i shënuar ndaj Ankonës që më 9 maj, me iluzionin e rikthimit në gjendjen më të mirë, në prag për finales katastrofike bavareze, të luajtur shumë poshtë reputacionit të tij, të shkatërruar nga dhimbjet. Më 9 qershor, operohet edhe një herë në kavilje nga dr Martens. Një tjetër kontroll ishte planifikuar për më 25 gusht, por rikthimi i tij i mundshëm pritej rreth Krishtlindjeve: “Kur të rikthehem, do të doja të bëhesha blerja më e rëndësishme e Milanit”. Por nuk do të rikthehej më. Shumë kohë para atij kontrolli, natën midis 2 dhe 3 gushtit, Porsche e verdhë e Gianluigi Lentinit bëhet copë-copë: kishte shtyrë shumë fort me një rrotë rezervë që nuk mund ta përballonte atë shpejtësi, u përplas, rrezikoi jetën, duke hedhur në erë sezonin dhe, në mënyrë të pashmangshme, një karrierë që na la me më shumë pyetje sesa përgjigje.

Por nuk ka një what if klasik, nuk jemi këtu për të pyetur se çfarë do të ishte bërë Lentini: ne tashmë e dimë dhe për ata që nuk e dinë, shikoni versionin e plotë të Torino-Real Madrid, gjysmëfinalen e Kupës UEFA të 1992. Është gjithçka aty. Është edhe kjo një arsye se pse Milani i 1993/94 nuk duket aq frikësues sa ai i disa edicioneve të shkuara të anijes luftarake berluskoniane. Merkato është pothuajse ekskluzivisht e dominuar nga NDRYSHIMI: duhet një blerje e re, luksi dhe vendimtare, Christian Panucci, e nevojshme për të imagjinuar një Djall pa Mauro Tassottin. Pastaj vjen Brian Laudrup, i saporënë nga kategoria me Fiorentinën, Raducioiu, Ielpo dhe Alessandro Orlando.

Milani e nis sezonin me një ritëm të qetë, avantazhi i tij kryesor ishte aftësia për të mos pësuar kurrë gol: i pari i pësuar vjen në mes të tetorit, një barazim 1-1 ne Foggian, pas shtatë ndeshjesh e gjysmë pa e parë kurrë Sebastiano Rossin, i bërë më në fund titullar i palëvizshëm pas vitesh në të cilat iu desh të mposhtte konkurentë të ndryshëm, nga Pazzagli te Antonioli. Më 31 tetor, pas dy vitesh dominimi absolut, Djalli zbulon se mundej edhe të renditej në një pozicion tjetër përveç atij më të lartë: në Xhenova, në shtëpinë e Sampdorias, kuqezinjtë shkojnë përpara 0-2 dhe humbasin 3-2, me kofshën prej graniti të Ruud Gullit, i cili tanimë jo Rossoner, e zbut topin sikur të ishte prej kadifeje dhe godet tejpërtej Rossin me një top të mbushur plot me helmin e një viti të kaluar duke përtypur lajthi. Është edhe kjo që pas asaj humbjeje Capello, nis të punojë përkrah Gallianit, duke e bindur se për mesfushën e mbetur jetime nga Rijkaard nevojitet diçka më shumë.

Trajneri nuk e ka gjetur ende ekuilibrin e përsosur: partneriteti Albertini-Boban nuk është mjaftueshëm i fortë, duhet shpesh të riekuilibrohet me ndërhyrjen e Eranios në njërin prej dy krahëve. Për më tepër, trajneri po përballet me rotacionin e vështirë të të huajve në skuadër: ka plot gjashtë në skuadër, edhe pse van Basten është sa për të respektuar kontratën dhe ai mund të përdorë vetëm tre njëkohësisht. Në ndihmë i vijnë dëmtimet, por me ardhjen e tij, Desailly kuptohet shpejt se është një i palëvizshëm nga formacioni. Francezi e transformon skuadrën që prej dy muajsh nuk pëson gol: seria e pamposhtmërisë së Sebastiano Rossit ndërpritet më 27 shkurt me një gol të Kolyvanov, pas 929 minutash, rekord në Serie A, të cilin e feston duke i treguar atributet tribunës së tifozëve kundërshtarë. Në ndeshjen e parë në Foggia, kishte rikthyer drejt tribunës së tyre një bombë tymuese të hedhur ndaj tij pas golit të skuadrës vendase: “Mendova se ishte një fishekzjarr”. Eh, mirë me kaq.

