Merkato Milan, goditja e ndaluar në gong: sulmi i Djallit nuk ndryshon. “Jo”-ja që lindi nga detaji. Kujdes sot, detyrime nesër

Historia e Mateta nuk do të mbahet mend si një transferim i dështuar, por si një sinjal. Sinjali i një Milani që zgjodhi të ndalet për të mos gabuar. Çmimi i kësaj zgjedhjeje është një sulm i shkurtër dhe një pritje e detyruar deri në verë. Përfitimi është shmangia e një rreziku që mund të rëndonte për vite...

Milanistat
5 Min Read
mateta origi

Heshtja pas gongut ka qenë më e zhurmshme se çdo thashethem merkatoje. Milani e mbylli ditën e fundit të tregut dimëror me duar bosh dhe me ndjesinë e një treni të humbur në sekondat finale. Jean-Philippe Mateta, emri që duhej të hapte një kapitull të ri për repartin ofensiv, mbeti vetëm një ide e parealizuar. Një histori që për 48 orë u duk e mbyllur, konkrete, gati për t’u shpallur zyrtare, por që u shua sapo drita e kontrollit mjekësor u ndez më fort se entuziazmi.

Në ambientin kuqezi, pritja ishte reale. Vizitat mjekësore të planifikuara, udhëtimi i organizuar, stafi teknik gati për të mirëpritur sulmuesin e ri. Massimiliano Allegri e kishte imagjinuar tashmë Matetan si një shtyllë për të tashmen dhe një investim për të ardhmen. Por futbolli modern, sidomos kur përfshihen shifra të rëndësishme, nuk lejon vend për romantizëm. Vetëm për siguri.

NJË “JO” QË LIND NGA DETAJI

Në orët vendimtare, Milani ka bërë atë që shpesh klubet nuk guxojnë: ka ndaluar. Ka kërkuar të shohë përtej sipërfaqes, përtej dokumenteve standarde, përtej dëshirës për ta mbyllur operacionin. Gjuri i Matetas, një histori që nis në vitin 2019, ka ngritur më shumë se një pikëpyetje. Jo një shqetësim kalimtar, por një problem që lojtari e menaxhonte prej vitesh dhe që, sipas vlerësimeve të fundit, mund të kërkonte edhe ndërhyrje kirurgjikale.

Vizita përfundimtare, ajo e kryer nga mjeku Mazzoni, ka qenë vendimtare. Nga shpresa në pritje, nga pritja në rassegnim. Milani ka zgjedhur të mos rrezikojë 30 milionë euro për një profil që nuk garantonte siguri fizike as në afat të shkurtër, as në perspektivë. Marrëveshja me Crystal Palace, e ndërtuar me durim, u shua në një çast. Një “jo” që peshon, por që tregon një klub të matur, ndoshta edhe më të rritur.

Pas këtij vendimi, tabloja është e qartë: sezoni do të mbyllet pa një përforcim tjetër në sulm. Revolucioni i shumëpërfolur nuk nisi nga Mateta dhe, në fakt, nuk nisi fare. Jo tani.

ALLEGRI DHE REALITETI I NJË SULMI TË SHKURTËR

Massimiliano Allegri mbërrin në fazën më delikate të sezonit me një repart ofensiv të limituar. Kjo është një e vërtetë që nuk ka nevojë për zbukurime. Sulmuesit në dispozicion janë ata që ka pasur pothuajse gjatë gjithë vitit, me disa mungesa të shpeshta dhe me forma fizike që nuk kanë qenë kurrë optimale për të gjithë njëkohësisht.

Është po aq e qartë se vera do të kërkojë ndërhyrje të thella. Disa lojtarë, në muajt që vijnë, do të luajnë edhe për të ardhmen e tyre në Milano. Por ky është një diskutim për më vonë. Tani nuk ka hapësirë për kalkulime afatgjata. Allegri e di se duhet të punojë me atë që ka, ta shtrydhë grupin deri në pikën e fundit të energjisë dhe të bindjes.

Trajneri është i vetëdijshëm për kufijtë, por edhe për potencialin e skuadrës. Nuk ka justifikime publike, nuk ka alibi. Ka vetëm fokus te ndeshjet që vijnë dhe te menaxhimi i një sezoni që kërkon përvojë, pragmatizëm dhe nerva të forta. Pikërisht armët që Allegri ka ndërtuar gjatë karrierës së tij.

KUJDES SOT, DETYRIME NESËR

Historia e Matetas nuk do të mbahet mend si një transferim i dështuar, por si një sinjal. Sinjali i një Milani që zgjodhi të ndalet për të mos gabuar. Çmimi i kësaj zgjedhjeje është një sulm i shkurtër dhe një pritje e detyruar deri në verë. Përfitimi është shmangia e një rreziku që mund të rëndonte për vite.

Tani fjala i takon fushës. Allegri dhe lojtarët e tij duhet të mbajnë Milanin konkurrues deri në fund, duke e shtyrë çdo revolucion për më vonë. Sepse në futboll, ndonjëherë, edhe një “jo” i fortë sot është baza për një “po” më të madh nesër.


BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>



Share This Article