Merkato Milanit po ecën me hapa të vegjël, për të mos thënë që është në vendnumëro përsa i përket blerjes së futbollistëve të rinj me peshë të madhe, siç edhe patën premtuar që në mbyllje të sezonit të kaluar drejtuesit kuqezinj. Por mosblerja akoma e ndonjë futbollisti nuk do të thotë që në Casa Milan po qëndrojnë me duarkryq. Kjo do të thotë se ata janë ende në kërkim të lojtarëve vendimtarë për të përmirësuar skuadrën. Klubi ka njoftuar tashmë se nuk do të ketë një revolucion total, as në nivelet e vitit të kaluar, por shumë ndryshime do t’i besohen punës së Paulo Fonseca, i cili do të përpiqet t’i japë një gjurmë të re taktike dhe një lojë totalisht të revolucionarizuar grupit kuqezi.
Sigurisht, disa goditje do të duhen bërë patjetër, veçanërisht në sulm, ku qendërsulmuesi i ri nuk ka ardhur ende dhe Zlatan Ibrahimovic ka siguruar që do ta bëjë, pavarësisht se Joshua Zirkzee tani është një lojtar i ri i Manchester United. Do të duhet gjithashtu edhe një mbrojtës i ri dhe një mbrojtës i djathtë, si dhe një mesfushor me peshë për të garantuar fizik dhe organizim loje, veçanërisht tani kur re merkatoje po enden sipër mesfushorit aktual të kuqezinjve, Ismael Bennacer. Kështu që një ardhje e mundshme nga Real Madridi mund t’i shkundë planet e klubit të rrugës Aldo Rosi dhe t’i bëjë tifozët të ëndërrojnë. Në fakt zërat e merkatos po flasin me insistim për një futbollist që i la të gjithë pa fjalë në Euro 2024 dhe tashmë, përveçse me kombëtaren, është gati të vjedhë skenën edhe me ekipet e klubeve.
Bëhet fjalë për turkun Arda Guler te Milani, lajm i cili në vetvete nuk ka asgjë të re. Sepse në fakt emri i turkut që verën e kaluar pushtoi faqet e para të gazetave nga këndvështrimi i kuqezinjve. Për shkak të dëmtimeve dhe mungesës së vazhdimësisë, playmakeri turk sezonin e kaluar gjeti pak hapësirë nën drejtimin e Carlo Ancelottit, por në ato herë që arriti të zbresë në fushë tregoi realisht tregoi pjesët e forta të repertorit të tij.
Pastaj erdhi Euro 2024 dhe edhe aty arriti të shënonte edhe një gol të mrekullueshëm dhe të realizonte shumë lojëra cilësore, të cilat rikonfirmuan talentin e tij të pafund. Problemi është se tek Real Madrid rrezikon të gjejë sërish pak hapësirë, duke pasur parasysh bollëkun që kampionët e Europës kanë në rol.
Për këtë arsye, sipas zbulimeve të Ansës, Milani e ka kërkuar lojtarin në huazim te merengët. Ndoshta ka mundësi të bëhet fjalë për një operacion të stilit Brahim Diaz, nga i cili do të përfitonin të dyja palët, sidomos përsa i përket rrugës e rritjes së lojtarit. Tifozët shpresojnë në këtë marrëveshje, e cila nuk është aspak e pamundur.