Milani del nga triptiku Juventus-Sampdoria-Inter me gjashtë pikë, e kështu arkivohet Scudetto, duke u mjaftuar me administrimin e zakonisht drejt objektivit përfundimtar. Po në Evropë? Rossonerët pësuan një tronditje serioze kundër Aaraut, duke kaluar turin e parë me një rezultat skeletik të përgjithshëm vetëm 1-0, falë golit të Papin, në mesin e shtatorit. Më e lehtë praktika Kopenhagen (0-6 në Danimarkë, 1-0 në San Siro, me JPP që dominon përsëri) përpara fillimit të fazës së grupeve. Formati i Champions League 1993/94 parashikon një risi të rëndësishme nga edicionet e mëparshme: grupet gjithmonë luheshin përpara të tetave të Finales, por këtë herë nuk kualifikuan drejtpërdrejt finalistët.

Me qëllimin për të shtuar edhe një ndeshje tjetër për televizionin, u shpik edhe gjysmëfinalja, që do të luhej si një ndeshje e vetme në shtëpinë e skuadrës më mirë të klasifikuar. Milani ndërton primatin e tij në tre ndeshjet e para, duke mposhtur Porton dhe Werder Bremen, e duke barazuar 0-0 me Anderlechtin dhe duke administruar në tre ndeshjet e fundit, tre barazime. Nuk dukej më si ai Djalli i tërbuar i një viti më parë, që kishin arritur në finale duke i fituar të gjitha ndeshjet.

Më 27 prill, në San Siro, vjen pra Monaco e Arsene Wenger, e rreshtuar si skuadra e dytë e grupit tjetër që pa Barcelonën të shëtiste. Ishte një formulë e çmendur: Milani vjen në ndeshjen me monegaskët me njëmbëdhjetë lojtarë të paralajmëruar me kartona të verdhë. Drejtuesi i ndeshjes, gjermani Heynemann, pas avantazhit të Desailly, fillimisht godet njërin (Baresi) dhe më pas, dy minuta më vonë, përjashton Costacurtën. Goli i 2-0 i Albertinit është një kryevepër fuqie dhe precizioni, edhe goli i tretë i Massaros është një vlerë e shtuar për sytë kur e shikojnë. Dhe tani, nga anën tjetër, është Barcelona. Që niset si stërfavorite.

Pragndeshja

Është praktikisht e pamundur ta rrëfesh ndeshjen Milan-Barcelona pa u ndalur te përgatitja e gjatë që e paraprin, gati njëzet ditë paranoje në lidhje me formacionin dhe provokimet që vijnë nga Katalonja. Ndërsa gazetat përpiqen të hyjnë në kokën e Capellos, duke spekuluar për Desailly qendërmbrojtës me tërheqjen e Massaros në krah për t’i bërë vend Simones dhe Bobanit në mesfushë, apo edhe futjen e Eranios në mesfushë, shigjetat e para vijnë nga Stoichkov.

Bullgari është i bindur prej kohësh që Topin e Artë 1992 nuk e fitoi për shkak të ndërhyrjes së Berluskonit: “Ishte ai që influencoi te gazetarët, të cilët ia dhanë Topin e Artë, Van Bastenit. Histori e shëmtuar. Nuk do të shkoja kurrë te Milani, do të ishte më keq sesa të përfundoja te Real Madridi. Më mirë Juve, të paktën nuk është ajo turmë të huajsh që ka Milani. Nuk më pëlqen Milani, nuk më pëlqen Berlusconi, i duket vetja i plotfuqishëm”. Pastaj vjen Cruijff që përgatit terrenin: “Do të jetë një ndeshje pa lavdi. U mungojnë Baresi dhe Costacurta? Nuk është justifikim, i takon mbrojtjes. Do të ishte më keq nëse do t’u mungonin lojtarët në zonën ku lind manovra”. Kampionati milanist arkivohet më 1 maj 1994, me humbjen kontroverse dhe të dyshimtë 0-1 Milan-Reggiana, që shpëtoi “La Regia” prej rënies nga kategoria dhe shkaktoi një trazirë kombëtare.

Në një nga seancat stërvitore të fillim majit, Capello pëson goditjen e rradhës: Stefano Eranio këput tendinin e Akilit të majtë dhe ky është një dëmtim që do t’i kushtonte edhe thirrjen e Sacchi-t në kombëtare për Botërorin SHBA 1994. “Do të jemi në emergjencë, por nuk do të humbas gjumin për këtë. Nëse disa gjëra bëhen të pamundshme, do të na duhet të përshtatemi”, thotë trajneri, duke komentuar skepticizmin e Desailly për kthimin prapa (“Nuk është e lehtë të kthehesh në mbrojtje pas tetë muajsh në mesfushë”). Sado absurde të duket, një nga temat më të diskutuara ka të bëjë me kurthin e pozicionit jashtë loje milanist, që është stërvitur prej vitesh për t’u aktivizuar në përputhje me ritmin e Franco Baresit. Kush do t’i mbajë frenat e mbrojtjes, tani? Dhe kush do të ngrejë dorën për të t’iu përgjigjur anësorit të rradhës?

