Milani po përjeton një paradoks të rrallë në historinë e tij moderne. Shifrat flasin qartë: vendi i dytë në renditje, vetëm shtatë pikë larg kryesuesve, dhe një seri mbresëlënëse prej 24 ndeshjesh radhazi pa humbje. Një reagim i fuqishëm pas një sezoni zhgënjyes, një kthesë e fortë nën drejtimin e Massimiliano Allegrit dhe një rikthim i qartë në binarët e stabilitetit. Megjithatë, jo të gjithë janë të kënaqur.
Një editorial i para disa ditëve I publikuar në milanistat.com, hodhi një provokim që ndezi debat mes tifozëve dhe specialistëve. Sipas analizës, rezultatet e këtij sezoni janë dukshëm më të mira se dy kampionatet e fundit, por “kënaqja” me vendin e dytë në mes të shkurtit nuk përputhet me historinë e Milanit. Edhe seria prej 24 ndeshjesh pa humbje, që në çdo klub tjetër do të festohej si arritje e madhe, duket se kalon në plan të dytë. Arsyeja? Loja nuk ka reflektuar gjithmonë vlerat tradicionale të klubit dhe pritshmëritë mbeten të larta.
Ky është thelbi i debatit: a mjafton stabiliteti dhe renditja për të kënaqur një ambient të mësuar me dominim? Apo ADN-ja e Milanit kërkon më shumë – spektakël, autoritet dhe luftë të hapur për titull deri në fund?
Nga sezoni i errët te “viti i rikthimit”
Për të kuptuar situatën aktuale, duhet kthyer vështrimi pas. Sezoni i kaluar ishte i mbushur me kontradikta. Po, erdhi triumfi në Superkupën e Italisë në Riad, një trofe që dha një moment krenarie. Por ai sukses u zbeh nga eliminimi i dhimbshëm në play-off të Champions League nga Feyenoord dhe nga humbja djegëse në finalen e Kupës së Italisë kundër Bolognës. Një përzierje emocionesh që la shije të hidhur.
Me ardhjen e Allegrit, Milani ndryshoi kurs. Trajneri solli pragmatizëm, ekuilibër dhe disiplinë taktike. Rezultatet nisën të vijnë me rregullsi, mbrojtja u konsolidua dhe skuadra fitoi vazhdimësi. Sot kuqezinjtë janë të dytët në renditje dhe në një pozicion të fortë për t’u rikthyer në Champions League sezonin e ardhshëm.
Megjithatë, kritikat nuk mungojnë. Një pjesë e tifozëve kërkon një lojë më të guximshme, më “spumante”, më të denjë për traditën sulmuese të klubit. Argumenti i tyre është i qartë: Milani nuk mund të kënaqet me një rol ndjekësi. Historia e tij kërkon protagonizëm absolut.
Provokimi i gazetarit prek pikërisht këtë nerv. Ai nënvizon se edhe nëse rezultatet janë eklatante krahasuar me vitet e fundit, kënaqësia është e zbehur. Një vend i dytë në shkurt nuk mund të jetë pikë mbërritjeje për një klub me këtë peshë historike.
“Është maratonë, jo sprint”: përgjigjja nga Milanello
Në mes të këtij debati, nga brenda skuadrës vjen një mesazh i qartë. Lojtarët nuk e konsiderojnë sezonin të mbyllur dhe as nuk kanë ndërmend të dorëzohen. “Është një maratonë, jo një sprint”, shkroi Rafael Leao në Instagram, një frazë që përmbledh gjendjen shpirtërore në Milanello.
Ky është “moodi” aktual: të provohet deri në fund, pa hequr dorë nga shikimi drejt majës së tabelës. Shtatë pikë diferencë në mes të shkurtit nuk janë një hendek i pakapërcyeshëm. Kampionati është i gjatë, kalendari i ngarkuar dhe çdo skuadër mund të humbasë terren.
Seria prej 24 rezultatesh pozitive nuk është rastësi. Ajo është produkt i një strukture të fortë, i një grupi që ka gjetur ekuilibër dhe i një trajneri që di si të menaxhojë presionin. Ndoshta loja nuk është gjithmonë spektakolare, por efikasiteti është i padiskutueshëm.
Në fund, dilema mbetet filozofike: a duhet vlerësuar progresi në raport me të kaluarën apo maturi ambicia vetëm me trofe? Milani i sotëm është më solid, më i organizuar dhe më konkurrues se një vit më parë. Por historia e tij nuk lejon vetëkënaqësi.
Sezoni është ende i hapur. Mes polemikave dhe pritshmërive, kuqezinjtë kanë zgjedhur të mos ulin kokën. Nëse është vërtet një maratonë, atëherë gara vazhdon. Dhe Milani, pavarësisht zhurmës përreth, është ende në pistë – me sytë nga maja dhe me bindjen se historia e tij nuk shkruhet me dorëzim, por me sfidë të përhershme.
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
