Ka një Milan me Rabiot dhe një Milan pa të. Nuk është thjesht slogan, por një realitet i mbështetur nga shifrat. Që nga ardhja e tij verën e kaluar për 10 milionë euro, Adrien Rabiot është kthyer në një nga kolonat e skuadrës së Massimiliano Allegri. Një nga “nxënësit” e preferuar të teknikut, që e njeh mirë që nga koha te Juventusi, dhe që sot mban në këmbë ekuilibrin e mesfushës kuqezi.
Mungesa e tij në rikuperimin e 18 shkurtit kundër Comos – pas kartonit të kuq të diskutueshëm ndaj Pisas, sfidë e fituar 2-1 nga Milani – hap një boshllëk jo të vogël. Sepse zëvendësimi i Rabiot nuk është thjesht çështje emri, por çështje peshe specifike në lojë.
Francezi ka firmosur deri tani 4 gola dhe 5 asistë në 17 ndeshje kampionati. Një kontribut i drejtpërdrejtë në rezultatin final, i kurorëzuar nga dopieta e paharrueshme në ndeshjen e parë kundër Comos, kur Milani përmbysi gjithçka. Por ndikimi i tij shkon shumë përtej tabelës së golashënuesve.
Në total, Rabiot ka luajtur 1740 minuta mes Serie A, Kupës së Italisë dhe Superkupës: 20 ndeshje me një mesatare prej 87 minutash për takim. Praktikisht gjithmonë në fushë, gjithmonë në qendër të manovrës.
Shifrat që tregojnë diferencën
Kur Rabiot është në fushë, Milani grumbullon mesatarisht 2.41 pikë për ndeshje. Pa të, mesatarja zbret ndjeshëm në 1.80. Një rënie që bën të mendosh. Edhe përqindja e golave të realizuar ndryshon: nga 1.71 me francezin në fushë, në 1.60 pa të. Mund të duket diferencë e vogël, por në një sezon të gjatë çdo detaj peshon.
Pastaj janë numrat “e pistë”, ato që nuk bëjnë bujë, por fitojnë ndeshje. 101 duele të fituara – rreth 5 për ndeshje – që në mesfushë përkthehen në posedim, agresivitet dhe kontroll ritmi. 88 topa të rikuperuar, që tregojnë sa i rëndësishëm është në fazën mbrojtëse.
Me Rabiot, Milani ka një mesfushë që shtyn përpara me forcë fizike dhe inteligjencë taktike. Pa të, skuadra humbet kilometra, humbet intensitet dhe mbi të gjitha humbet atë “cavalcata” karakteristike që çan linjat dhe ndryshon inerci.
Mungesa që peshon në sprintin final
Ndaj mungesa kundër Comos nuk është vetëm statistikë. Është një provë për Allegrin, që duhet të gjejë alternativa për të ruajtur balancën. Rabiot nuk është vetëm një mesfushor me gola dhe asistë; është nyja që lidh repartet, mburoja që mbron mbrojtjen dhe arma që mbështet sulmin.
Në fund, shifrat flasin qartë: ka një Milan me Rabiot dhe një Milan pa të. Dhe në një sezon ku çdo pikë mund të bëjë diferencën mes Champions-it dhe zhgënjimit, pesha e francezit duket më e madhe se kurrë.
BËHU PJESË E KLUBIT ONLINE TË TIFOZËVE ROSSONERË, MILANISTAT.com, PËR TË MARRË ÇDO DITË, NË ÇDO MOMENT, TË REJAT MË TË FUNDIT QË REDAKSIA JONË, ME BASHKËPUNËTORË NË MILANO, ROMË, BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK J’UA OFRON ME CILËSINË MË TË MIRË. MJAFTON TË KLIKOSH NË LINKUN KËTU>>>>>>, ose TË KLIKOSH NË LINKUN TJETËR KËTU>>>>>>