Duhet thënë se edhe Barcelona ka problemet e saj: Romario, për shembull, është i angazhuar në një negociatë të tensionuar me kriminelët që i kanë rrëmbyer babanë më 2 maj në Rio de Janeiro dhe kërkojnë shtatë milionë dollarë për lirimin e tij. Ndërkohë, La Liga, nuk ka përfunduar ende dhe Barça është e impenjuar në ndjekje të titullit, i cili kalon edhe nga suksesi i arritur në Bernabeu më 7 maj: shënon Amor, Capello largohet i nervozuar nga stadiumi që më pas do të bëhet shtëpia e tij. «Cruijff ka një skuadër tonike, ne jemi në një moment të keq. Dhe pa dy qendërmbrojtësit tanë titullarë, nuk do të mund ta adaptojmë taktikën e pozicionit jashtë loje». Ndërkohë, në Rio, policia bastisi një kasolle dhe arrin ta lirojë babanë e Romarios, që po ruhej nga afër prej dy grave dhe një djali të vogël në pritje të rikthimit të rrëmbyesve.

Milani zhvillon një ndeshje miqësore në gjysmën e rrugës midis fundit të kampionatit dhe finales së Champions League kundër Fiorentinës së sapongjitur në Serie A: dyshja Tassotti-Desailly në qendër të mbrojtjes është aq në vështirësi sa e bën Capellon të ndryshojë gjithçka pas 37 minutash lojë, me rezultatin tashmë të kompromentuar në 2-0 për violët. Ndërkohë, ndodh një ngatërresë me UEFA-n, e cila fillimisht ngarkoi holandezin John Blankenstein për të drejtuar ndeshjes, pastaj, gjashtë ditë përpara, ndryshon mendje dhe zgjedh anglezin Philip Don për finalen.

Blankenstein do të kishte qenë shumë afër Cruyff, sipas komentatorëve keqdashës, megjithëse kronikat e atyre ditëve e motivonin ndryshimin me kërcënime me vdekje të marra nga gjyqtari i ndeshjes. Ndërsa Cruyff bën të paqartin, “Ah, po? As nuk e dija se kush ishte gjyqtari i parë”. Capello duartroket: “Një zgjedhje në kohën e duhur. Më në UEFA fund e kuptoi, pasi ua vumë në dukje, por pa bërë protesta zyrtare, se ishte më mirë të ndryshonte për të shmangur rrezikun e polemikave”. Megjithatë, nuk është hera e parë: Blankenstein ishte përcaktuar dhe zëvendësuar edhe më parë në Parma-Milan, për Superkupën e Evropës, por atëherë me kërkesë të emilianëve, duke qenë se ndeshja do të luhej në vigjilje të Ajax-Parma në Kupën e Kupave.

Pasi fitoi La Ligën në një sprint me një vetëvrasje sportive të Deportivos, e cila barazoi në shtëpi me Valencian duke humbur edhe një penallti në minutën e fundit, Cruyff i rikthehet çështjes së arbitrimit: “Kanë bërë një gabim të madh, mbi arbitrin e ri do të ketë presion të tmerrshëm”. Koeman rilançon: “E zëvendësuan sepse është holandez si unë dhe Cruyff, janë vërtet budallenj”.

Milani vazhdon të punojë shumë, testi kundër Saronno është padyshim më i lehtë se ai kundër Fiorentinës dhe mbyllet 9-2. Qendra e mbrojtjes i takon Filippo Gallit dhe Maldinit. Sa më shumë afrohet ndeshja, aq më shumë rritet tensioni. Cruijff: “Me Capellon, gjithçka fillon nga mbrojtja. Nuk më pëlqen moduli i tij; preferoja atë të Sacchit. I mungon dikush që ta organizojë atë repart dhe i kuptoj frikërat e tij, veçanërisht pasi kemi një sulm që shënon 90 gola në sezon. Pas 20 ndeshjesh pa humbje, nuk shoh pse duhet ta humbim të fundit”. Stoichkov është edhe më i drejtpërdrejtë: “Pa Baresin, nuk kanë lider; ai është kapo, si Koeman. Nëse japim gjithçka dhe Milani bën të njëjtën gjë, do të jetë një ndeshje e ekuilibruar, por në fund, do të fitojë kush ka më shumë gjasa të shënojë gola. Kam besim. Do të doja që të më mbulonte Desailly. E bëri këtë në Paris gjatë ndeshjes Francë-Bullgari, që vendosi kualifikimin tonë për Botëror dhe unë shënova. Me mbrojtësit me ngjyrë më ec gjithmonë mirë. Desailly, Boli, Aloisio, ia kam futur të gjithëve”.

