Merkatoja dimërore është në kulmin e saj dhe Milani po lëviz me kujdes, por edhe me ide të qarta.
Merkato në lëvizje dhe një emër që peshon më shumë se të tjerët
Objektivi është të përforcohet skuadra për gjysmën e dytë të sezonit, duke i dhënë Massimiliano Allegrit një organik më të plotë dhe më konkurrues. Mes drejtuesve, Giorgio Furlani, Geoffrey Moncada dhe Igli Tare po studiojnë disa pista konkrete, por mbi të gjitha po vlerësojnë çdo lëvizje në funksion të ekuilibrave të skuadrës.
Në këtë sfond del në pah një figurë që nuk kalon kurrë pa u vënë re: Zlatan Ibrahimovic. Ish-sulmuesi legjendar, sot Senior Advisor i klubit, mund të jetë çelësi për një goditje të madhe dhe të papritur, ndoshta jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen e afërt.
Sulmi i sistemuar, por me një sy nga e papritura
Në repartin ofensiv, Milani duket relativisht i mbuluar. Christian Pulisic dhe Rafael Leao janë titullarët e padiskutueshëm, ndërsa Niclas Füllkrug, i ardhur në huazim nga West Ham me të drejtë blerjeje prej 5 milionë eurosh, përfaqëson alternativën e parë, sidomos pas dëmtimit afatgjatë të Santiago Gimenez.
Megjithatë, situata e Christopher Nkunku mbetet për t’u monitoruar. Sulmuesi ka kërkesa nga disa klube, jo vetëm nga Fenerbahçe, dhe në rast largimi, Milani do të ishte i detyruar të ndërhyjë. Emri i Joshua Zirkzee mbetet në sfond, me holandezin e Manchester United që ende nuk ka mbyllur përfundimisht me Romën.
Mbrojtja dhe krahët, prioriteti i vërtetë i Allegrit
Nëse sulmi është nën kontroll, repartet ku pritet ndërhyrja më konkrete janë mbrojtja dhe fashet laterale. Massimiliano Allegri ka qenë i qartë: i duhet një mbrojtës qendror i gatshëm, me përvojë dhe personalitet, për t’u alternuar me Fikayo Tomori, Matteo Gabbia, Strahinja Pavlovic dhe Koni De Winter.
Pëlqimi për Federico Gatti është i njohur, edhe pse operacioni me Juventusin duket i komplikuar. Një profil si Nathan Aké do të ishte një goditje e mirë, edhe pse e vështirë, por edhe pse Milani kërkon lojtar më të madh dhe me më shumë përvojë ndërkombëtare. Në krah, si alternativë për skemën 3-5-2, mund të jetë edhe Adam Marušić i Lazios, në skadencë kontrate, i cili përfaqëson një mundësi konkrete low cost.
Mesfusha e mbuluar… por me një variabël angleze
Në letër, Milani nuk ka ndërmend të ndërhyjë në mesfushë gjatë janarit. Me Youssouf Fofana, Luka Modrić, Adrien Rabiot, Ruben Loftus-Cheek, Samuele Ricci dhe Ardon Jashari, Allegri ndihet i mbuluar.
Por futbolli modern nuk njeh certesi absolute. Loftus-Cheek mbetet një element i rëndësishëm, por në rast të një oferte mbi 20 milionë euro, largimi i tij nuk do të ishte i pamundur. Anglezi, duke luajtur titullar diku tjetër, do të kishte më shumë shanse për të synuar Botërorin me Anglinë. Lazio e Maurizio Sarrit e pëlqen, ndërsa Beşiktaş mbetet gjithmonë në pritje.
Dhe këtu lind pyetja: nëse largohet Loftus-Cheek, si do ta zëvendësonte Milani?
Ibra–Verratti, një ide që ndez fantazinë rossonere
Përgjigjja mund të vijë sërish nga Zlatan Ibrahimovic. Sipas zërave të merkatos, Milani po ndjek me vëmendje situatën e Marco Verrattit.
Mesfushori italian, sot te Al-Duhail në Katar, është një profil që nuk ka nevojë për prezantime: teknikë e pastër, vizion loje dhe përvojë e nivelit më të lartë europian.
I lindur në vitin 1992, Verratti nuk ka luajtur kurrë në Serie A, pasi u transferua direkt nga Pescara te PSG në vitin 2012.
Pikërisht atëherë u njoh me Ibrahimovic, me të cilin krijoi një miqësi të fortë. Marrëdhënia mes dyve dhe fakti që Verratti përfaqësohet nga Rafaela Pimenta mund të lehtësojnë një rikthim të bujshëm në Itali.
Një sinjal ambicieje për të tashmen dhe të ardhmen
Verratti mund të luajë si regjisor i pastër apo si gjysmëanësor, duke i dhënë Milanit qartësi në ndërtim dhe përvojë në menaxhimin e ndeshjeve. Ndoshta jo menjëherë, ndoshta në verë, por ideja ekziston dhe flet qartë për ambicie.
Jo më kot, në një intervistë në nëntor për “Sky Sport”, Verratti kishte deklaruar se tifonte për Milanin e mikut të tij Zlatan në garën për Scudetton kundër Interit dhe Napolit.
E kush e di, ndoshta një ditë, jo shumë larg, mund të mos jetë më vetëm tifoz, por protagonist në fushë.
Milani mes realizmit dhe ëndrrës
Mirëpo fakt është se aktualisht Milani po ecën mbi një vijë të hollë mes realizmit ekonomik dhe dëshirës për t’u rikthyer plotësisht në elitë.
Merkatoja e janarit do të japë disa përgjigje, por prania e Ibrahimovicit në prapaskenë tregon se Djalli nuk ka hequr dorë nga ëndrrat e mëdha.
Sepse ndonjëherë, për të ndryshuar historinë e një sezoni – apo të një cikli – mjafton një ide e fortë, një lider dhe një goditje që flet gjuhën e ambicies.
Dhe te Milani, sot, emri i Zlatan Ibrahimovicit vazhdon të peshojë si pak të tjerë.
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
