Ora po ecën me shpejtësi drejt gongut final. Në orën 20:00 të mbrëmjes së sotme, dritaret e merkatos dimërore do të mbyllen zyrtarisht dhe Milani gjendet në një pozicion të çuditshëm, por intrigues: jo protagonisti i zhurmshëm i janarit, por as spektatori pasiv që shumëkush e imagjinonte deri pak ditë më parë. Në heshtje, me hapa të matur, klubi kuqezi është zgjuar pikërisht atëherë kur pritshmëritë kishin rënë dhe orët e fundit premtojnë tension, vendime dhe ndoshta edhe ndonjë surprizë.
Në selinë e klubit, nga Giorgio Furlani te Igli Tare e Geoffrey Moncada, askush nuk ka lënë zyrën bosh. Merkatoja e janarit nuk është thjesht çështje emrash, por ekuilibrash financiarë, nevojash teknike dhe vizioni afatmesëm. Dhe Milani, këtë herë, duket se ka dashur të mbajë gjithçka nën kontroll deri në fund.
NISJA QË PARAPRINI JANARIN: FULLKRUG, ZGJIDHJA E MENJËHERSHME
Në një farë mënyre, merkatoja dimërore e Milanit nisi përpara se të hapej zyrtarisht. Operacioni i Santiago Gimenez në kyçin e këmbës, i kryer më 19 dhjetor, ndryshoi planet e repartit ofensiv. Stopi i gjatë i sulmuesit e detyroi klubin të vepronte shpejt dhe me pragmatizëm.
Kështu erdhi Niclas Fullkrug. Një emër që nuk ndezi fantazinë, por që solli substancë. Sulmuesi gjerman, i ardhur në huazim nga West Ham me të drejtë blerjeje prej vetëm 5 milionë eurosh, u integrua menjëherë në mekanizmat e Massimiliano Allegrit. Pak minuta, por konkrete. Një gol vendimtar, disa dalje inteligjente dhe mbi të gjitha ndjesia e një lojtari që di të qëndrojë brenda rolit. Një “colpo” i heshtur, por funksional.
GODITJA QË ASKUSH NUK E PRISTE: CISSÉ, INVESTIM PËR TË NESËRMEN
Nëse Fullkrug ishte zgjidhja për sot, Alphadjo Cissé është basti për nesër. Një histori që nis dy vite më parë dhe që mbyllet tani, kur Milani vendos të ndërhyjë me vendosmëri. Mesfushori ofensiv, i lindur në 2006, ishte pranë PSV-së, por kuqezinjtë kanë shfrytëzuar momentin dhe kanë rritur ofertën.
Dhjetë milionë euro për Hellas Veronën, një shifër që tregon se Milani beson fort te potenciali i djaloshit. Cissé do të mbërrijë në Milano vetëm nga sezoni 2026–2027, ndërsa këtë vit do ta mbyllë në Serie B me Catanzaron. Një operacion tipik “alla Milan”: investim i kontrolluar, pritje dhe zhvillim pa presion.
JO VETËM EKIPI I PARË: MERKATOJA QË NDËRTON THEMELE
Janari nuk ka qenë i qetë as për sektorin e të rinjve. Pas disa objektivave të humbur, Milani ka reaguar duke siguruar tre profile interesante për ekipin e dytë. Cissé nga Senegali, Regragui Idrissi nga Chelsea dhe Dalpiaz nga Bayern janë sinjale të qarta: projekti i Milan Futuro nuk është dekor, por prioritet.
Me Massimo Oddon në stol, objektivi është i qartë: rritje konkurruese, playoff dhe pse jo, ëndrra e një ngjitjeje të shpejtë në Serie C. Një tjetër dëshmi se klubi po mendon në mënyrë vertikale, nga e tashmja te e ardhmja.
ORËT E FUNDIT: MATETA, MBROJTËSI DHE HIPOTEZAT “LAST MINUTE”
Dhe ja ku jemi, në zemër të ditës së fundit. Emri që mban frymën pezull është ai i Jean-Philippe Mateta. Marrëveshja me Crystal Palace është gati, shifra rreth 35 milionë euro. Vizitat mjekësore janë duke u thelluar, veçanërisht për një gju që kërkon garanci absolute. Nëse gjithçka shkon mirë, Milani do të mbyllë goditjen e madhe të janarit. Në të kundërt, dera do të mbyllet pa drama.
Në mbrojtje, Allegri nuk e ka fshehur dëshirën për një qendërmbrojtës tjetër. Refuzimi i Disasi-t tregon se Milani nuk do të pranojë çdo zgjidhje. Mund të hapen pista të papritura, ndoshta në Itali, ndoshta jashtë. Emra me përvojë, ndoshta edhe të lirë. Fantazia shkon larg, por realiteti mbetet i lidhur me pragmatizmin.
Në dalje, situata duket e qetë. Por merkatoja ka mësuar se asgjë nuk është e sigurt deri në sekondën e fundit. Zërat nga Turqia për Nkunku vazhdojnë, edhe pse lojtari nuk ka dhënë sinjale largimi.
NJË MILAN QË PRET, POR NUK FLE
Kur gongu të bjerë sonte, do të jetë koha e bilanceve. Por pavarësisht emrave që do të mbërrijnë apo jo, një gjë është e qartë: Milani ka zgjedhur të veprojë me kokë të ftohtë. Jo revolucione, por korrigjime. Jo zhurmë, por ide.
Në një merkato dimërore gjithnjë të rrezikshme, ku gabimi paguhet dyfish, kuqezinjtë kanë preferuar të presin momentin e duhur. Dhe ndoshta, pikërisht në orët e fundit, ky moment mund të ketë ardhur.
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