Berlusconi shfaqet me helikopterin në Milanello dhe e merr mënjanë Savicevic: “Nëse vërtet je një gjeni, ma provo në Athinë”. Në konferencën e fundit për shtyp para se të nisej për në Athinë, Cruijff e quan Milanin një yll në rënie: “Dikë që të shënojë do të mund ta blejnë gjithnjë, por kriza e tyre do të vijë kur të mos e kenë më Baresin dhe diçka mund të shihet që në Athinë”. Djalli vrapon drejt riparimeve duke zgjedhur të veshë fanellën e bardhë, të njëjtën që pati veshur në Londër 1963, Barcelonë 1989 dhe Vjenë 1990. Ndërsa Monako, u mundën me fanellën kuqezi.

Romario është kërcënimi kryesor. “Ka cilësi të jashtëzakonshme teknike dhe është njeri-gol, dy gjëra që rrallë bashkohen në të njëjtin person: vetëm prania e tij i frikëson kundërshtarët. I mjafton një metër katror për t’u çliruar nga mbrojtësi, për ta kaluar dhe për të vrapuar drejt portës: realizon në 90% të topave gol dhe nëse e prekin në zonën e penalltisë, është një penallti e garantuar”, thotë Cruyff.

Michael Laudrup, i lënë jashtë kësaj ndeshjeje për shkak të rregullave që imponojnë vetëm tre lojtarë të huaj, e përshkruan kështu: “Do të çmendesha po të prekja tre topa në nëntëdhjetë minuta; do ndihesha i padobishëm. Ndërsa ai, nuk shqetësohet fare. Mendon t’i shfrytëzojë në maksimum mundësitë që ka. Nëse nuk ia del, ok”.

Braziliani flet shumë pak përpara ndeshjes, i rrëshqet vetëm një fjali: “Jam përballur edhe më parë me Milanin, kur isha te PSV; humba, por shënova. Ndërsa këtë herë po luaj për një skuadër më të fortë. Do të zbresim në fushë të vendosur për të fituar dhe do ia arrijmë”. Bakero: “Nëse janë klubi i madh që thonë duhet të kenë më shumë se njëmbëdhjetë lojtarë, mos të qajnë për mungesën e Baresit”. Koeman: “Ndoshta janë më keq se ne”. Fjala e fundit i takon sërish Cruyff: “Luajmë një futboll më të këndshëm dhe për këtë do të kemi mbështetjen edhe të tifozëve grekë. Italia? Nuk më intereson. Jam pothuajse 50 vjeç dhe dua të jetoj mirë. Në Barcelonë futbolli është një kënaqësi”.

Ndeshja

Shqetësimi kryesor i Capellos në zgjedhjen e formacionit është padyshim zëvendësimi i dyshes qendrore të mbrojtjes. Zgjedhja, pas testimeve të javëve të fundit para ndeshjes, ra mbi Filippo Gallin, zëvendësues natyral dhe në spostimin e Paolo Maldinit në qendër të fushës, duke preferuar si pozicionimin e tërhequr të Desailly ashtu edhe mundësinë e Stefano Nava, me Tassottin për të mbuluar krahun e djathtë dhe Panuccin të zhvendosur në të majtë. Boban do të vepronte si një mesfushor i krahut të djathtë me Donadonin në krahun e kundërt, Albertinin dhe Desailly në mes, dhe Savicevic që bënte partnerin e Massaros.

Cruyff zgjodhi një sistem thellësisht asimetrik. Mbrojtja është me katër, me Nadal që mbështet Koeman në mes, me Ferrer dhe Sergi në krah. Guardiola është anëtari më i thellë i një mesfushe me tre lojtarë, me Amor dhe Bakeron si mesfushorë sulmues. Stoichkov fillon hapur në të djathtë, me Romarion në mes dhe Beguiristain, teorikisht sulmues i majtë, por që vazhdimisht gjendet midis linjave, duke formuar një lloj… rombi në mesfushë. Është i njëjti sistem i përdorur për të mposhtur Porton në gjysmëfinale (3-0 në Camp Nou, ku Stoichkov shënoi dy gola dhe Koeman një).

Temat e para të ndeshjes shfaqen që në fillim: Savicevic që kërkon situata një kundër një në krahë, me objektivin për të krijuar epërsi numerike, ndërsa Stoichkov kishte aftësinë të përqëndrohet nga e djathta për të çliruar të majtën nga jashtë. Gjuajtja e tij e parë përfundon jashtë. Kush është mësuar me Bobanin e pjekur dhe të qetë, i mësuar të kërcejë në mesfushën sulmuese apo të krijojë lojë si organizator, mund të habitet kur të shohë aplikimin e kroatit në rolin e anësorit të djathtë të mesfushës.

