Merkato Milan është në fermentim të plotë dhe orët e fundit konfirmojnë një aktivitet intensiv. Ka qenë Federico Chiesa, i cili e ka nxehur ditën që në mëngjes, me intervistën e dhënë për kolegët e të përditshmes së madhe sportive “Il Corriere dello Sport”, nëpërmjet të cilës i ka dërguar një sinjal të qartë Tares, një asist që mund të jetë preludi i zbarkimit të tij te Rossonerët. Por surprizat nuk mbarojnë këtu: nga ana e tij eksperti i madh i merkatos, gazetar i besimit milanist, Carlo Pellegatti, ka zbuluar një emër të ri për mesfushën që mund të përfaqësojë zgjidhjen ideale për Allegrin dhe DS Tare, një profil në gjendje të forcojë mesfushën me cilësi dhe dinamizëm, duke i dhënë më shumë soliditet projektit të Milanit.
Në mesfushë nevojitet cilësi
Milani po përgatitet t’i thotë lamtumirë Reijnders, një humbje e rendësishme në mesfushë e cila kërkon medoemos ardhje cilësore në skuadër. Ardhja e Modric përfaqëson një goditje të rëndësishme, por nuk mjafton për të garantuar soliditetin dhe kreativitetin e nevojshëm. Kështu, i mirënjohuri Carlo Pellegatti, në kanalin e tij YouTube, ka zbuluar se klubi Rossoner po punon edhe për Amadou Fofana, një mesfushor të ri me potencial të madh. Ideja do të ishte që Modric të çiftëzohej me Fofana për të ndërtuar një mesfushë të ekuilibruar dhe konkurruese, të aftë për t’iu përgjigjur çdo nevoje taktike të Allegrit.
Emër i ri: çfarë na zbuloi Pellegatti
Carlo Pellegatti është thelluar në situatën e mesfushës Rossonere, duke zbuluar një emër shumë interesant, të cilin ne shqiptarët e njohum mirë: Granit Xhaka. “Xhaka është një emër i vërtetë,” tha ai, “mund ta kompletonte mirë repartin bashkë me Modric dhe Fofana”. Sipas gazetarit, politika e Milanit me Allegrin dhe Taren tenton të favorizojë lojtarë me përvojë dhe pragmatikë, në vend që të përqendrohet ekskluzivisht mbi lojtarët e rinj. Për më tepër, Bayer Leverkusen, klubi i Xhakës, do të ishte duke menduar për një revolucion në organikë, duke u hapur kështu ndaj mundësisë së një transferimi që mund të përfaqësonte një mundësi të rëndësishme për Milanin.