Merkatoja e janarit për Milanin po merr formën e një misioni shpëtimi. Pas një gjysmë sezoni të mbushur me improvizime, dëmtime dhe zgjedhje që nuk kanë dhënë frytet e pritura, drejtuesit kuqezinj janë të detyruar të ndërhyjnë, jo për luks, por për mbijetesë sportive. Zbarkimi i Niclas Fullkrug në Itali ka shënuar vetëm fillimin e lëvizjeve të dimrit, por është e qartë se sulmi nuk është i vetmi repart që ka nevojë për ndihmë. Alarm i kuq në mbrojtje, ku mungesat, forma e paqëndrueshme dhe rinia e papjekur kanë detyruar Massimiliano Allegrin të gjejë zgjidhje emergjente. Pikërisht këtu hyn në skenë Gianluca Di Marzio, i cili nga studiot e “Sky Sport” ka hedhur dritë mbi planet e Milanit dhe ka përmendur tre emra konkretë, mes tyre edhe një surprizë që ndez fantazinë e tifozëve.
Fullkrug është vetëm fillimi: merkato e detyruar, jo e zgjedhur
Mbrëmjen e kaluar, Milani priti në Itali Niclas Fullkrug, sulmuesin gjerman të lindur në vitin 1993, që vjen nga West Ham në huazim falas me të drejtë blerjeje të vendosur në 5 milionë euro. Një operacion tipik i këtij janari: kosto e ulët, rrezik i kalkuluar dhe nevojë urgjente për alternativa. Ish-sulmuesi i Borussia Dortmund nuk do të jetë, megjithatë, i vetmi përforcim për Allegrin në pjesën e dytë të sezonit.
Drejtuesit Giorgio Furlani, Geoffrey Moncada dhe Igli Tare janë të vetëdijshëm se skuadra ka boshllëqe të qarta, sidomos në mbrojtje. Edhe pse janë afruar profile të rinj si Juan David Arizala dhe Andrej Kostic, këto janë investime për të ardhmen, jo zgjidhje të menjëhershme për një Milan që synon të qëndrojë në majat e renditjes. Për këtë arsye, të paktën një mbrojtës për ekipin e parë konsiderohet i domosdoshëm.
Emergjencë në prapavijë: dëmtime, zhgënjime dhe zero alternativa
Situata në repartin defensiv është më e ndërlikuar nga sa duket. Matteo Gabbia vjen nga një dëmtim dhe ende nuk jep garanci të plota fizike. Koni De Winter, kur është aktivizuar, rrallëherë ka bindur, duke lënë ndjesinë e një lojtari ende të pasigurt për nivele të larta. Ndërsa rasti i David Odogu është emblemë e problemeve strukturore: talenti i ri praktikisht nuk ka parë fushën këtë sezon, përveç 11 minutave në Kupën e Italisë kundër Lecce-s dhe disa paraqitjeve në Serie D me Milan Futuro.
Në këtë kontekst, Allegrit i mungojnë alternativat reale. Çdo mungesë apo rotacion i detyruar rrezikon të prishë ekuilibrat e një skuadre që tashmë po ecën në fije të perit. Prandaj, merkatoja e janarit nuk është çështje zgjedhjeje, por domosdoshmëri.
Skriniar, Dier dhe Gatti: pistat e Di Marzios dhe emri që kërkon Allegri
Gianluca Di Marzio, gjatë emisionit “L’Originale” në Sky Sport, ka bërë pikën e situatës mbi kërkimin e Milanit për një mbrojtës qendror. “Milani tani duhet patjetër të bëjë një mbrojtës – ka shpjeguar gazetari – po përpiqet të kuptojë se kush mund të lëvizë në huazim”.
Emri i parë është Milan Skriniar, një profil që pëlqen shumë, por që duket pothuajse i paarritshëm: kapiten i Fenerbahçes dhe figurë qendrore e projektit turk, vështirë se do të lirohet në mes të sezonit. Një tjetër pistë është ajo e Eric Dier, aktualisht te Monaco, ish-lojtar i Bayern Munich, që po rikthehet nga një dëmtim. Një profil me eksperiencë ndërkombëtare, por që sjell me vete edhe disa pikëpyetje fizike.
Por vëmendja maksimale shkon te emri surprizë: Federico Gatti. Një lojtar që Allegri e njeh shumë mirë dhe që e vlerëson lart. Gatti po rikthehet nga dëmtimi dhe mbetet për t’u parë nëse do të rientrojë në planet e Luciano Spallettit. Nëse Juventusi do të ishte i gatshëm ta lëshonte, Milani mund të futej menjëherë në lojë, duke u bërë gati për një goditje që do të kishte edhe një peshë simbolike të madhe.
Në një janar pa buxhete të mëdha, por me nevoja urgjente, zgjedhja e mbrojtësit të ri mund të jetë vendimtare për fatin e sezonit kuqezi. Dhe këtë herë, çdo gabim mund të kushtojë shumë më shtrenjtë se pesë milionë euro.
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