Është një Milanit që nuk do që t’ia lërë frenat e lojës në dorë Barcelonës dhe për këtë madje edhe e ngre paksa nivelin e presingut por duke mos bërë gabimin që pati bëri Sampdoria e Boskov më 1992, tërësisht e përqendruar në markimin e lojtarëve të sulmues, por duke përfunduar në lënien pas dore të lehtësisë së futbollit të Koeman, i cili mund të luante si organizator i ahtuar pa kundërshtarë. Ishte një tjetër Barcelonë ajo, e bazuar në formacionin rombin klasik 3-4-3 të Cruyff.

Ndërkohë që Donadoni dhe Savicevic shfaqen menjëherë veçanërisht të frymëzuar, Milani do të kalojë shumë shpejt në epërsi me anë të Panuccit, por goli u anulua për pozicion jashtë loje të Massaro në qendër të zonës së rreptësisë: një gol që, sipas rregullave të sotme, do të kishte qenë plotësisht i vlefshëm. Barça përgjigjet me atë që është një nga aksionet më të mira të ndeshjes së saj: Guardiola (të cilin një analist i famshëm si Bruno Pizzul e quan “lojtar është ende të ri, por ka një ndjenjë të rafinuar taktike”) shfrytëzoi një moment të rrallë stopimi për të shkuar drejt Stoichkov, krosi i menjëhershëm nga e djathta e bullgarit për Romario, që godet në ajër.

Milani kërkon të përmbysë anën e majtë të sulmit të tij: Panucci është padyshim më dinamik se 34-vjeçari Tassotti dhe shpesh mbivendosej në një korsi që tashmë sheh edhe prezencën e Donadonit dhe Savicevic, të cilët natyrshëm kërkojnë atë pjesë të fushës ku mund të bëjnë më dëme. Dhe të mendosh se, për pjesën më të madhe të sezonit, malazezi ishte më shumë një shqetësim sesa një aset.

Silvio Berlusconi ka qenë gjithmonë veçanërisht i ndjeshëm ndaj talentit. Dashuria që ndjeu për Savicevic nuk është edhe aq e ndryshme nga ajo që pati ndjerë papritur në mesnatën e fundit të vitit 1985, duke parë ndeshjen Juventus-Argentinos Juniors. Claudio Daniel Borghi ia kishte vjedhur zemrën pa e veshur kurrë fanellën Rossonere në ndonjë ndeshje zyrtare, fillimisht i dërguar në Como për shkak të pranisë së van Basten dhe Gullit, kohë kur në skuadër lejoheshin vetëm dy lojtarë të huaj dhe më pas i larguar nga Arrigo Sacchi, i cili nuk kishte ndërmend ta merrte si të huajin e tretë teksa mund të merrte Rijkaard.

Savicevic, nuk është sekret, Capellos nuk i pëlqente. Shumë i dobët, shumë dembel, pothuajse alergjik ndaj konceptit të punës në grup. Një bestemi për një trajner si ende i panjohuri “Don Fabio” (nofkë që e mori gjatë periudhës së tij madridiste), që në atë fazë të karrierës së tij e ekuilibrin taktik e kishte si farin universa të mënyrës së tij të të kuptuarit të futbollit: një tipar që do ta ruajë edhe në vitet që do të vijnë, por me një kuptim më të madh të talentit sesa në të kaluarën. Marrëdhëniet me Savicevic, pas sezonit të parë, bëhen shumë të tensionuara në gjysmën e parë të sezonit pasardhës: “Gjeniu”, i bindur se ishte i destinuar për një rol aktori të parë me daljen nga skena të holandezëve, në vend të kësaj e gjen vetem shpesh dhe pa dëshirë në stol.

Capello e la në Milano për ndeshjen jashtë fushe në Bruksel kundër Anderlechtit: i paralajmëroi pankinën dhe malazezi refuzoi të përfshihej midis zëvendësuesve të mundshëm, duke shkaktuar zemërimin e trajnerit. Kështu kishte ndodhur edhe një muaj më parë, në ndeshjen Milan-Juventus më 24 tetor 1993: kishte dalë një shqetësim misterioz me adduktorin dhe fakti, fakt është se Rossonerët kishin vetëm dy lojtarë të huaj në listë, Boban dhe Papin. Capello, megjithatë, u pajtua me faktin se nuk mund ta përdorte atë anësor të mesfushës: shumë pak dhe Dejan nuk ishte shumë i gatshëm të bënte sakrifica për të luajtur rolin e lojtarit punëtor.

