Merkato mbyllet, Milani në duart e Max: janari i humbur dhe tani, sfida e madhe e Allegrit. Firma që vlen më shumë se çdo blerje

Nuk erdhën përforcimet e pritura, nuk u bë hapi i fundit për ta ndryshuar rrjedhën e sezonit: merkatoja e riparimeve dimërore mbyllet mes zhgënjimit dhe pyetjeve. Tani flet fusha, flet pankina dhe një mbi të gjithë: Massimiliano Allegri

Milanistat
6 Min Read
alegri alegri

Merkatoja dimërore u mbyll. E heshtur. Pa zhurmë. Pa ato goditje që ndezin imagjinatën dhe rrisin ambiciet. Për Milanin, janari kaloi më shumë si një mundësi e shpërdoruar sesa si një trampolinë drejt një gjysme të dytë sezoni më konkurruese. Në letër, bilanci është i thjeshtë: një ardhje, Niclas Fullkrug. Në realitet, nevojat ishin më të mëdha, pritshmëritë më të larta dhe rezultati përfundimtar lë shije të hidhur.

Skuadra kishte nevojë për të paktën dy përforcime reale: një qendërmbrojtës për të zgjeruar rotacionin dhe një alternativë serioze në krahun e djathtë, për të mos e lënë peshën gjithmonë mbi shpatullat e Saelemaekers. Asnjëra nuk erdhi. Dhe tani, pas mbylljes së tregut, gjithçka përfundon aty ku shpesh Milani është mbështetur vitet e fundit: te pankina, te aftësia e trajnerit për të nxjerrë maksimumin nga ajo që ka në dispozicion.

NJË MERKATO QË NUK NDRYSHOI RRJEDHËN

Ndjesia e përgjithshme është se Milani e la të ikte një shans i rëndësishëm. Jo për të revolucionarizuar skuadrën, por për ta përmirësuar ndjeshëm. Fullkrug është një lojtar i dobishëm, një profil që sjell përvojë, peshë fizike dhe pragmatizëm në zonë. Por nuk është lojtari që të “kthen” sezonin, nuk është ai që ndryshon statusin e skuadrës.

Në mbrojtje, mungesa e një qendërmbrojtësi të ri kufizon ndjeshëm zgjedhjet e Allegrit. Katër lojtarë për tre role janë pak, shumë pak, sidomos në një sezon të ngjeshur ku edhe një grip i thjeshtë mund të të vërë në emergjencë. Rotacioni është i shkurtër dhe çdo problem fizik rrezikon të kthehet në krizë.

Merkatoja kishte mundësi të ndizhej në orët e fundit me operacionin Mateta. Dhe këtu fillojnë pyetjet më të mëdha. Vendimi për të bërë të gjitha verifikimet mjekësore ishte i drejtë: askush nuk mund të kritikojë një klub që refuzon të investojë 30 milionë euro për një lojtar me rrezik fizik. Por mënyra dhe koha e menaxhimit të situatës lënë vend për reflektim.

Do të ishte dashur të lëvizje më herët, të thelloheshe në gjendjen e gjurit që në ditët e para, sidomos kur prej dhjetorit në Angli flitej hapur për probleme dhe për një operacion të mundshëm. Mbërritja në sekondat e fundit pa alternativa reale ka mbyllur çdo hapësirë manovre. Dhe kështu, Milani mbeti me duar bosh.

MAIGNAN, FIRMA QË VLEN SA NJË BLERJE

Në një janar gri, ekziston megjithatë një dritë e fortë: rinovimi i Mike Maignan. Kjo është pa diskutim lëvizja më e rëndësishme e muajit. Një operacion që shkon përtej shifrave dhe kontratës. Mbajtja e portierit francez është një sinjal stabiliteti, një mesazh force dhe besimi në projekt.

Arritja e marrëveshjes me 5 milionë euro plus bonuse është fryt i një pune të gjatë, të duruar dhe inteligjente. Maignan është lider teknik dhe emocional, një nga shtyllat e skuadrës dhe një figurë që jep siguri gjithë repartit. Frutat e kësaj firme nuk do të shihen vetëm sot, por edhe në muajt dhe sezonet që vijnë.

Por edhe këtu realiteti kërkon ekuilibër: një firmë, sado e rëndësishme, nuk mjafton për të mbuluar boshllëqet e tjera. Sepse, në fund të fundit, skuadra është pothuajse e njëjta e shtatorit, me shtesën e Fullkrug, por edhe me një problem që vazhdon të përsëritet.

VARËSIA NGA LEAO – PULISIC

Leao dhe Pulisic janë motorët e sulmit, dy lojtarët që duhet të bëjnë diferencën. Por prej javësh, madje muajsh, ata nuk janë kurrë në gjendje optimale. Rafa lufton me pubalgjinë që e shoqëron prej kohësh, ndërsa Pulisic është shpesh i ndalur nga shqetësime fizike. Sonte në Bologna, amerikani nuk do të jetë as në dispozicion.

Kjo situatë e bën edhe më të dukshme mungesën e alternativave cilësore. Pa një merkato që të zgjerojë zgjedhjet, çdo problem fizik i titullarëve kthehet automatikisht në problem të skuadrës. Dhe këtu rikthehemi te pika kyçe: gjithçka është në duart e trajnerit.

ALLEGRI, KOHA E SFIDËS SË VËRTETË

Tani nuk ka më alibi, nuk ka më merkato, nuk ka më pritje. Ka vetëm fushë. Massimiliano Allegri duhet të bëjë atë që di të bëjë më mirë: të menaxhojë, të balancojë, të mbajë skuadrën konkurruese edhe në kushte jo ideale. Milani i këtij sezoni nuk është më i fortë se ai i vjeshtës, ndoshta as më i thellë. Por është ende një skuadër me potencial, nëse udhëhiqet me mjeshtëri.

Janari nuk e ndihmoi, por tani fjala i takon trajnerit. Dhe sezoni i vërtetë, ai që nuk fal, sapo ka filluar.


BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>



Share This Article