Pas disa javësh, në nëntor, emri i tij u përfol për një huazimi në Genoa dhe koha e Savicevic te Milan rrezikonte të përfundonte në mesin e dhjetorit. Rossonerët po përgatiteshin për Kupën Ndërkontinentale, duke luajtur në vend të Olympique Marseille, e skualifikuar nga të gjitha kompeticionet ndërkombëtare, me një pikëpyetje: Savicevic është i pezulluar apo jo? Më 1991, në fakt, ai pati dalë me të kuqe në Kupën Ndërkontinentale kundër Colo Colo, pasi pati goditur me kokë Mendozën kur topi ishte larg. Skuadra përjetoi ditë pasigurie, derisa Capello u bind të injoronte Savicevicin dhe ta përgatiste ndeshjen me Raducioiu përkrah Papin. Pastaj, pak nga pak, të dy filluan të nuhateshin, të pajtoheshin me njëri-tjetrin, ta vlerësonin njëri-tjetrin. Dhe në ditën më të rëndësishme, pasi pati shënuan gola platini gjatë rrugës, si dy kundër Werder Bremen në fazën e grupeve, Savicevic është aty, numri 10, me liri për të bredhur dhe për të goditur.

Panucci e vë nën hekur e zjarr fashën e majtë dhe kroson, Massaro koordinohet në çast dhe Zubizarreta bllokon. Desailly e godet Bakero, duke e sulmuar sa herë ai përpiqet të marrë pasimet e gjata të Guardiolës. Milani lejon qëllimisht që të jetë Nadal ai që të marrë kontrollin e topit, duke ngritur presingun menjëherë sapo topi mbërrin në zona që konsiderohen më të lehta për t’u sulmuar nën presion. Romario nuk e sheh topin, i bllokuar midis Maldinit dhe Gallit, është ende në kërkim për t’u bërë i rrezikshëm, por duke u zhdukur nga zona e sulmit, duke zbrazur qendrën: provon një pasim për Amorin, por Maldini bën një mbyllje monumental.

Avantazhi milanist vjen falë një teme të përsëritur të njëzet minutave të para të ndeshjes: agresioni ndaj topave të dytë nga ana e mesfushorëve anësorë, Boban dhe Donadoni. Nadal zbut një ridërgim të gjatë të Rossit dhe shkon me kokë drejt Sergit, është trigeri klasik që bën të shpërtheje kundërsulmi milanist: Boban zgjatet dhe gjendet në parapritë, Savicevic ul topin me një prekje delikate dhe gjendet menjëherë përpara Nadal, të cilin e driblon me shpejtësi dhe shkon drejt qendrës. Guardiola provon një ndërhyrje dëshpëruese, por malazezi mbetet në kontroll deri në buzë të zonës së vogël, kur humbet kontaktin me tokën teksa vërshon përpara Zubizarreta: godet me të djathtën drejt Massaros, topi ngrihet dhe “Provvidenza” shtrihet dhe gjen një goditje me të majtën portën bosh.

Kampioni i Botës 1982, Massaro është në të paktën jetën e tij të tretë si futbollist. Në kohërat e Fiorentinës, pati qenë një mesfushor dinamik; më 1986, ishte blerja e dytë e epokës berlusconiane, pas një performance spektakolare të dyshes Berlusconi-Galliani në nënshkrimin e Dario Bonetti. Galliani kishte qenë sponsori kryesor i mbërritjes së Massaros: e pati zbuluar në një oratori në Monza kur ishte adoleshent dhe e solli te bardhekuqtë. Çmimi i paguar nga Berlusconi për Massaron dukej i tepruar: gjashtë miliardë e shtatëqind milionë lireta, në atë kohë, do të kishin mundësuar ardhjen e një profili shumë më të lartë. Te Milani, kishte filluar si mesfushor i majtë, pastaj gradualisht kishte vënë në shënjestër portën, duke u treguar vendimtar, për shembull, në një play-off UEFA kundër Sampdorias.

Pastaj, pas një sezoni i huazuar te Roma, u rikthye në organikën Rossonere me një rol protagonisti më 1989. Një vit përpara finales së Athinës, në Mynih, ishte kritikuar për gabimet e tij të shumta para portës kundër OM. Në sezonin 1993/94, golat e tij vazhdimisht fitonin pikë vendimtare.

Tani vrapon i çmendur nga gëzimi, teksa Capello rikthehet drejt pankinës me duart në xhep dhe nofullat e shtrënguara më shumë se zakonisht. Cruijff ka fytyrën e një njeriu që sapo ka parë hajdut të largohet me makinën e tij. Stoichkov përpiqet të reagojë i vetmuar, duke ikur nga Maldini në të djathtë, dhe kur përpara i del Seba Rossi, nuk e ngre këmbën, duke ndezur zemërimin e Rossonerëve.

Milani nuk qëndron më në pritje; Desailly dhe Albertini bëjnë një ndeshje zgjuarsie dhe agresiviteti të rrallë, duke mos i dhënë kurrë mundësi Bakeros dh Amor të marrin frymë. Kujtohen shpesh sulmin tradicionale me dy gjatë viteve ’90 – sulmues i parë dhe i dytë, qendërsulmuesi i madh fizikisht i shoqëruar nga një sulmues më i shkurtër gati për të sulmuar në thellësi – dhe harrojmë sa e vështirë ishte të gjeje dy mesfushorë të aftë për të plotësuar njëri-tjetrin si Desailly dhe Albertini.

I pari jashtëzakonshëm atlet, me inteligjencë taktike të pafundme falë formimit të tij si qendërmbrojtës, i zoti të ndante lojën dhe të mbështetej te shoku për vazhdimin; në pamje të parë jo në vendin ku duhej, i dyti, me fytyrën e një fëmije ende jo të rritur, i detyruar të jetonte mes burrave, por në të vërtetë, një lojtar me aftësi të jashtëzakonshme në leximin e lojës dhe në lojën si në distanca të shkurtra ashtu edhe në ato të gjata, evolucioni i organizatorit klasik.

Është një koncept mbi të cilin Fabio Capello ka punuar gjatë, duke e plazmuar 4-4-2-in e tij, e duke imponuar një lidhje qendrore më të fortë dhe duke u dhënë anësorëve detyrën për të krijuar: “Shumë skuadra luanin me një mesfushor qendror dhe një finalizues. I pata thënë vetes se nuk duhej t’i kopjoja, do të përfundoja një kundër një. […] Gjë po aq e rëndësishme ishte edhe rreshtimi me dy anësorë shumë sulmues. Duke studiuar karakteristikat e lojës italiane, pata vënë re se pothuajse të gjitha skuadrat luanin me anësorë që ishin të mirë në sulm, por jo shumë të mirë në mbrojtje. Atëherë e binda veten: nëse të tjerët nuk dinë të mbrohen, shkojmë t’ua shtojmë vështirësitë dhe të sulmojmë”, tregon ai për Corriere della Sera në tetor 1993, në një kohë kur shumë besonin se ishte thjesht një trajner, një njeri që dërgonte njëmbëdhjetë lojtarë në fushë pa menduar shumë për formacionet dhe taktikat.

Milani godet edhe me goditje standarde, me Donadonin që merr një top nga Massaro pas një goditjeje me të djathtë nga distanca e Albertinit dhe godet menjëherë në ajër: godet në mëntrë shumë të pastër, por Zubizarreta bllokon. Cruyff e kupton se nuk mund të vazhdojë kështu dhe përpiqet t’i ngatërrojë gjërat, duke e hapur Beguiristain midis fashës së djathtë dhe mbështetjes në qendër për Romarion, , duke u përpjekur të përfitojë nga dëmimi me karton të verdhë të Tassottit disa minuta më parë. Pikërisht Beguiristain, me ftesë të bullgarit, arrin të kontrollojë topin dhe të godasë nga skaji i zonës: por asnjë problem për Seba Rossin. Diçka për të bërë ka edhe Romario, helmues si gjithmonë, por mbi të djathtën e tij materializohet gishti i këmbës së Filippo Gallit.

Pikërisht kur Cruyff tashmë po fillon të mendojë për pjesën e dytë dhe për një zgjidhje të mundshme, Milani godet dhimbshëm përsëri. Boban hapet nga e djathta në të majtë për Donadonin, i cili izolohet në një situatë një kundër një. Shkon drejt Ferrer dhe i shmanget, nuk kënaqet me një kros i majtë, por vazhdon të sulmojë linjën e fundit. Savicevic shtyn drejt shtyllës së afërt, duke tërhequr topin pranë skajit të zonës së vogël. Boban zë hapësirën e shtyllës më të largët, edhe pse sapo ka hyrë në zonën e vogël. Ndërsa Massaro, rrëshqet, duke pritur me durim në vijën e 14 metrave. Ku e peshkon Donadoni me një pasim të thjeshtë të ulët dhe numri 11 i Rossonerëve kroson me të majtën. “Cruijff ka humbur shumë nga vetëbesimi i tij para ndeshjes”, bërtet komentatori i njohur Bruno Pizzul, duke përfituar nga sekuenca televizive paksa e egër që e tregon regjia ndërkombëtare.

Pjesa e parë arkivohet kështu, me një Milanin praktikisht perfekt dhe Barcelona që nuk e ka as idenë më të vogël se si të përgjigjet. Pikërisht gjatë atyre momenteve, qeveria Berlusconi fiton një votëbesim të luftuar fort në Senat, me 159 vota pro (nevojiteshin 158), 153 kundër dhe 2 abstenime, pas një fushate bindëse të çuar përpara nga Cesare Previti dhe Gianni Letta, e cila përmbysi minorancën teorike të Polit të Lirisë përballë opozitës. Njoftimi i votëbesimit të qeverisë së sapoformuar u përhap si një qilim gjigand përmbi finale, sikur të ishte lajmi i fundit i pritur nga të gjithë.

Mjaftojnë disa minuta të pjesës së dytë për t’i dhënë shtytjen vendimtare ndeshjes. Albertini, pa shumë pretendime shqelmon topin drejt vijës anësore të djathtë, Savicevic shkon në presion ndaj Nadal, që mendon se ishte i sigurt: por nuk i pati bërë mirë llogaritë. Malazezi arriti të largohet me topin në një përpjekje të paqëllimtë dhe topi merr rrugën drejt vijës së 16 metërshit. “Gjeniu” është praktikisht në hyrje të zonës së dhe lëshon një top vizionar, më mirë një përkëdhelje topi i cili ngrihet lart kur midis shtyllave ende nuk ka asnjë shenjë të Zubizarretës. Kur e shohim, po kthehet pas me dëshpërim: është një vrapim i çuditshëm e që do të përfundojë me portierin në tokë dhe me topin që tashmë po shpon rrjetën. Zubizarreta pëson një krizë nervash, ngrihet dhe e godet topin me shkelm, pastaj fillon të ofendojë Nadal për rrëmujën e sapo bërë. Ndërsa Savicevic ekzaltohet duke kërcyer mbi një tabelë reklamash e duke ia nisur një vrapi të shkurtër me krahët hapur nën tribuna. Për herë të parë, Capello duket se po i çliron muskujt e fytyrës, por është vetëm një iluzion.

Cruijff rithërret në pankinë Beguiristan, duke e zëvendësuar me Eusebio Sacristán, njeriun që dy vjet më parë kishte fituar, me ndihmën e Schmidhuber, goditjen e dënimit që pati shkatërruar ëndrrat sampdoriane. Mbi ndeshje nis të rëndojë nervozizmi i lojtarëve të Barcelonës, por asgjë që të mund ta prishë natën perfekte të Djallit. Nadal rrëzon Savicevic me një ndërhyrje frustacioni puro dhe në nivel taktik nuk ka mbetur pothuajse asgjë për të thënë. Ndeshja tashmë vijon me një rënie të lirë blaugrane; malazezi Rossoner është në kontroll të plotë dhe bën atë që do, pavarësisht në është 40 metra larg portës apo 10. I afrohet golit të katërt, duke shtyrë tej një goditje që Albertini i jep Ferrer: prekja e tij e topit, pas daljes së Zubizarretës nga porta, goditi shtyllën. Aksioni vazhdon, me Barcelonën që përpiqet të dalë, Desailly rrëmben një tjetër shans të natës së tij, 35 metra larg portës, por këtë herë vazhdon me padurim përpara. Shkëmben disa pasime me Albertinin, i cili ia kthen topin ndërsa ai rrëzohet. Mbrojtja blaugrane është pozicionuar në mënyrë të çrregullt dhe francezi e gjen veten të vetëm në zonën e penalltisë dhe godet me të djathtën për ta çuar rezultatin në 4-0. Tani, po, Capello arrin madje edhe të buzëqeshë, i përfshirë në një përqafim masiv ku Ramaccioni gati sa nuk e mbyt.

I rishikuar tridhjetë vjet më vonë, Milan-Barcelona ka nuanca jashtëzakonisht moderne pavarësisht se është ndeshje e një tjetër epoke: aftësia sulmuese e skuadrës së Capellos është padyshim më afër ditëve të sotme sesa mund të mendohet. Në fund, për të festuar janë të gjithë, madje edhe Costacurta dhe Baresi, të cilët Sacchi donte t’i mbante të burgosur në kampin stërvitor të Azzurrëve për shkak të pezullimit: i liroi pikërisht në kohë për të t’i hipur aeroplanit për në Greqi. Shfaqet madje edhe van Basten, teksa Massaro feston i veshur me një fanellë të Barcelonës.

“Ishim inteligjentë, të shpejtë, agresivë”, thotë Capello për mikrofonat e RAI-t. Pastaj gazetarëve u tregon se e kishte telefonuar menjëherë Berlusconin (“Sonte ka fituar dy herë”) dhe sqaroi disa gjëra: “Ju lashë të flisnit për një kohë të gjatë, por brenda isha i qetë. E njihja forcën e skuadrës sime, si ishte përgatitur kjo ndeshje: në perfeksion. Fitorja ishte e pashmangshme dhe nuk mund të mungonte as aftësia ime për të fituar një trofe evropian: si mund të dyshosh te një trajner që ka fituar Scudetton në tre vitet e fundit?”.

Do të mbetet, megjithatë, e vetmja Champions League e fituar nga Capello në një karrierë të jashtëzakonshme, me vetëm një trofe tjetër ndërkombëtar, Superkupën Evropiane të fituar në shkurt 1995 kundër Arsenalit. Cruijff shfaqet në sallën e shtypit me kokën ulur, sa për të bërë një batutë, që e kishe për detyre: “Për mua, ishte turp”.

Share This Article
Pa Komente